ATV

Author: ATVLive

  • Elon Musk zbulon se cilën substancë e përdor për t’ia larguar depresionin dhe stresin

    Elon Musk zbulon se cilën substancë e përdor për t’ia larguar depresionin dhe stresin

    Miliarderi amerikan Elon Musk së fundmi ka rrëfyer për llojin e substancave që ai përdor.

    Në një intervistë të transmetuar në rrjetin social “X”, Musk është pyetur nëse do të konsumonte ndonjëherë substanca narkotike ose alkool. Ai ka mohuar të kishte marrë ndonjëherë substanca rekreative, në përjashtim të një rasti ku ka provuar kanabis me prezantuesin Joe Regan në 2018-n.

    Megjithatë Musk u shpreh se mjekët e tij i kanë dhënë substancën e kontrolluar në SHBA, “ketaminë”.

    “Ka raste kur kam një lloj…gjendje negative në trurin tim, si depresioni mendoj..depresioni që nuk është i lidhur me ndonjë lajm negativ, dhe ketamina është e dobishme për të nxjerrë një person nga këto korniza negative” tha Elon.

  • Komisioni për Buxhet miraton kërkesën e KQZ-së për mjete shtesë, kërkohet “amini” i Muratit

    Komisioni për Buxhet miraton kërkesën e KQZ-së për mjete shtesë, kërkohet “amini” i Muratit

    Komisioni për Buxhet, Punë dhe Transfere, ka miratuar kërkesën e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve për ndarjen e mjeteve shtesë buxhetore për vitin 2024, raporton Ekonomia Online.

    Shuma e kërkuar nga KQZ-ja është mbi 1.5 milion euro dhe ka të bëjë me procesin e zgjedhjeve në qendrat komunale të numërimit.

    Kryeshef Ekzekutiv i Sekretariatit të KQZ-së, Burim Ahmetaj, shpjegoi në detaje për kërkesën për buxhet shtesë. Tha se kërkesa ka të bëjë me blerjen e kamerave në secilin vendvotim dhe për blerjen e pajisje harduerike dhe softuerike për transparencë.

    “Në kuadër të transparencës KQZ ka paraparë të blejë kamera vëzhguese për secilin vendvotim, që i bjen rreth 2 mijë e 500 vendvotime për të blerë nga një kamerë, po ashtu edhe pajisjet tjera softuerike të cilat janë në shërbim të transparencës dhe për këtë janë rreth 1 milion e gjysmë euro të cilat i kemi në buxhet për vitin 2024 dhe të cilat do t’i zhvillojmë gjatë këtij viti. Janë të ndara pjesa kapitale dhe mallra dhe shërbime, sepse disa pjesë janë softuerike, disa janë pajisje që duhet blerë, por sidoqoftë janë 500 mijë euro për procesin e transparencës, janë edhe 750 mijë euro që do të blihen pajisje harduerike dhe softuerike për transparencë, si dhe një milion euro janë për blerjen e kamerave për secilin vendvotim, që në total e kalojnë 1.5 milion euro vetëm për procesin e transparencës në qendrat komunale të numërimit për gjithë vendin”, tha Ahmeti.

    Kryetari KQZ-së, Kreshnik Radoniqi derisa ka raportuar në Komisionin për Buxhet, Punë dhe Transfere ka thënë se buxheti i përgjithshëm i KQZ-së për vitin 2022 ishte 6 milionë e 24 mijë e 134 euro, ndërsa ka theksuar se prej kësaj shumë është shpenzuar 93.2 për qind.

    “Me ligjin e buxhetit për vitin 2022 të miratuar nga Kuvendi i Kosovës, KQZ është akorduar një fond prej mbi 5 milion e 913 mijë me qëllim të funksionimit të institucionit dhe për të përmbushur detyrimet ligjore. Pas shpalljes së zgjedhjeve të jashtëzakonshme për kryetar të katër komunave në pjesën veriore të vendit, si dhe pas vendimit të Qeverisë, buxheti i përgjithshëm i KQZ-së për vitin 2022 ishte 6 milion e 24 mijë e 134 euro. Pjesa më e madhe e këtij buxheti, shuma prej 4 milion e 200 mijë euro i takon kategorisë së subvencioneve dhe transferove, Në përgjithësi buxheti është shpenzuar 93.2 për qind, apo në shumën prej 5 milion e 617 mijë euro. Edhe një raport tjetër e kemi dorëzuar ku e kemi pasqyruar shpenzimin e buxhetit për vitin 2022, kjo ka qenë me raportin vjetor të punës së KQZ-së, i cili është dërguar Kuvendit të Kosovës vitin e kaluar”, tha Radoniqi.

    Deputeti nga Vetëvendosje, Visar Korenica ka thënë se është zhgënjyese që gjatë raportit llogaritë e arketueshme nuk janë paraqitur siç duhet, për çfarë ka kërkuar të eliminohen këto probleme në të ardhmen.

    “Raporti i auditimit të cilin e kemi pranuar po paraqet që nuk është gjendje e mirë e mbajtjes së llogarive në këtë institucion. Raporti është i kualifikuar, që është për më tepër zhgënjyese që mos të paraqitet si duhet llogarite e arketueshme. Kuptoj që keni pas mundësi të keni ndonjë problem me pasurinë për regjistrimin e stoqeve, por që me pas probleme me llogaritë arketueshme nuk po e shoh të arsyeshme”, tha Korenica.

    Ndërsa, për këtë Radoniqi ka thënë se e kanë trajtuar këtë çështje, porse ka të bëjë me disa gjoba që janë shqiptuar disa subjekteve politike që nuk ekzistojnë më dhe nuk kanë subjektivitet, derisa shtoi se nuk ka asnjë mundësi KQZ t’i inkasojë këto mjete.

    Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Mërgim Lushtaku, pati kritika për raportin e vitit 2022, përderisa tha se jemi në vitin 2024.

    “Ne jemi duke e trajtuar një raport të vitit 2022 dhe jemi në vitin 2024, në vend se të mendojmë për raportimin e vitit 2023, ne ende para dy viteve merremi me raportet e institucioneve të pavarura, nuk është vetëm ky komision. Ne e kemi miratuar në Kuvendin e Kosovës një rregullore dhe goxha jemi krenuar që kemi bërë një ndryshim, dhe kemi sjellë një burokraci më të tepruar dhe një barrë më ë madhe sa i përket llogaridhënies së institucioneve dhe një vonesë, ku çdo vonesë është edhe në mundësinë e përmirësimit të gjendjes. Është mirë që të bëjmë një kërkesë kryesisë së Kuvendit që këtë rregullore të ndryshojmë në sensin që mos të ketë burokraci në miratimin kohor të rregullores dhe llogaridhënia të jetë më e shpejtë”, tha Lushtaku.

  • Paqartësitë rreth anëtarësimit të tri komunave veriore, Asociacioni i Komunave del me një tjetër deklaratë

    Paqartësitë rreth anëtarësimit të tri komunave veriore, Asociacioni i Komunave del me një tjetër deklaratë

    Asociacioni i Komunave të Kosovës ka reaguar sërish lidhur me çështjen e anëtarësimit të tri komunave veriore, Zveçan, Leposaviq e Zubin Potok.

    Në një postim në Facebook, AKK ka ri-shpërndarë një deklaratë të ish-kryetarit të Leposaviqit, Nenad Radosavleviq, njëherit edhe ish-nënkryetar i AKK-së.

    Sipas AKK-së, Nenad Radosaveloviq, në një postim të tij, ka treguar rreth procesit të anëtarësimi të Komunave Leposaviq, Zubin Potok dhe Zveçan në Asociacion të Komunave.

    “Një ditë pasi kuvendet komunale të Leposaviqit dhe Zubin Potokut votuan për anëtarësim në Asociacionin e Komunave të Kosovës, e njëjta gjë është bërë edhe në Zveçan. Asociacioni i Komunave në Kosovë është formuar në vitin 2001 dhe në të janë anëtarë të gjitha komunat e veriut të Kosovës. Unë si kryetar i komunës së Leposaviqit kam qenë nënkryetar i asaj shoqate, ndërsa kryetar ka qenë Lutfi Haziri, atëherë kryetar i komunës së Gjilanit”, kishte deklaruar Radosaveloviq.

    Çështja e anëtarësimit të tri komunave veriore, Zveçan, Leposaviq e Zubin Potok në Asociacionin e Komunave të Kosovës, së fundmi ka nxitur reagime.

    Kryetari i Komunës së Kamenicës, Kadri Rahimaj akuzoi AKK-në se tash e shtatë muaj po refuzon që të shqyrtojë kërkesën e këtyre komunave për anëtarësim.

    Lidhur me këto akuza drejtori ekzekutiv i Asociacionit të Komunave të Kosovës (AKK), Sazan Ibrahimi në një prononcim për Telegrafin, gjatë ditës së djeshme ka thënë se këto komuna vazhdojnë të jenë pjesë e AKK dhe se të njëjtat nuk janë tërhequr zyrtarisht.

    “Nuk janë tërheq nga AKK dhe këshilli i kryetarëve nuk mundet me pranu diçka që nuk është tërheq, ata janë anëtarë tonë. Ata zyrtarisht nuk janë tërhequr”, tha Ibrahimi.

  • Kërcënimet e Vuçiqit për luftë, Hovenier: Aleanca më e fortë në histori është këtu

    Kërcënimet e Vuçiqit për luftë, Hovenier: Aleanca më e fortë në histori është këtu

    Ambasadori amerikan në Kosovë, Jeffrey Hovenier, i është kundërpërgjigjur kërcënimeve për luftë të presidentit serb, Aleksandar Vuçiq.

    Hovenier ka thënë se nuk ndihen të shqetësuar dhe as populli i Kosovës nuk duhet të ndihet i shqetësuar nga kërcënimet e presidentit serb Aleksandar Vuçiq.

    Ai ka thënë se aleanca më e fortë ushtarake është në Kosovë, duke iu referuar NATO-s.

    “SHBA ka qëndruar fuqishëm për paqen e njerëzve në Kosovës. Mund të them që jemi të përkushtuar për sigurinë e Kosovës. Ne nuk e humbim gjumin natën duke u shqetësuar për atë kërcënim sepse ne besojmë që NATO është e gatshme dhe e përgatitur. Dhe nuk mendoj që as njerëzit e Kosovës duhet të mbesim pa gjumë sepse aleanca ushtarake më e suksesshme në histori ka një prezencë të fuqishme dhe është e gatshme të bëjë të nevojshëm”, tha Hovenier.

  • Hovenier: Me rëndësi të ndryshohet mënyra e zbatimit të vendimit për dinarin, mund të gjendet zgjidhja

    Hovenier: Me rëndësi të ndryshohet mënyra e zbatimit të vendimit për dinarin, mund të gjendet zgjidhja

    Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Jeffrey Hovenier doli më optimist nga takimi i sotëm me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti.

    Jashtë ndërtesë së Qeverisë, Hovenier tha se dje në takimin e kryenegociatorëve në Bruksel pati “disa shenja pozitive” për ta zgjidhur çështjen e dinarit.

    Hovenier kujtoi se e respektojnë vendimin e Bankës Qendrore të Kosovës, por përsëriti se janë të shqetësuar për ndikimin që mund të ketë rregullorja e re në komunitetin serb.

    “Siç tha kolegu im dje, jemi të shqetësuar për atë se kjo mund të ndikojë në popullatën e cenueshme, posaqërisht komunitetin serb të Kosovës dhe mendoj që është me rëndësi që të ndryshohet mënyra e zbatimit dhe bisedimet tona për këtë çështje vazhdojnë”, tha ambasadori amerikan.

    Hovenier tha se ka mundësi për t’u gjendur një zgjidhje.

    “Është mirë të shohim që ka mundësi që të dy palët ofrojnë rrugëzgjidhje se si mund të bëhet kjo, si dhe përgjegjësitë e zotit Lajçak”, tha ai.

  • Kosova dhe Gjermania nënshkruajnë Deklaratën e partneritetit për klimën dhe energjinë

    Kosova dhe Gjermania nënshkruajnë Deklaratën e partneritetit për klimën dhe energjinë

    Ministrja e Ekonomisë e Republikës së Kosovës, Artane Rizvanolli, Ministri i Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Liburn Aliu dhe Ministrja gjermane e Shtetit, Anne Luhrmann, kanë nënshkruar Deklaratën e përbashkët të synimit për krijimin e një partneriteti dypalësh për klimën dhe tranzicionin energjetik.

    Kjo marrëveshje ka për qëllim të thellojë bashkëpunimin mes dy shteteve tona për çështjet e mjedisit dhe energjisë, dhe fokusohet në:

    • Planifikimin e Politikave Net Zero dhe Zbatimin e Ligjit të Kosovës për Ndryshime Klimatike;
    • Tranzicionin e shpejtë dhe të drejtë të energjisë;
    • Pjesëmarrjen e Kosovës në proceset ndërkombëtare klimatike si UNFCCC dhe COP;
    • Ngritjen ndërgjegjësimit për ndryshimet klimatike Deklarata është nënshkruar në Berlin gjatë Konferencës Dialogu i Tranzicionit të Energjisë në Berlin 2024 (BETD).

    Sipas deklaratës, Kosova dhe Gjermania rikonfirmojnë përkushtimin e fuqishëm për të avancuar zbatimin e Konventës Kornizë të Kombeve të Bashkuara për Ndryshimet Klimatike (UNFCCC), Marrëveshjen e Parisit dhe vendimet e marra nga konferencat përkatëse të palëve (COP), si dhe Deklaratën e Sofjes mbi Agjendën e Gjelbër për Ballkanin Perëndimor, objektivat e energjisë dhe klimës për 2030, miratuar nga Këshilli Ministror i Komunitetit të Energjisë dhe Deklaratën e Përbashkët të Synimit ndërmjet Liderëve të Gjashtës së Ballkanit Perëndimor dhe Republikës Federale të Gjermanisë për Partneritetin Rajonal të Klimës (“Deklarata e Përbashkët Rajonale”), miratuar në Samitin e Procesit të Berlinit në Tiranë në tetor 2023.

    Në deklaratë janë të parapara Objektivat, Çështjet që mbulon Partneriteti, Krijimi i dialogut dhe format e bashkëpunimit, Zbatimi dhe drejtimi i Partneritetit, Burimet dhe Dispozitat përfundimtare të Deklaratës.

  • Vrasja me eksploziv në Smolicë të Gjakovës, lirohet nga akuza Dodë Gjikolaj

    Vrasja me eksploziv në Smolicë të Gjakovës, lirohet nga akuza Dodë Gjikolaj

    Gjykata Themelore në Gjakovë, ka shpallur aktgjykim lirues ndaj të pandehurit D.Gj., i cili sipas aktakuzës së Prokurorisë Themelore të Prizrenit, akuzohet për veprën penale “Vrasja e rëndë” dhe “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”.

    Trupi gjykues, pas mbajtjes së 16 seancave gjyqësore, dëgjimit të 10 dëshmitarëve, administrimit dhe analizimit të të gjitha provave personale dhe materiale, këqyrjes dhe rikonstruksionit të vendit të ngjarjes, si dhe analizimin e 3 ekspertizave, 2 vendore dhe 1 ndërkombëtare (nga Instituti i Forenzikës së Cyrihut në Zvicrë), ka ardhur në përfundim se nuk është vërtetuar se i akuzuari ka kryer veprat penale si në aktakuzë.

    I pandehuri D.Gj., akuzohej se “me datën 14 tetor 2018 rreth orës 07:48 minuta në fshatin Smolicë të Gjakovës, ka privuar nga jeta tani të ndjerin H.A. nga fshati Smolicë i Gjakovës, dhe me atë rast vë në rrezik jetën e të dëmtuarit A. K., në atë mënyrë që ditën kritike i pandehuri D.Gj., rreth orës 02.30 minuta ka vendosur një materie eksplozivi në shtyllën e dyerve të oborrit të shtëpisë tani së të ndjerit

    H.A., në momentin kur tani i ndjeri rreth orës 08:02 minuta, del nga dyert e oborrit e pikërisht kur tenton të mbyll dyert, i pandehuri nga një largësi e panjohur, përmes teledirigjimit e aktivizon atë materie eksplozivi dhe nga shpërthimi, mbetet në vend i vdekur H.A., dhe lëndime trupore merr i dëmtuari A.K.” .

    Kundër këtij aktgjykimi, palët kanë të drejtë ankese në afat prej tridhjetë (30) ditëve nga dita e pranimit të aktgjykimit në formë të shkruar.

    Ndryshe, sipas aktakuzës së ngritur më 5 gusht 2022, nga Prokuroria Themelore në Prizren, Dod Gjikolaj, po akuzohet se më 14 tetor 2018, në fshatin Smolicë, të Komunës së Gjakovës, ka privuar nga jeta tani të ndjerin H.A.

    Sipas aktakuzës, Dod Gjikolaj, atë e kishte bërë në atë mënyrë që në ditën kritike, kishte vendosur një material eksploziv, në shtyllën e dyerve të oborrit të shtëpisë së tani të ndjerit, në momentin kur i ndjeri rreth orës 08:02 minuta, del nga dyert e oborrit, pikërisht kur tenton t’i mbyll dyert e oborrit, i pandehuri nga një largësi e panjohur, përmes teledirigjimit e aktivizon materialin eksploziv, ku me këtë rast mbetet i vdekur në vend, H.A., dhe lëndime trupore merr i dëmtuari A.K.

    Me këtë rast, sipas aktakuzës, ai po akuzohet se ka kryer veprën penale të “Vrasjes së rëndë” nga neni 179, paragrafi 1, pika 1.5 të Kodit Penal.

    I njëjti po akuzohet edhe për veprën penale të posedimit të pa autorizuar të materialit eksploziv, të tipit, dhe të natyrës së panjohur nga neni 374, paragrafi 1 të Kodit Penal.

  • Nga nesër lejohet kalimi i veturave në rrugën “Xhorxh Bush”, deri te parkingu nëntokësor

    Nga nesër lejohet kalimi i veturave në rrugën “Xhorxh Bush”, deri te parkingu nëntokësor

    Drejtori i Shërbimeve Publike në Komunën e Prishtinës, Bekim Brestovci, ka njoftuar se nga dita nesër (e enjte) do të hapet për vetura një korsi në rrugën “Xhorxh Bush” duke lejuar kalimin deri te hyrja kryesore e parkingut nëntokësor.

    Brestovci i tha Insajderit se janë duke u kryer detajet e fundit, si sinjalizimet deri tek hyrja e parkingut.

    “Po është e vërtetë e kemi liruar rrugën dhe të enjten në mëngjes e hapim atë deri te hyrja kryesore e parkingut”, u shpreh ai.

  • Manastiri i Deçanit regjistron 24 hektarë tokë

    Manastiri i Deçanit regjistron 24 hektarë tokë

    Manastiri i Deçanit ka regjistruar në emër të tij 20 hektarë tokë.

    Dioqeza e Rashkës dhe Prizrenit e Kishës Ortodokse Serbe në Kosovë konfirmoi se Manastiri i Deçanit ka regjistruar në emër të tij 20 hektarë tokë në Kadastrën qendrore të Kosovës, në Prishtinë.

    “Në bazë të ekstraktit kadastral mund të konfirmojmë që është zbatuar vendimi i Gjykatës Kushtetuese i vitit 2016 dhe Manastiri edhe në kadastër njihet si pronar i tokës së kontestuar më herët. Me këtë ne mundemi konkludojmë se procesi i kahershëm ligjor që është zhvilluar rreth 24 hektarëve tokë të Manastirit të Deçanit më në fund është zgjidhur”, thuhet në njoftim më 20 mars.

    Më 13 mars, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, njoftoi se i kishte kërkuar Agjencisë Kadastrale që të transferojë 24 hektarë tokë në emër të Manastirit të Deçanit. Ai tha se zbatimi i vendimit të Kushtetueses do të ishte vendimtar për aplikimin e Kosovës për anëtarësim në Këshillin e Evropës, gjatë Asamblesë Parlamentare të këtij institucioni, që do të mbahet në prill.

    Vendimi i Qeverisë së Kosovës ishte kritikuar nga zyrtarët lokalë në Deçan dhe një shoqatë e historianëve në këtë komunë, që e kanë cilësuar vendimin e Gjykatës Kushtetuese si të padrejtë.

  • BE-ja do të vendosë për nisjen e negociatave të anëtarësimit me Bosnjën

    BE-ja do të vendosë për nisjen e negociatave të anëtarësimit me Bosnjën

    Udhëheqësit e Bashkimit Evropian gjatë samitit të së enjtes dhe së premtes në Bruksel do të vendosin për nisjen e negociatave të anëtarësimit me Bosnje dhe Hercegovinën dhe do të bëjnë ftesë që të përgatitet korniza negociuese e bllokut për këto negociata.

    Vende anëtare veçse janë pajtuar që kjo të përfshihet në draftin e konkluzave të përgatitura për miratim në këtë samit, të cilin e ka parë Radio Evropa e Lirë.

    “Bazuar në rekomandimin e Komisionit Evropian nga 12 marsi i vitit 2024, Këshilli Evropian vendos të hapë negociatat e anëtarësimit me Bosnje e Hercegovinën. Këshilli Evropian fton që të miratohet korniza negociuese kur të ndërmerren hapat relevantë të caktuar, në rekomandimet e Komisionit nga 12 tetori i vitit 2022”, thuhet në draftin e këtyre konkluzave.

    Miratimi i kornizës është i domosdoshëm për të nisur negociatat e anëtarësimit me një shtet kandidat.

    Këshilli Evropian është niveli më i lartë i BE-së, ai i shefave të shteteve apo qeverive të vendeve anëtare. Ndërsa Këshilli i BE-së është niveli i ministrave dhe nivelet tjera. Pra, pas vendimit që pritet që të enjten nga niveli më i lartë të vazhdojë puna në Këshill para se të nisin negociatat e anëtarësimit me Bosnje e Hercegovinën.

    Më herët, shtatë shtete anëtare të BE-së, përmes një letre, kërkuan që në samitin e 21 dhe 22 marsit të miratohej vendimi për nisjen e negociatave të anëtarësimit me Bosnje e Hercegovinën. Ky grup shtetesh po ashtu ka tërhequr vërejtjen se dështimi për të miratuar një vendim të tillë do të dëmtonte besueshmërinë e bllokut evropian në rajonin e Ballkanit Perëndimor.

    Radio Evropa e Lirë ka pasur qasje në letrën e dërguar bashkërisht nga shtatë shtetet anëtare që kërkojnë nisjen e negociatave me Sarajevën.

    Letra është nënshkruar nga ministrat për Çështje Evropiane nga Austria, Kroacia, Greqia, Italia, Çekia, Sllovakia dhe Sllovenia.

    Përmes kësaj letre, këto shtete kanë argumentuar se Bosnje e Hercegovina në muajt e fundit ka bërë më shumë përparim në reforma sesa në disa vjet dhe se procesi i reformave po vazhdon me një ritëm të shpejtë.

    “Duke pasur parasysh këtë, mendojmë se është e domosdoshme të shfrytëzojmë këtë mundësi dhe të vendosim për hapjen e negociatave të anëtarësimit me Bosnje e Hercegovinën”, u tha në letër.

    “Një vendim i tillë do ta forcojë rrugën e Bosnje e Hercegovinës drejt BE-së dhe ta sjellë një hap më afër në integrimin në bllok. Nëse dështojmë të bëjmë këtë, atëherë kjo do të dobësonte rolin e BE-së në Ballkanin Perëndimor dhe do të dërgonte një sinjal negativ për gjithë rajonin, të cilit i kemi premtuar para 20 vjetësh se e ardhmja e tyre është në BE”, u tha në fund të kësaj letre.

    Bosnja e Hercegovina ka marrë statusin e vendit kandidat për anëtarësim në BE në dhjetor të vitit 2022. Në samitin e dhjetorit të vitit 2023, BE-ja kishte shprehur gatishmërinë për të nisur negociatat e anëtarësimit me Bosnje e Hercegovinën, me disa kushte. Ndërsa me 12 mars të këtij viti, Komisioni Evropian dha rekomandimin që të merret vendimi për nisjen e negociatave të anëtarësimit me Bosnje e Hercegovinën.

    Temat e tjera të samitit të BE-së

    Sa i përket temave tjera të zgjerimit, në këto konkluza do të përmenden vetëm Ukraina, Moldavia dhe Gjeorgjia.

    “Pas paraqitjes së draftit të kornizës negociuese për Ukrainën dhe Moldavinë, Këshilli Evropian fton Këshillin e BE-së që të vazhdojë punën”, thuhet në këtë draft.

    Propozimin për kornizën negociues për këto dy vende e ka paraqitur Komisioni Evropian. Por, ajo tani duhet të miratohet nga Këshilli, në mënyrë që të nisin negociatat e anëtarësimit.

    Sa i përket Gjeorgjisë, në konkluza thuhet se “Këshilli Evropian merr në dijeni vazhdimin e përpjekjeve aktuale dhe inkurajon këtë vend që të avancojë në reformat e mbetura si prioritet”.

    Gjeorgjia ka statusin e vendit kandidat, por jo edhe rekomandimin për nisjen e negociatave të anëtarësimit.

    Gjatë samitit dyditor, liderët e BE-së do të diskutojnë edhe për reformat që blloku duhet t’i bëjë para se të jetë në gjendje të pranojë vende të reja anëtare. Edhe kjo do të përfshihet në konkluzat që pritet të miratohen gjatë këtij samiti.

    “Këshilli Evropian shqyrtojë përgatitjet për zgjerim dhe reformave të brendshme duke rikujtuar se në të dy binarët duhet të avancohet paralelisht, për të siguruar që edhe vendet e ardhshme anëtare edhe BE-ja të jenë gati me kohë për anëtarësim. Këshilli Evropian do të adresojë reformat e brendshme në takimin a radhës me synimin që të miratojë deri në verën e vitit 2024 konkluzat për udhërrëfyesin për punën në të ardhmen”, thuhet në këtë draft.

    Në procesin e zgjerimit formalisht ndodhen dhjetë shtete. Nëntë prej tyre kanë statusin e vendit kandidat ndërsa. Kosova mbetet i vetmi shtet i cili ka aplikuar për anëtarësim në BE, por kjo kërkesë ende nuk është shqyrtuar formalisht.