ATV

Author: ATVLive

  • Deputetja e LDK-së: Të gjithë këta vrasës janë me të kaluar kriminale, shteti ishte në dijeni për dhunën ndaj grave

    Deputetja e LDK-së: Të gjithë këta vrasës janë me të kaluar kriminale, shteti ishte në dijeni për dhunën ndaj grave

    Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Rrezarta Krasniqi, ka reaguar pas vrasjes së grave në Ferizaj e Pejë, duke e quajtur të frikshme dhe të tmerrshme.

    Krasniqi ka thënë se vrasësit ishin me të kaluar kriminale dhe se shteti ka qenë në dijeni për dhunën ndaj grave.

    “Dy vrasje të grave brenda një jave në Kosovë. E frikshme. E tmerrshme. E papranueshme. Të gjithë këta vrasës janë me të kaluar kriminale, shteti ishte në dijeni për dhunën ndaj grave, është bashkëfajtor sistemi i drejtësisë. Të rizgjohet pushteti e të mos mjaftohet vetëm me deklarata. Vrasja e grave është urgjencë kombëtare”, ka shkruar Krasniqi.

  • Konjufca pas vrasjes në Pejë: Vërtetë e papranueshme që në shoqërinë tonë të ndodhin krime të cilat kryhen nga bashkëshortët

    Konjufca pas vrasjes në Pejë: Vërtetë e papranueshme që në shoqërinë tonë të ndodhin krime të cilat kryhen nga bashkëshortët

    Kryetari i kuvendit, Glauk Konjufca, ka reaguar pas rastit të vrasjes së një gruaje sot në Pejë nga bashkëshorti i saj, raporton EO.

    Konjufca tha se ajo që është urgjente dhe që duhet të ndodhë është konsolidimi i mekanizmave të sigurisë dhe gjyqësisë, që sipas tij, raste të tilla mos të ndodhin më.

    “Mendoj që gjithmonë institucionet e sigurisë duhet të mblidhen për raste te tilla. Është, mendoj edhe kjo arsye për faktin që vetëm këtë javë i patëm dy vrasje të grave, që është tronditëse edhe e trishtueshme kur ngrihesh në mëngjes edhe dëgjon se sa ishim duke e trajtuar rastin e Ferizajt ndodh edhe rasti i Pejës. Është vërtetë e pa pranueshme që në shoqërinë tonë të ndodhin krime të tilla të cilat kryhen nga bashkëshortët ose ish bashkëshortët edhe brenda institucioneve që janë për shërbime sociale. Unë dhashë mesazhin që patjetër duhet një konsolidim më i madh i institucioneve tona të sigurisë dhe drejtësisë. Sepse shumica prej kryerësve të krimeve edhe ajo që i ndodhi Marigonës më herët, edhe ajo në Ferizaj ndodhi prej një ish bashkëshorti apo bashkëshorti i cili ka të kaluar kriminale”, ka thënë ai.

  • Tahiri: Kultura e dhunës në pushtet e ushqen dhunën në shoqëri

    Tahiri: Kultura e dhunës në pushtet e ushqen dhunën në shoqëri

    Shefi i grupit parlamentar të PDK-së, Abelard Tahiri ka thënë se në vitin 2023 ka pasur rritje për 40 për qind të vrasjeve në Kosovë, shkruan Reporteri.net.

    Në postimin e bërë në Facebook, Tahiri ka thënë se kultura e dhunës në pushtet e ushqen dhunën në shoqëri.

    “Në pushtet e kemi një kryeministër dhe një ministër të brendshëm që deri dje e kanë sulmuar dhunshëm Policinë”, ka shkruar ai mes tjerash në Facebook.

    Postimi i plotë:

  • ​Rrëzohen propozimet serbe që anëtarësimi i Kosovës të kushtëzohet me themelimin e Asociacionit

    ​Rrëzohen propozimet serbe që anëtarësimi i Kosovës të kushtëzohet me themelimin e Asociacionit

    Asambleja Parlamentare e Këshillit të Evropës sot me 2/3 e votave të të gjithë deputetëve të pranishëm nga të gjitha shtetet anëtare, do të votojë rekomandimin për Këshillin Ministror për anëtarësimin e Republikës së Kosovës në Këshillin e Evropës.

    Siç po raportohet, Komiteti për Çështje Politike dhe Demokraci në Këshillin e Evropës i ka hedhur poshtë të gjitha amendamentet që u propozuan nga delegacioni serb dhe disa deputetë italianë e një hungarez që themelimi i Asociacionit të komunave me shumicë serbe të bëhet kusht për anëtarësimin e Kosovës në KiE.

    Në komitetet për çështje politike dhe demokraci të Këshillit të Evropës janë duke u diskutuar amendamentet që janë të përfshira në raportin e Dora Bakoyannis lidhur me çështjen e anëtarësimit të Kosovës në këtë institucion.

    Ky opinion i Bakoyannis pritet të votohet sot pasdite.

    Një votim i suksesshëm do të hapte rrugën për hapin final, vendimin e Këshillit Ministror, i cili mundësinë e parë për ta vendosur në agjendë anëtarësimin e Kosovës do ta kishte më 16 maj, kur Këshilli i Evropës shënon 75-vjetorin e themelimit.

    Kosova bëri një hap para në kërkesën e saj për anëtarësim në organizatën e të drejtave të njeriut në fund të muajit të kaluar kur Komiteti për Politikë dhe Demokraci i Këshillit të Europës ka miratuar raportin e raportueses për Kosovën, Dora Bakoyannis, ku thuhet që Kosova i ka përmbushur kushtet për t’u bërë anëtare e plotë e Këshillit të Evropës.

    Këtij votimi të suksesshëm i parapriu edhe urdhri i Qeverisë së Kosovës ndaj Kadastrit që t’ia regjistrojë tokën Manastirit të Deçanit, duke zbatuar kështu një vendim të Gjykatës Kushtetuese.

    Më 27 mars 2024, Komiteti për Politikë dhe Demokraci i Këshillit të Evropës ka miratuar raportin për Kosovën, ku rekomandohet që shteti ka përmbushur kushtet për t’u bërë anëtar i plotë i Këshillit të Evropës.

  • ​Vrasja në Pejë, flet Kryeprokurori: I dyshuari po intervistohet, çifti ka 3 fëmijë

    ​Vrasja në Pejë, flet Kryeprokurori: I dyshuari po intervistohet, çifti ka 3 fëmijë

    Sot, në orët e para të mëngjesit u raportua për vrasjen një gruaje një Pejë, që dyshohet se aktin e kreu bashkëshorti i saj.

    Lidhur me këtë rast, Kryeprokurori i Pejës, Agim Krumehaj ka deklaruar se të dyshuarit i është sekuestruar arma dhe se aktualisht është duke dhënë informacione lidhur me aktin.

    Për KP, Krumehaj tregoi se ende nuk dihen motivet e vrasjes dhe se i dyshuari gjendet në stacion policor, për çka po intervistohet lidhur me ngjarjen.

    Kurmehaj tha se ka qenë në vendin e ngjarjes, derisa e cilësoi si rast të rëndë, duke treguar se çifti janë prindër të tre fëmijëve.

    “Kryesorja është në stacion policor duke dhënë informata, për informata të sakta do të dalim tash pak më vonë me komunikatë, mos t’i paraprijë informatave të pa verifikuara. Kryesorja është i arrestuar, arma i është sekuestruar e kryerjes.. Pak më vonë do të dalim për informata shtesë…As motivi, nuk mund të prononcohem për motiv njëherë. Ka ndodhur rasti i vrasjes, unë kam qenë aty, rast shumë i rëndë, tre fëmijë i kanë pasur”, tha Kurmehaj.

    Ndërkaq, është raportuar se i dyshuari është dorëzuar në polici, duke pranuar se ka kryer vrasjen ndaj gruas së tij.

    Kolektivi për Mendim dhe Veprim Feminist pas vrasjes së një gruaje nga bashkëshorti i saj në Pejë kanë protestuar në Forumin për Gratë, Paqen dhe Sigurinë, që po mbahet nën organizimin e presidentes Vjosa Osmani.

    Ndërsa, nuk ka kaluar as një javë nga vrasja e 21 vjeçares në Ferizaj, që dyshohet se krimi u krye nga ish bashkëshorti i saj në Qendrën për Punë Sociale.

  • Vrasja e gruas në Pejë, drejtori i Policisë: Të gjithë njerëzit që kryejnë akte të tilla duhet të marrin dënimin e merituar

    Vrasja e gruas në Pejë, drejtori i Policisë: Të gjithë njerëzit që kryejnë akte të tilla duhet të marrin dënimin e merituar

    Një ngjarje e rëndë ka ndodhur mëngjesin e sotëm në Pejë.

    Dyshohet se një burrë e ka vrarë gruan e tij në banesën ku jetonin në rrugën “Bill Clinton” të këtij qyteti.

    I dyshuari është arrestuar nga organet e rendit dhe është sekuestruar arma e krimit.

    Në vendin e ngjarjes ka shkuar edhe drejtori i policisë Gazmend Hoxha.

    Hoxha para mediave tha se të gjithë njerëzit që kryejnë të tilla duhet merr dënimin e merituar.

    “Ajo se çfarë ne dimë është se nga viti 2021 nuk kemi raste të dhunës në familje në këtë familje. Tash ne po i analizojmë raportet tona dhe do të shohim se cili ka qenë roli dhe puna e policisë në këtë rast. Në qoftë se ka pasur ndonjë lëshim, normalisht secili do të vihet para përgjegjësisë”, tha Hoxha para mediave.

  • Osmani thotë se secili që beson në demokraci dhe të drejtat e njerëzve do të votojë pro Kosovës në KiE

    Osmani thotë se secili që beson në demokraci dhe të drejtat e njerëzve do të votojë pro Kosovës në KiE

    Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka deklaruar se përmes aplikimit të Kosovës për anëtarësim në Këshillin e Evropës, mund të jepet një mesazh i fortë nga Evropa.

    “Sot anëtarëve të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës u është dhënë mundësia për të dërguar një mesazh të fortë, që Evropa qëndron fuqishëm në angazhimin e saj për demokracinë dhe të drejtat e njerëzve”, është shprehur ajo.

    “Secili që beson vërtetë në një të ardhme me këto vlera, do të votojë në favor të anëtarësimit në Kosovës në KiE”.

    Pasditen e kësaj së marte do të zhvillohet debati dhe pritet të miratohet raporti nga asambleja. Paraprakisht nuk kanë kaluar disa amandamente të propozuara nga Serbia, si dhe një nga delegacioni italian për Asociacionin e Komunave Serbe.

  • Kalon në Komisionin për Arsim Projektligji për Provimin e Maturës, Nagavci: Evidentohet mundësia për të kopjuar

    Kalon në Komisionin për Arsim Projektligji për Provimin e Maturës, Nagavci: Evidentohet mundësia për të kopjuar

    Ministrja e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Arbërie Nagavci, ka deklaruar se nxënësit të së njëjtës klasë do të shpërndahen në Provimin e Maturës, në mënyrë që t’i ikin mundësisë së kopjimit, dukuri kjo që sipas tij ka ndodhur në të kaluarën, raporton Eo.

    Këtë deklarim, ministrja e Arsimit e ka bërë gjatë raportimit në Komisionin për Arsim, Shkencë, Teknologji, Inovacion, Kulturë, Rini dhe Sport, ku me shtatë vota për kaloi në lexim të parë Projektligji për Provimin e Maturës Shtetërore.

    Nagavci tha se ky vendim ka të bëjë me përjashtimin e mundësisë së kopjimit të Provimit të Maturës.

    “Ajo që kemi bërë dhe po mendojmë të bëjmë edhe në provimin e radhës është që kemi sjellë pjesërisht dixhitalizimin në aspekt të aplikimit online të sistemit të nxënësve në mënyrë se si do të vendosen ata në klasa. Nuk do të jenë të së njëjtës klasë në një klasë por kemi nxënës që do të shpërndahen në klasa të ndryshme që të mos kopjojnë me njeri-tjetrin por edhe një çështje që është e rëndësishme është edhe çështja e organizimit të masave që do të merren në rast të evidentimit të shkeljeve nga ana e ministrisë, menaxhereve edhe kështu me radhë të cilat e kane lejuar se në raste të caktuan edhe kanë përkrah kopjimin”, ka thënë Nagavci, teksa përmendi edhe komunat ku janë evidentuar shkelje të tilla.

    E sqarime për këtë Projektligj kërkoi, kryetari i Komisionit, Ardian Gola, njëherësh deputet i Lëvizjes Vetëvendosje.

    “Mendoj që është një Projektligj jashtëzakonisht i rëndësishëm. Në pikat që duhet menduar është ndarja e përqindjes së nxënësve për të sistemuar në arsimin e lartë. Suksesi është 30 për qind dhe 40 për qind është testi pranues, ndoshta këtu duhet me u fokusu më shumë se njëri prej problemeve kyçe është kur studentet janë gabimisht mandej edhe ambiciet që mund t’i kenë duke futur në sistem pa pasur përgatitje paraprake që marrin formë përmes përqindjes. Nëse këtu do të kishim mujt me bo një shpërndarje të mirë, besoj që do të kishim arrit me zgjedh një problem mjaft të madh”, tha Gola.

    Ndërsa ministrja Nagavci, tha se problem kyç mbetet kopjimi i testeve, teksa përmendi edhe rastet kur janë evidentuar shkelje të tilla.

    “Unë besoj që nuk ka të bëjë me përqindjen, dilemat që i kemi të gjithë por ka të bëjë me menaxhimin e testit gjerësisht në mungesën e përgjithësisë dhe llogaridhënies që ju besohet një detyrë shume e rëndësishme. Unë e përmenda, viteve të kaluar kemi pasur raste që janë evidentuar edhe në kohë reale se kush kanë qenë mësimdhënësit, profesorët që kanë qenë në klasë ku është bërë kopjimi dhe ku është bërë kopjimi i testeve. Kemi dërguar edhe njoftim që të marrin masa gjoba që duhet paguar në këtë rast”, u shpreh Nagavci.

  • Kusari-Lila pas tragjedisë në Pejë: Dënimi maksimal është minimumi për vrasësit

    Kusari-Lila pas tragjedisë në Pejë: Dënimi maksimal është minimumi për vrasësit

    Shefja e grupit parlamentar e Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari-Lila, ka reaguar pas vrasjes së gruas nga burri i saj në Pejë.

    Përmes një postimi në Facebook, Kusari-Lila, shkruan se vrasjet e dy grave brenda pak ditësh në Kosovë, është alarmante dhe tregon për çrregullim të rëndë social dhe një rrugë tranzicioni pa mekanizma sigurues në shoqërinë tonë në rrugëtimin drejt barazisë.

    “Viktima e dytë e femicidit në Kosovë brenda pak ditëve, nga Ferizaji në Pejë. Viktima e sotme prapë e vrarë nga bashkëshorti në shtëpinë e saj. Kjo është alarmante dhe tregon për çrregullim të rëndë social dhe një rrugë tranzicioni pa mekanizma sigurues në shoqërinë tonë në rrugëtimin drejt barazisë. Numër alarmant i burrave në shoqëri po e konsiderojnë të drejtën absolute deri në vrasje, ndaj gruas dhe kjo kërkon trajtim serioz në të gjitha nivelet”, ka shkruar ajo.

    Kusari-Lila, po ashtu tha se dënimi maksimal është minimumi për vrasësit, ndërsa ngushëlloi edhe familjen e gruas që u vra sot në Pejë.

    “Dënimi maksimal është minimumi për vrasësit, ndërsa trajtimi i normave shoqërore në thelbin e tyre duhet rishikuar dhe ridefinuar. Nuk mund të humbim vajzat dhe gratë ndaj dhunës së pakontroll që po shpërfaqet brutalisht çdo ditë e më shumë. Ngushëllime familjes të së ndjerës për humbjen e madhe”, shkroi Kusari-Lila.

  • Aktivistët e PSD-së dorëzojnë një plumb para Qeverisë, si shenjë proteste për vrasjet e grave në Kosovë

    Aktivistët e PSD-së dorëzojnë një plumb para Qeverisë, si shenjë proteste për vrasjet e grave në Kosovë

    Partia Socialdemokrate ka mbajtur të martën një aksion simbolik para ndërtesës së Qeverisë. Aktivistët e PSD-së, kanë dorëzuar një plumb në hyrje të objektit, si shenjë proteste për vrasjet e grave në Kosovë, raporton EO.

    Aktivistja e Partisë Socialdemokrate, Donjeta Demolli, tha se institucionet nuk po bëjnë mjaftueshëm për mbrojtjen e grave në Kosovë.

    “Përderisa kjo Qeveri dhe Presidenca po defilojnë nëpër samite të paqes duke i treguar botës se çka është paqja e duke kompozuar këngë në jetë paralele ku gratë po përballen me plumba është duke ndodhur në Kosovë. Kjo është treguesi më i qartë që performanca dhe simbolikat e Qeverisë dhe Presidencës nuk ua kanë nderuar jetën grave”, u shpreh ajo.