ATV

Author: ATVLive

  • ​Dështimi i referendumit në veri, konsiderohet se Kosovës do t’i bëhet presion për Asociacionin

    ​Dështimi i referendumit në veri, konsiderohet se Kosovës do t’i bëhet presion për Asociacionin

    “Kosovës do t’i shtohet presioni për themelimin e Asociacionit me qëllim të avancimit të marrëdhënieve”. Kështu konsiderojnë analistët politikë, pas dështimit të iniciativës për largimin e kryetarëve në veri.

    Të njëjtit vlerësojnë se në ditën e djeshme është vërejtur qartë ndikimi i Listës Serbe tek serbët lokalë në Mitrovicë të Veriut, Zveçan, Leposaviq e Zubin Potok.

    Ish-diplomati Blerim Canaj, në një prononcim për KosovaPress tha se procesi i djeshëm i votimit ishte një dështim, pasi sipas tij, vetëm shpërfaqi ndikimin e presidentit serb, Aleksandar Vuçiq e të Listës Serbe mbi serbët e Kosovës.

    Ai shtoi se me këto zgjedhje Kosova humbi 250 mijë euro teksa nuk arriti asgjë.

    “Është një dështim apo humbje e 250 mijë euro kot. Kjo çka tregon? Tregon thjesht ndikimin që ka Lista Serbe tek popullata serbe dhe tregon edhe një lloj unifikimi të pakicës serbe në ato komuna, që i bie që automatikisht duke marrë parasysh që Lista Serbe është një dorë e shtrirë e Vuçiqit, automatikisht tregon edhe ndikimin e Vuçiqit që e ka mbi veriun dhe serbët e Kosovës. I humbi Kosova 250 mijë euro edhe dështoi dhe çka arriti? Arriti që në ndërkohë pastaj të përdor në retorikën e saj politike atë se si serbët nuk po dëshirojnë që të shkarkojnë kryetarët, atë çka e dëgjuam nga kryeministri dhe presidentja”, shprehet ai për KosovaPress.

    Sipas tij, qeveria nuk ka strategji të qartë për integrimin e pakicave serbe në institucionet vendore.

    Argumenti kryesor pas kësaj situate, Canaj shton, se do të jetë themelimi i Asociacionit.

    Kështu mendon edhe profesori i shkencave politike, Dritëro Arifi, i cili konsideron se Kosovës do t’i shtohet presioni për zbatimin e Asociacionit.

    Megjithatë, Arifi thotë se Kosova do të duhej të shpërblehej me largimin e sanksioneve.

    “Presioni do të rritet për palën kosovare që zbatimi i Asociacionit të bëhet si kusht për avancimin e mëtutjeshëm. Por, në këtë pikë, po flasim vetëm për këtë rast për referendumin, Kosova do të duhej të shpërblehej me largimin e sanksioneve”, shprehet Arifi.

    Serbët, sipas tij, duhet të bashkëpunojnë me kryetarët aktual, pasi vetë refuzuan të mos marrin pjesë në procesin zgjedhor për shkarkimin e tyre.

    “Për fat të keq pala serbe apo qytetarët serbë e bojkotuan të tërë procesin dhe në njëfarë mënyre ata e shprehin publikisht që janë për vazhdimin e kryetarëve shqiptarëve në katër komunat veriore. Është një humbje e madhe për serbët në radhë të parë por edhe për shtetin e Kosovës sepse po vërehet që është problem politik dhe njëfarë problemi edhe integrimi i serbëve do të merr kohë jashtëzakonisht shumë. Bashkimi Evropian duhet të përçojë një mesazh të fuqishëm politik, ajo do të ishte largimi i masave shtrënguese për Kosovën sepse në njëfarë mënyre do t’u tregonte qytetarëve serbë në veri që bojkotimi dhe mos pjesëmarrja në integrim dhe në zgjedhje është sanksionim dhe sanksionimi më i mirë në thonjëza do të ishte largimi i masave për Kosovën, sepse kështu do të shpërblehej pala konstruktive”, deklaron Arifi.

    Ndërkaq, anëtari i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve nga radhët e PDK-së, Ilir Gashi, thotë se ky rezultat është në të mirën e kryetarëve aktual.

    Gashi thotë se kanë qenë të detyruar të organizojnë një proces që ka qenë i bazuar në Udhëzimin Administrativ të Qeverisë së Kosovës, për të cilin thotë se që nga fillimi thotë se ka qenë antikushtetues.

    “Procesi ka shkuar edhe qysh ka nisur prej fillimi, realisht ka dështuar si proces për faktin se nuk kemi pasur dalje të mjaftueshme ashtu siç e kërkon ligji. Prandaj, procesi është i dështuar dhe si i tillë ne e kemi konstatuar që nuk ka marrë vota të mjaftueshme për të realizuar procesin tjetër zgjedhor për largimin e kryetarit. Rezultati është ky që është, ndoshta ky rezultat është në të mirën e kryetarëve aktual që janë atje. Por, kostoja natyrisht gjithmonë është e lartë, nuk më mbetet mua ta vlerësojë nëse ja ka vlejtur barra që ndajmë, por ne kemi qenë të obliguar që të organizojmë një proces, i cili ka qenë i bazuar në një udhëzim administrativ, për të cilin kam menduar që nga fillimi që ky udhëzim është antikushtetues”, deklaron Gashi.

    Pas dështimit të procesit të djeshëm zgjedhor, kryetarët e kanë siguruar edhe një vit në krye të komunave, pasi i njëjti nuk mund të organizohet në 12 muajt e ardhshëm.

    Për këtë ka reaguar presidentja Vjosa Osmani, e cila e ka konsideruar si fatkeqësi bojkotimin e procesit të djeshëm. Ndërkaq, kryeministri Albin Kurti, është shprehur se rezultatet e votimit për shkarkim tregojnë se nuk ka vullnet për t’i shkarkuar kryetarët aktual.

    Edhe Ambasada Amerikane në Kosovë ka shprehur keqardhje për mos-pjesëmarrjen e serbëve në këtë proces zgjedhor.

    Thirrjen e Listës Serbe për bojkot, ambasadori gjerman Jorn Rohde e ka quajtur për keqardhje dhe shkatërrues.

    Të drejtë vote në katër komunat në veri kanë pasur mbi 46 mijë qytetarë, ndërkaq në total kanë votuar vetëm 265 prej tyre. /kp

  • Rezoluta e OKB-së për përkujtimin e gjenocidit të Srebrenicës, propozohet të miratohet në Kuvendin e Kosovës

    Rezoluta e OKB-së për përkujtimin e gjenocidit të Srebrenicës, propozohet të miratohet në Kuvendin e Kosovës

    Nënkryetari i Kuvendit të Kosovës, Enver Hoxhaj tha se në mbledhje të kryesisë ka propozuar që në ditën kur Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara aprovon rezolutën për “Ditën Ndërkombëtare të Kujtimit dhe Përkujtimit të Gjenocidit të vitit 1995 në Srebrenicë”, të njëjtën rezolutë ta mbështesë edhe Kuvendi i Kosovës.

    “Duke mos qenë anëtare e OKB-së ku do të ishim përkrahës të natyrshëm të kësaj rezolute, kjo është mënyra më e mirë për Kosovën që t’i bashkohet botës demokratike në dënimin dhe përkujtimin e gjenocidit në Srebrenicë. Ballafaqimi me të kaluarën është më se i nevojshëm dhe politika gjenocidale dhe serbomadhe e Beogradit ndaj Kosovës, Bosnjës dhe Kroacisë, duhet të ndëshkohet dhe përkujtohet, me qëllim që ajo kurrë të mos rikthehet në rajon”, tha Hoxhaj.

  • E konfirmon Policia: Një 60 vjeçar gjendet i vdekur në rrugën “Ukshin Kovaçica” në Vushtrri

    E konfirmon Policia: Një 60 vjeçar gjendet i vdekur në rrugën “Ukshin Kovaçica” në Vushtrri

    Një person ka mbetur i shtrirë në tokë në rrugën Ukshin Kovaçica në Vushtrri.

    I vdekur është gjetur një mashkull 60 vjeçar.

    Kështu ka konfirmuar për “Mitropol” zëdhënësi i Policisë për rajonin e Mitrovicës, Ilmi Prekazi.

    “Në vendin e ngjarjes ka arritë një njësi e Emergjencës, të cilët kanë konfirmuar se personi në fjalë është pa shenja jete”, tha Prekazi.

    Njësitë kompetente kanë dalur në vendin e ngjarjes dhe janë duke u marrë me hetimin e rrethanave të rastit.

  • Pak para takimit të Këshillit të Sigurimit, Osmani takohet me ambasadorin amerikan, Robert A. Wood

    Pak para takimit të Këshillit të Sigurimit, Osmani takohet me ambasadorin amerikan, Robert A. Wood

    Presidentja e Republikës së Kosovës Vjosa Osmani, para fillimit të mbledhjes së Këshillit të Sigurimit është takuar me ambasadorin Robert A. Wood.

    Osmani ka thënë se e ka informuar lidhur me zhvillimet e fundit të sigurisë dhe kanë diskutuar për rëndësinë e bashkëpuninimit, raporton EO.

    “Përpara takimit të OKB-së sot, u takova me ambasadorin Robert A. Wood. E informova për zhvillimet e fundit të sigurisë dhe diskutuam rëndësinë e bashkëpunimit të vazhdueshëm me aleatët për të trajtuar sfidat e përbashkëta”, ka thënë Osmani në X.

  • Në Gllarevë protestohet kundër punimeve në rrugën Prishtinë-Pejë, protestuesit kapen me policët

    Në Gllarevë protestohet kundër punimeve në rrugën Prishtinë-Pejë, protestuesit kapen me policët

    Tre persona janë arrestuar sot në Gllarevë të Klinës, pasi dyshohet se gjatë një proteste kanë penguar punimet në rrugën Prishtinë- Pejë.

    Protestuesit sot në Gllarevë kanë dalë në rrugë për pakënaqësitë që kanë në lidhje me ndërtimin e rrugës magjistrale Prishtinë- Pejë.

    Në pamjet e publikuara nga mediat lokale shihet se disa protestues edhe janë përleshur me policët që po qëndronin aty.

    Arrestimin e disa nga protestuese e ka konfirmuar zëdhënësi i Policisë për rajonin e Pejës, Driton Rugova.

    “Sot janë arrestuar 3 persona në Gllarevë, të njëjtit gjatë protestës kanë penguar punimet në rrugë”, tha Rugova.

  • Begaj pret në Presidencë pjesëmarrësit e Kursit të Lartë të Sigurisë dhe Mbrojtjes

    Begaj pret në Presidencë pjesëmarrësit e Kursit të Lartë të Sigurisë dhe Mbrojtjes

    Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Bajram Begaj, priti sot në presidencë pjesëmarrësit e Kursit të Lartë të Sigurisë dhe Mbrojtjes, përfaqësues nga vende të ndryshme të NATO-s dhe ato partnere. Presidenti i Republikës theksoi gjatë këtij takimi se Shqipëria është promovuese e paqes dhe sigurisë në rajon e me gjerë nëpërmjet politikës së dialogut, bashkëpunimit dhe mirëkuptimit.

    Gjithashtu, Begaj theksoi se Shqipëria beson dhe ka treguar në angazhimet e saj ndërkombëtare se multilateralizmi është mekanizmi i duhur që ofron zgjidhje të pranueshme në përballje me sfidat e përbashkëta të vendeve tona në fushën e sigurisë dhe mbrojtjes.

    Kryetari i Shtetit përcolli vizionin e tij për Shqipërinë e sëardhmes në përgjigje të interesit të studentëve të këtij kursi. Ai u shpreh se e sheh Shqipërinë të vendosur drejt realizimit tëobjektivave dhe ëndrrës shqiptare të kamotshme Euroatlantike.

    Pjesëmarrësit në Kursin e Lartë të Sigurisë dhe Mbrojtjes u njohën nga Këshilltarët e Kreut të Shtetit me rolin dhe funksionet e Presidentit në një Republikë Parlamentare, si edhe në politikën e jashtme dhe atë të Sigurisë dhe Mbrojtjes.

  • Mbeturinat e plastikës problem global – Mbjellja e fidanëve e reduktimi i qeseve, kontribues në ruajtjen e mjedisit

    Mbeturinat e plastikës problem global – Mbjellja e fidanëve e reduktimi i qeseve, kontribues në ruajtjen e mjedisit

    Para kampusit të universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina”, me rastin e Ditës së Tokës është zbuluar instilacioni “Muri apo premtimi i prirtë”, i ndërtuar përmes përdorimit inovativ të plastikës së ricikluar, që shërben si një reflektim mbi ndërgjegjen tonë mjedisore dhe nevojën urgjente për praktika të qëndrueshme.

    Motoja e sivjetme është “Planeti kundër plastikës”, pasi mbeturinat e plastikës konsiderohen se janë bërë problem global.

    Ministri i Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Liburn Aliu, tha se problemi global me mbeturinat e plastikës vërehet edhe në vendin tonë, sidomos gjatë vërshimeve.

    Për këtë arsye, Aliu përmendi vendimin për reduktimin e qeseve të plastikes.

    “Sot është 22 Prilli, Dita Botërore e Tokës dhe për këtë vit motoja është ‘planeti kundër plastikës’, që i bie se çështjet e mbeturinave të plastikës janë bërë problem global dhe i tërë planeti është duke u ballafaquar me ndotje masive e cila po ja zë frymën dhe po e shkatrrën planetin tonë. Natyrisht që situata nuk është më e mirë në vendin tonë sado që mund të mos duket në sy të parë kur të kemi vërshime përpos që na bie ndërmend që ndryshimet klimatike po na ndikojnë edhe ne i shohim edhe mbeturina plastikës që na vërshojnë bashkë me vërshimet e ujit e që kuptojmë qeset e plastikës dhe shishet e plastikës i lemë dhe i hedhim kudo dhe nuk kemi arrit të ndërtojmë ende një sistem të mirëfilltë të menaxhimit të mbeturinave. Kjo ka qenë edhe detyra themelore e Ministrisë sonë që krahas strategjisë dhe ndërtimit të mekanizmave të marrim edhe hapat konkret për reduktimin e qeseve të plastikes dhe krijimin e mekanizimit respektivisht sistemit”, u shpreh Aliu.

    Ministri i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Faton Peci, tha se dikasteri i tij po kontribuon në masë të madhe në ruajtjen e mjedisit në vend. Ai përmendi edhe aksionin për mbjelljen e 1 milion fidanëve në tërë Kosovën përgjatë periudhës 2021 – 2022.

    “Sot, ne Ditën Ndërkombëtare të Tokës, le të rifreskojmë përkushtimin tonë për të mbrojtur, kujdesur dhe restauruar mjedisin që na rrethon. Kjo datë simbolizon më shumë se një ngjarje vjetore, ajo shërben si një kujtesë e pandërprerë për përgjegjësinë tonë ndaj Tokës – shtëpisë sonë të përbashkët. Mbrojtja e tokës, e pyjeve dhe e gjithë ekosistemeve që na mbështesin nuk është vetëm një detyrim, por një domosdoshmëri”.

    “Së bashku me Presidenten Osmani dhe Ministrin Aliu dhe partnere vendore e ndërkombëtare kemi iniciuar nismën për 1 milion fidane në tërë Kosovën përgjatë periudhës se mbjelljeve 2021 – 2022. Agencioni Pyjor i Kosovës vazhdon me aksionet e rregullta të pyllëzimit, dhe deri me tani janë pyllëzuar afro 1, 5 milionë fidane në një sipërfaqe prej 563 ha (2021, 2022, 2023, kurse ne vjeshtën e këtij viti janë planifikuar të pyllëzohen 100 ha me mirëmbajtje. Në kuadër të partneriteteve ndërkombëtare për herë të parë kemi arritur të krijojmë 7 njësi emergjente në Zyrat Rajonale të APK-së te cilat parashihen të reagojnë në monitorimin, parandalimin dhe shuarjen e zjarreve pyjore ne raste emergjente. Përmes këtyre nismave, ne jemi të angazhuar për të ndërtuar një të ardhme më të qëndrueshme dhe me të gjelbër për të gjithë duke ruajtur pasuritë tona natyrore”, u shpreh Peci.

  • Në ministrinë e Mbrojtjes shënohet Dita e Komunitetit Turk

    Në ministrinë e Mbrojtjes shënohet Dita e Komunitetit Turk

    Në Ministrinë e Mbrojtjes u shënua Dita e Komunitetit Turk, ku u organizua pritje zyrtare për ushtarakët dhe zyrtarët e Ministrisë së Mbrojtjes dhe FSK-së nga ky komunitet.

    Në këtë ceremoni morën pjesë ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, zëvendësministri i Mbrojtjes, Adnan Rexhepllar, zëvendëskomandanti i FSK-së, gjeneralmajor Enver Cikaqi, ambasadori i Turqisë në Kosovë, Sabri Tunç Angili, ministri i Zhvillimit Rajonal, Fikrim Damka, dhe shefi grupit parlamentar multietnik, Enis Kervan.

    Maqedonci në këtë ditë theksoi se komuniteti turk gëzon një respekt të veçantë të cilët e kanë fituar me punën dhe përkushtimin e tyre në institucionet e Kosovës. Ai shprehu angazhimin e tij maksimal që në ministrinë e Mbrojtjes dhe FSK të rritet numri i pjesëtarëve të komuniteteve pakicë, duke përfshirë dhe komunitetin turk, bën me dije ministria përmes një postimi në Facebook.

    Ndërsa, zëvendëskomandanti i FSK-së, gjeneralmajor Enver Cikaqi, theksoi se historia e angazhimit të komunitetit turk dhe kontributi i këtij komuniteti është në të gjitha fazat e krijimit të shtetit tonë dhe veçanërisht në ndërtimin e FSK-së.

    Ai nënvizoi se pjesëtarët e komunitetit turk brenda FSK-së shërbejnë si një urë lidhëse e fuqishme në mes të Kosovës dhe Republikës së Turqisë.

    Të pranishmëve në këtë ceremoni gjithashtu me një fjalë rasti iu drejtuan edhe ambasadori i Republikës së Turqisë në Kosovë, Cagri Sakar, Sabri Tunç Angili, ministri i Zhvillimit Rajonal, Fikrim Damka dhe shefi grupit parlamentar multietnik, Enis Kervan.

  • Mira Murati dhe Lulzim Tafa zgjidhen anëtarë të Akademisë së Shkencave të Shqipërisë

    Mira Murati dhe Lulzim Tafa zgjidhen anëtarë të Akademisë së Shkencave të Shqipërisë

    Asambleja e Përgjithshme e Akademisë së Shkencave të Shqipërisë i ka zgjedhur sot anëtarë të jashtëm të kësaj akademie Mira Muratin, Kryeshefe në OpenAI dhe Lulzim Tafën, poet i mirënjohur nga Kosova.

    Mira Murati, është një nga shqiptaret më me ndikim në fushën e teknologjisë, e cila u bë e njohur për publikun botëror për rolin e saj në inteligjencën artificiale (AI) dhe sukseset e arritura në fushën e teknologjisë, si kryeshefe në OpenAI.

    Ndërsa, poeti Lulzim Tafa, është i njohur për artin e tij, si njëri ndër poetët shqiptarë më të përkthyer në botë, njëherësh laureat i shumë çmimeve ndërkombëtare. Ai ka fituar dhjetëra çmime prestigjioze ndërkombëtare për letërsi, ndërsa mban shumë tituj nderi në akademi e universitete botërore. Së fundmi, Lulzim Tafa, u dekorua edhe nga presidenti francez, Emanuel Macron, me dekoratën “Oficer i Urdhërit Kombëtar të Letrave dhe Arteve”, që është dekorata më e lartë të cilën shteti francez e ndan në fushën artit dhe letërsisë.

    Krahas, Mira Muratit e Lulzim Tafës, në Asamblenë e Përgjithshme të Akademisë së Shkencave të Shqipërisë, si anëtarë të saj u zgjodhën edhe Lea Ypi, Gëzim Alpio dhe Angjelin Perljucaj.

  • Nisin negociatat midis Real Madridit dhe Bayern Munichut rreth një shkëmbimi lojtarësh

    Nisin negociatat midis Real Madridit dhe Bayern Munichut rreth një shkëmbimi lojtarësh

    Pritet të ketë lëvizje të mëdha gjatë këtij afati kalimtar të verës.

    Real Madridi, ka kohë që ka shprehur interesim që ta sjellë mbrojtësin e krahut të Bayern Munichut, Alphonso Davies.

    Davies, ka kontratë deri më 2025 dhe sipas raportimeve të disa mediave, mbrojtësi dëshiron të largohet po këtë verë.

    Andaj “Galaktikët”, kanë ofruar një shkëmbim mes Davies dhe Ferland Mendyt për të gjetur një akord që kënaqë të dy palët.

    Davies, iu bashkua Bayern Munichut nga Vancouver Whitecaps në vitin 2019 dhe ka bërë gjithsej 189 paraqitje ku ka shënuar 9 gola dhe ka bërë 29 asiste në të gjitha kompeticionet.

    Lojtari kanadez, fillimisht ka qënë sulmues i krahut të majtë por pas ardhjes së Flick në pozitën e trajnerit ai ndryshoi pozitën në mbrojtës të majtë, ndryshim kjo i cili bëri Davies të jetë një ndër më të mirët ku dhe u bë i pari kanadez që fitoi Ligën e Kampionëve.