ATV

Author: A.P.

  • Netflix zbulon premierën e sezonit të pestë të “Emily in Paris”, Emily zhvendoset në Romë për aventura të reja

    Netflix zbulon premierën e sezonit të pestë të “Emily in Paris”, Emily zhvendoset në Romë për aventura të reja

    Netflix ka publikuar premierën e shumëpritur të sezonit të pestë të serialit hit “Emily in Paris”, që do të shfaqet më 18 dhjetor 2025. Këtë herë, Emily, e interpretuar nga Lily Collins, lë pas Parisin dhe nis një kapitull të ri në Romë, ku përballet me sfida profesionale dhe emocionale që do t’i ndryshojnë jetën.

    Sipas përshkrimit zyrtar, Emily tashmë është në krye të agjencisë “Agence Grateau Rome” dhe përpiqet të ruajë ekuilibrin mes karrierës dhe dashurisë. Një ide që shkon keq sjell tensione të forta në punë, ndërsa një sekret i pazbuluar rrezikon të prishë një nga marrëdhëniet e saj më të rëndësishme. Gjatë këtij udhëtimi të ri, ajo mëson të përqafojë mënyrën franceze të jetesës edhe përtej kufijve të Francës, duke gjetur forcë, ndershmëri dhe lidhje të reja njerëzore.

    Përveç Lily Collins, në kast rikthehen emra të njohur si Philippine Leroy-Beaulieu, Ashley Park, Lucas Bravo, Samuel Arnold dhe William Abadie, ndërsa aktorë të rinj si Eugenio Francescini, Thalia Besson dhe Minnie Driver do t’i japin sezonit një frymë të freskët.

    “Emily in Paris” pritet të kthehet në një nga prodhimet më të komentuar të fundvitit, duke sjellë për shikuesit romancë, humor dhe dramë në zemër të Italisë, aty ku dashuria dhe ambicia takohen në mënyrën më të papritur.

  • Selvije Jao konfirmon ndarjen nga Shpat Kasapi: “Jemi ndarë prej më shumë se 6 muajsh”

    Selvije Jao konfirmon ndarjen nga Shpat Kasapi: “Jemi ndarë prej më shumë se 6 muajsh”

    Këngëtarja e njohur Selvije Jao ka thyer më në fund heshtjen, duke konfirmuar për publikun se është ndarë nga partneri i saj, Shpat Kasapi. Lajmin e bëri të ditur përmes një postimi në rrjetet sociale, ku theksoi se ndarja ka ndodhur prej disa muajsh dhe se tashmë do të ndjekë rrugë ligjore ndaj atyre që po cenojnë privatësinë e saj.

    Prej javësh, në rrjetet sociale qarkullonin thashetheme për një krizë në çift, por as Selvije e as Shpati nuk kishin reaguar. Këngëtarja shpjegoi se ka zgjedhur të heshtë për shkak të ndjeshmërisë së situatës, por tashmë ndjeu nevojën të sqarojë publikisht:

    “Nuk kam folur asnjëherë publikisht për ndarjen me Shpatin, por e shoh që njerëzit kanë kaluar çdo kufi që unë mund të toleroj.”

    Në postimin e saj, Selvije konfirmoi përfundimisht ndarjen:
    “Unë dhe Shpati jemi të ndarë prej më shumë se 6 muajsh. Çdo gjë që bëjmë është vetëm për Roelin, me mirëqenien e një engjëlli që në këtë mes nuk ka asnjë faj. Nuk e kemi më në plan të jemi çift, sado e dhimbshme të tingëllojë, ndoshta për ne ky është vendimi i duhur.”

    Ajo shtoi se mes tyre mbetet respekti dhe mirënjohja për vitet e kaluara bashkë:
    “Ai do të mbetet njeriu më i afërt për mua, me të cilin kemi ndarë një copë bukë dhe kemi një fëmijë bashkë.”

    Në fund, këngëtarja i është drejtuar ndjekësve me një apel për respekt dhe maturi:
    “Ajo që më pengon janë njerëzit që kanë kaluar çdo limit me mesazhe, komente dhe shtirjen sikur jam unë. Çdo cenim i privatësisë do të ndiqet ligjërisht, gjithçka është lënë në duart e organeve kompetente.”

    Me këto fjalë, Selvije kërkoi që publiku të respektojë vendimin e saj dhe të Shpatit, duke kujtuar se përtej çdo lajmi, qëndron një familje dhe një fëmijë që meriton qetësi.

  • “Perfect Days”, skena e heshtur që preku botën: Kōji Yakusho shpërthen në lot të vërtetë gjatë xhirimeve

    “Perfect Days”, skena e heshtur që preku botën: Kōji Yakusho shpërthen në lot të vërtetë gjatë xhirimeve

    Një nga momentet më të paharrueshme të filmit “Perfect Days” (2023) të regjisorit të njohur Wim Wenders nuk vjen nga një skenë dramatike apo dialog i fuqishëm, por nga një çast i heshtur që përçon më shumë ndjenjë se çdo fjalë.

    Filmi rrëfen historinë e Hirayama-s (luajtur nga Kōji Yakusho), një pastrues tualetesh në Tokio, që gjen bukurinë e jetës përmes rutinës dhe gjesteve të vogla të përditshme.

    Në një prej skenave më të komentuara, Hirayama ulet vetëm në furgonin e tij pas pune dhe dëgjon këngën “Perfect Day” të Lou Reed. Kamera qëndron gjatë mbi fytyrën e tij pa dialog, pa lëvizje, vetëm reflektim dhe qetësi.

    Gjatë xhirimeve, Wenders i dha aktorit një udhëzim të vetëm:
    “Mos luaj. Kujto dikë që e ke dashur dhe e ke humbur.”

    Teksa muzika filloi, Yakusho mbylli sytë dhe u përfshi nga emocioni. Lotët i rrëshqitën ngadalë në faqe, edhe pse skenari nuk e parashikonte një moment të tillë. Kur regjisori tha “ndal”, askush në set nuk foli. Të gjithë e kuptuan se kishin parë diçka të vërtetë.

    Më vonë, Wenders tha:
    “Ajo nuk ishte aktrim. Ishte e vërtetë. Në atë heshtje, Kōji mbajti kuptimin e tërë filmit.”

    Yakusho, i njohur për thjeshtësinë dhe përulësinë e tij, tregoi se gjatë asaj skene kishte menduar për babain e ndjerë për mungesën e një lamtumire që e kishte ndjerë thellë.
    “Emocioni që shihni në ekran,” tha ai, “është i imi, jo i personazhit.”

    Kjo skenë, e qetë dhe e ndjerë, u bë zemra e “Perfect Days” një film që gjen madhështinë në të zakonshmen dhe ndjenjën e shenjtë në një lot të sinqertë njerëzor.

  • Muzeu Arkeologjik i Vlorës, dëshmi e rrallë e trashëgimisë sonë kulturore

    Muzeu Arkeologjik i Vlorës, dëshmi e rrallë e trashëgimisë sonë kulturore

    88 vite histori, Muzeu Arkeologjik i Vlorës, ndër institucionet e para të trashëgimisë shqiptare

    Më 8 tetor 1936, në qytetin bregdetar të Vlorës u çel Muzeu Arkeologjik, institucioni i parë shqiptar i këtij lloji, që në atë kohë u pagëzua me emrin “Zogu I”, në nder të monarkut të vendit.

    Godina e muzeut mbante në vetvete një simbolikë të veçantë, pasi më herët kishte shërbyer si seli e qeverisë së përkohshme të Vlorës, aty ku Ismail Qemali mblodhi kabinetin e tij qeveritar menjëherë pas shpalljes së Pavarësisë më 1912.

    Muzeu u krijua falë bashkëpunimit me misionin arkeologjik francez, të udhëhequr nga arkeologu Leon Rey, i cili zhvilloi gërmime në Apoloni. Eksponatet e para që pasuruan sallat e muzeut ishin pikërisht statujat, kolonat, enët e qeramikës dhe monedhat e zbuluara në këtë qytet antik.
    Në katin e parë u ekspozuan veprat monumentale të zbuluara në Apoloni, ndërsa kati i sipërm u dedikua objekteve të vogla arkeologjike, si terrakota, figura e qeramika të rralla.

    Por lavdia e tij zgjati pak. Me nisjen e Luftës së Dytë Botërore, ndërtesa u bombardua nga ushtria italiane dhe më pas u plaçkit, duke humbur shumë prej artefakteve me vlerë të jashtëzakonshme historike.
    Arkeologu Leon Rey reagoi ashpër ndaj kësaj ngjarjeje, duke botuar një notë proteste në revistën e tij “Albania”.

    Sot, pjesë të koleksionit të shpëtuar gjenden në Muzeun Historik Kombëtar, Muzeun Arkeologjik të Tiranës, Muzeun Historik të Vlorës dhe në Muzeun e Parkut Arkeologjik të Apolonisë dëshmi të gjalla të një epoke që shënoi fillesat e arkeologjisë shqiptare.

  • Pas më shumë se tre vitesh nga “BBVIP”, Efi Dhedhes flet hapur për raportet me Luizin dhe Oltën

    Pas më shumë se tre vitesh nga “BBVIP”, Efi Dhedhes flet hapur për raportet me Luizin dhe Oltën

    Efi Dhedhes, “Nuk kam mllef për askënd, ajo periudhë ka qenë shumë e bukur”

    Edhe pse kanë kaluar më shumë se tre vite nga përfundimi i sezonit të dytë të “Big Brother VIP Albania”, Efi Dhedhes vijon të mbetet një nga ish-banorët më të komentuar dhe më të ndjekur të këtij formati. Energjia dhe sinqeriteti i saj e kanë bërë një prej figurave që publiku ende e kujton me nostalgji.

    Në një deklaratë të fundit, Efi ka reflektuar për eksperiencën e saj në shtëpinë më të famshme, marrëdhëniet që krijoi aty dhe mënyrën se si publiku vazhdon ta lidhë me personazhe si Luiz Ejlli dhe Olta Gixhari.

    “Ka komente, jo për Oltën, për Luizin më shumë. Ka akoma njerëz që kanë ngelur para tre vitesh. Unë nuk kam mllef për njeri. Çfarë ka kaluar ka qenë shumë e bukur. Nuk e fshijmë dot,” u shpreh ajo me sinqeritet.

    Efi tha se përvoja në “Big Brother VIP” ka qenë një periudhë që e ka ndihmuar të rritet personalisht dhe profesionalisht, duke mësuar të përballet me famën dhe gjykimin publik.

    “Ajo periudhë më ka forcuar shumë. Kam mësuar të mos reagoj ndaj çdo komenti dhe të mos e lejoj askënd të më ulë shpirtin. Çdo përvojë, edhe ajo më e vështira, më ka bërë më e fortë dhe më e ndërgjegjshme për veten,”, shtoi Efi.

    Në fund, ajo u ndal edhe te raportet me ish-banorët e shtëpisë, duke theksuar se sot nuk mban më asnjë ndjenjë negative ndaj askujt.

    “Unë nuk kam mllef për askënd. Gjithçka që ka ndodhur aty, ka qenë pjesë e një eksperience që sot e shoh me buzëqeshje. Ka qenë një periudhë shumë e bukur që s’mund ta fshijmë dot,”, përfundoi ajo.

  • Blerta Basholli nis xhirimet e filmit “DUA”, pas suksesit ndërkombëtar të “Zgjoi”

    Blerta Basholli nis xhirimet e filmit “DUA”, pas suksesit ndërkombëtar të “Zgjoi”

    Blerta Basholli rikthehet me filmin e ri “DUA” – një histori e ndjeshme për rritjen dhe identitetin në Kosovën e viteve ’90

    Regjisorja e njohur Blerta Basholli, e cila fitoi vëmendjen e botës me filmin “Zgjoi”, është rikthyer pas kamerës me projektin e saj më të ri kinematografik me metrazh të gjatë, me titull “DUA”.

    Filmi është një dramë me motive “coming of age”, që zhvillohet në Kosovën e viteve 1990 dhe sjell historinë e një vajze të re që përballet me sfidat e rritjes në një periudhë të trazuar politike e shoqërore. Rrëfimi frymëzohet nga përvojat personale të vetë regjisores, duke premtuar një film të thellë dhe emocional.

    Xhirimet e “DUA” kanë nisur më 4 tetor dhe do të zgjasin deri më 19 nëntor, për një periudhë prej 35 ditësh xhirimi.

    Filmi është një bashkëprodhim ndërkombëtar mes Kosovës, Zvicrës dhe Francës, me Valon Bajgorën dhe Yll Ukën nga Ikonë Studio si producentë kryesorë, ndërsa bashkëproducentë janë Britta Rindelaub dhe Thomas Reichlin nga Alva Film (Zvicër), si dhe Amaury Ovise nga Kazak Productions (Francë).

    Në kastin aktorik marrin pjesë emra të njohur dhe të rinj të kinemasë kosovare, si Pinea Sylejmani, Yllka Gashi, Kushtrim Hoxha, Kaona Sylejmani, Andi Bajgora, Vlera Bilalli dhe Fiona Abdullahu.

    Me “DUA”-n, Blerta Basholli pritet të sjellë një tjetër histori të fuqishme dhe autentike, duke vazhduar rrugëtimin e saj në afirmimin e kinemasë kosovare në skenën ndërkombëtare të filmit.

  • Baleti Kombëtar i Kosovës gati për premierën e radhës: “Bolero & A L’Oriental”

    Baleti Kombëtar i Kosovës gati për premierën e radhës: “Bolero & A L’Oriental”

    Baleti Kombëtar i Kosovës sjell premierën “Bolero & A L’Oriental”, një udhëtim artistik mes elegancës dhe orientit

    Baleti Kombëtar i Kosovës ka njoftuar premierën e radhës për këtë vit, e cila do të mbahet më 24 tetor 2025, me titullin “Bolero & A L’Oriental”. Ky do të jetë projekti i katërt premierë i trupës për vitin aktual, duke pasuruar edhe më tej repertorin artistik të institucionit.

    Krijimi vjen nën drejtimin e koreografit me famë ndërkombëtare Mehmet Balkan, i cili, së bashku me asistenten e tij Lale Balkan, ka përgatitur një shfaqje të ndarë në dy pjesë që premton të magjepsë publikun.

    “Bolero & A L’Oriental” synon të ndërthurë elegancën e baletit klasik me elemente dhe ritme orientale, duke ofruar një përvojë vizuale dhe emocionale të rrallë në skenën kosovare.

    Publiku pritet të përjetojë një mbrëmje plot art, ndjesi dhe harmoni lëvizjesh që bashkojnë lindjen dhe perëndimin në një spektakël të vetëm.

  • “Ishte veç shaka”, por 13-vjeçari përfundon në pranga pas pyetjes drejtuar ChatGPT

    “Ishte veç shaka”, por 13-vjeçari përfundon në pranga pas pyetjes drejtuar ChatGPT

    Arrestohet 13-vjeçari në SHBA pasi pyeti ChatGPT si të vriste shokun e klasës

    Një ngjarje tronditëse ka ndodhur në një shkollë të mesme në SHBA, ku një 13-vjeçar është arrestuar pasi i kërkoi ChatGPT mënyra për të vrarë shokun e tij të klasës – në mes të orës së mësimit.

    Adoleshenti e bëri kërkimin në laptopin e shkollës, por sistemi i monitorimit “Gaggle” e zbuloi menjëherë dhe njoftoi autoritetet. Oficeri i sigurisë e përballi nxënësin në vend, ndërsa ai u justifikua duke thënë se “ishte thjesht një shaka”. Pavarësisht kësaj, policia e arrestoi dhe e dërgoi në komisariatin lokal.

    Pamjet e momentit kur i mituri shoqërohet me pranga janë bërë virale në rrjetet sociale.

    “Një tjetër ‘shaka’ që përfundon në emergjencë. Prindër, flisni me fëmijët tuaj që të mos bëjnë të njëjtin gabim,” tha Zyra e sherifit për median amerikane WFLA.

    Opinioni publik është ndarë më dysh. Disa e mbështetën reagimin e autoriteteve duke theksuar se “është më mirë të parandalosh sesa të pendohesh”, ndërsa të tjerë e cilësuan arrestimin si të ekzagjeruar, duke shtuar se “bëhej fjalë për një shaka pa qëllim të keq”.

    Ngjarja ka hapur një debat të gjerë në SHBA për kufirin mes sigurisë dhe privatësisë së nxënësve në epokën e inteligjencës artificiale.

  • Kujtimi që nuk u fshi kurrë, fotoja e Kiarës dhe Butrintit rikthehet në qendër të vëmendjes

    Kujtimi që nuk u fshi kurrë, fotoja e Kiarës dhe Butrintit rikthehet në qendër të vëmendjes

    Fotoja që s’u fshi kurrë: Babai i Butrint Imerit ruan kujtimin me Kiara Titon

    Prezantuesja e njohur shqiptare Kiara Tito, dikur ishte në një lidhje dashurie me këngëtarin kosovar Butrint Imeri, histori që bëri shumë zhurmë në mediat rozë, por që përfundoi pas një kohe të shkurtër.

    Sot, jeta e Kiarës ka marrë një tjetër drejtim, ajo është e martuar dhe nënë e një vajze, ndërsa Butrinti ka vijuar karrierën e tij muzikore me projekte të suksesshme. Megjithatë, duket se lidhja e tyre e dikurshme ende nuk është harruar plotësisht.

    Në rrjetet sociale, vëmendjen e ndjekësve e ka tërhequr një detaj interesant: babai i këngëtarit, Afrim Imeri, ende mban në llogarinë e tij në Instagram një foto të përbashkët të Kiarës dhe Butrintit.

    Ky veprim është komentuar gjerësisht nga fansat, të cilët e kanë cilësuar si një gjest respekti dhe vlerësimi ndaj prezantueses, me të cilën familja Imeri duket se ka ruajtur marrëdhënie të mira.

    Kujtojmë se Kiara Tito ka qenë pjesë edhe e videoklipit të Butrint Imerit, “Hajt, hajt”, projekt që u komentua gjerësisht në kohën e publikimit dhe që duket se ende mbetet një kujtim i bukur për të dy.

  • Tetori vjen me super premiera në kinema, ja cilët filma do të “pushtojnë” ekranet këtë muaj

    Tetori vjen me super premiera në kinema, ja cilët filma do të “pushtojnë” ekranet këtë muaj

    Muaji tetor pritet të jetë një ndër më të ngarkuarit për botën e kinemasë, me disa nga produksionet më të shumëpritura që më në fund do të shfaqen për publikun. Nga rikthimi i sagave të njohura deri te thriller-ët që premtojnë adrenalinë pa fund, ja cilët janë filmat që do të kenë premierë gjatë këtij muaji:

    “TRON: Ares” 10 tetor 2025
    Universi futuristik i “Tron” rikthehet më i fuqishëm se kurrë. Filmi pritet të sjellë efekte spektakolare dhe një histori që do të ngjisë fansat e sci-fi pas ekranit.

    “Black Phone 2” 17 tetor 2025
    Një nga horror-ët më të pritur të vitit. Pas suksesit të pjesës së parë, vazhdimi premton më shumë tension, sekrete dhe momente që të ngrijnë gjakun.

    “Good Fortune” 17 tetor 2025
    Një komedi me shumë energji dhe humor të zgjuar, që pritet të sjellë një frymë ndryshe në mesin e premierave të tetorit.

    “Mortal Kombat II” 24 tetor 2025
    Për fansat e aksionit dhe videolojërave ikonike, rikthimi i “Mortal Kombat” vjen me një kast të fuqishëm dhe përplasje epike. Lufta për dominim sapo ka filluar.

    “A House of Dynamite” 24 tetor 2025
    Një thriller politik i mbushur me mister, tradhti dhe tension. Ky film po cilësohet si një ndër surprizat më të mëdha të muajit.

    “Anniversary” 29 tetor 2025
    Muaji mbyllet me një triller që premton suspensë dhe emocione të forta. Me një kast të njohur dhe një fund që, sipas kritikëve, do t’i lërë të gjithë pa fjalë.

    Tetori, pra, do të jetë një muaj i artë për adhuruesit e filmit me zhanre për çdo shije dhe shumë emocione për të përjetuar në kinema apo në platformat online.