ATV

Author: A.M.

  • Albion Rrahmani shënon sërish për Spartën e Pragës

    Sulmuesi kosovar, Albion Rrahmani, ka vazhduar formën e mirë me fanellën e Spartës së Pragës duke realizuar edhe një tjetër gol në elitën e futbollit çek.

    Ylli i Kosovës shënoi vetëm tre minuta pas fillimit të pjesës së dytë, duke ia rikthyer epërsinë skuadrës vendase.

    Pas një asistimi të Zelenyt, Rrahmani reagoi saktë brenda zonës dhe me një goditje precize mposhti portierin kundërshtar.

    Ky ishte goli i 11-të i sezonit për Rrahmanin në kampionatin çek, ndërsa sulmuesi ka kontribuar gjithashtu edhe me tri asistime.

  • Luka Modric flet për të ardhmen te Milani: Dua ta mbyll me një trofe

    Luka Modric flet për të ardhmen te Milani: Dua ta mbyll me një trofe

    Luka Modric ka folur për të ardhmen e tij te Milani, ndërsa kontrata aktuale po i afrohet fundit. Pavarësisht se ka mbushur 40 vjeç, mesfushori kroat vazhdon të mbetet një figurë e rëndësishme për trajnerin Massimiliano Allegri dhe synon ta përfundojë aventurën në “San Siro” me një trofe.

    Kontrata e Modricit skadon në fund të sezonit, edhe pse ai ka mundësinë për ta zgjatur edhe për një vit tjetër. Kjo ka bërë që së fundmi të shtohen spekulimet për të ardhmen e tij.

    Kroati iu bashkua Milanit si lojtar i lirë në verën e vitit 2025, pas një karriere të jashtëzakonshme me Real Madridin, dhe vazhdon të tregojë nivel të lartë edhe në fundin e karrierës së tij.

    Ndërsa shumë futbollistë të kësaj moshe mendojnë për pensionimin, Modric po i mban të hapura të gjitha opsionet, si për rinovimin me Milanin, ashtu edhe për një aventurë të re.

    Në një prononcim për Sportmediaset, veterani kroat u shpreh i lumtur në klub, por theksoi se fokusi i tij aktual mbetet fusha.

    “Çfarë mund të them është se jam shumë i lumtur te Milani, por gjëja më e rëndësishme tani është ndeshja ndaj Cagliarit të dielën dhe kualifikimi në Ligën e Kampionëve”.

    “Sa i përket pjesës tjetër, do të shohim. Kam një marrëdhënie shumë të mirë me klubin, drejtuesit dhe trajnerin”, deklaroi Modric.

    Ai shtoi se qëllimi i tij që nga dita e parë ka qenë të ndihmojë skuadrën të fitojë trofe.

    “Kur zgjodha Milanin, ishte për të ndihmuar dhe për të tentuar të fitojmë. Këtë vit kjo nuk ndodhi, por është e qartë se do të doja të fitoja një trofe me Milanin. E përsëris: tani po mendoj vetëm për ndeshjen e së dielës”, përfundoi kroati.

  • Kylian Mbappe barazon rekordin historik të Cristiano Ronaldos te Real Madridi

    Kylian Mbappe barazon rekordin historik të Cristiano Ronaldos te Real Madridi

    Kylian Mbappe po vazhdon të shkruajë histori me fanellën e Real Madridit. Sulmuesi francez ka arritur shifrën e jashtëzakonshme prej 86 golash në të gjitha garat gjatë dy sezoneve të tij të para me gjigantët spanjollë, duke barazuar rekordin historik të Cristiano Ronaldos.

    Mbappe realizoi 44 gola në sezonin 2024/25 dhe 42 gola në edicionin 2025/26, duke arritur totalin prej 86 golash në vetëm dy vite me madrilenët. I njëjti rekord ishte vendosur nga Cristiano Ronaldo në fillim të aventurës së tij te Real Madridi, me 33 gola në sezonin 2009/10 dhe 53 në sezonin 2010/11.

    Sezoni 2025/26 ishte veçanërisht mbresëlënës për francezin, i cili shënoi 42 gola në 44 paraqitje në të gjitha garat. Prej tyre, 25 gola erdhën në La Liga, 15 në Ligën e Kampionëve dhe dy në Copa del Rey.

    Gjatë karrierës së tij me klube, Mbappe ka kaluar shifrën e 42 golave vetëm në dy raste të tjera: me 44 gola te Paris Saint-Germain në sezonin 2023/24 dhe po ashtu 44 gola në sezonin e tij debutues me Real Madridin, 2024/25.

    Me ritmin që po tregon, francezi po konfirmohet si një nga figurat kryesore të epokës së re të Real Madridit dhe një kandidat serioz për të thyer edhe më shumë rekorde historike në “Santiago Bernabéu”.

  • Almir Ajzeraj largohet nga Drita pas gjashtë vitesh e gjysmë

    Almir Ajzeraj largohet nga Drita pas gjashtë vitesh e gjysmë

    Almir Ajzeraj do të largohet nga Drita pas gjashtë vitesh e gjysmë të kaluara me fanellën bardhekaltër.

    Anësori prishtinas ishte një nga figurat më të rëndësishme të klubit në vitet e fundit, duke kontribuar në fitimin e tre titujve kampionë dhe duke lënë gjurmë të mëdha në historinë e skuadrës gjilanase.

    Ajzeraj do të kujtohet veçanërisht si futbollisti që i solli Dritës fitoren e parë në fazën e ligës së Conference League, në përballjen historike ndaj Shelbourne.

    Pas më shumë se gjashtë vitesh në klub, ai konsiderohet një nga lojtarët më besnikë dhe një prej figurave më të rëndësishme në historinë moderne të bardhekaltërve, pasi shumë pak futbollistë kanë qëndruar kaq gjatë te Drita.

    Klubi gjilanas e konfirmoi largimin e tij përmes një mesazhi emocional në rrjetet sociale.

    Njoftimi i Dritës:

    “Faleminderit, Magic Almir Ajzeraj, për trofetë, emocionet dhe gjithçka që arritëm së bashku.

    Ti do të mbetesh gjithmonë njëri prej nesh. Përgjithmonë bardh e kaltër”, thuhet në njoftimin e Dritës.

  • Dani Carvajal i jep lamtumirën Real Madridit pas 13 vitesh historike

    Dani Carvajal i jep lamtumirën Real Madridit pas 13 vitesh historike

    Mbrojtësi spanjoll, Dani Carvajal, i ka dhënë zyrtarisht lamtumirën Real Madridit pas trembëdhjetë vitesh të paharrueshme me klubin mbretëror.

    I rritur në akademinë e madrilenëve, Carvajal ishte simbol i besnikërisë dhe përkushtimit ndaj fanellës së bardhë gjatë gjithë karrierës së tij, me përjashtim të një sezoni të kaluar te Bayer Leverkusen në Gjermani.

    Pas rikthimit në Madrid në vitin 2013 për shumën prej 6.5 milionë eurosh, ai u bë zot absolut i krahut të djathtë të mbrojtjes për më shumë se një dekadë, duke fituar zemrat e tifozëve me luftën dhe shpirtin garues në çdo ndeshje.

    Megjithatë, vitet e fundit dëmtimet ndikuan ndjeshëm në formën e tij, por drejtuesit e klubit vazhduan ta mbështesin deri në fund, duke respektuar kontributin e madh që ai dha për skuadrën.

    Pas ndeshjes emocionale ndaj Athletic Bilbaos, stadiumi shpërtheu në duartrokitje për të përshëndetur një nga kapitenët më të dashur të klubit. Mes emocionesh dhe lotësh, Carvajal falënderoi presidentin Florentino Perez për mbështetjen e vazhdueshme, duke zbuluar se kontrata e tij ishte rinovuar vetëm një ditë pas dëmtimit të rëndë që kishte pësuar.

    Në fjalimin e tij prekës, mbrojtësi spanjoll kërkoi që tifozët të duartrokisnin ish-bashkëlojtarët dhe trajnerët që shënuan epokë në klub, si Cristiano Ronaldo, Sergio Ramos dhe Zinedine Zidane. Ai gjithashtu falënderoi familjen për mbështetjen në momentet më të vështira të karrierës.

    Në fund, Carvajal u largua krenar dhe me ndërgjegje të pastër, duke lënë pas një trashëgimi të jashtëzakonshme me gjashtë tituj të Ligës së Kampionëve dhe 303 paraqitje me fanellën e Real Madridit.

  • New York Knicks një fitore larg finales së NBA-së pas triumfit ndaj Cleveland Cavaliers

    New York Knicks një fitore larg finales së NBA-së pas triumfit ndaj Cleveland Cavaliers

    New York Knicks mposhtën Cleveland Cavaliers me rezultat 121:108 dhe morën epërsinë bindëse 3-0 në serinë finale të Konferencës Lindore.

    Skuadra nga New Yorku kontrolloi ritmin e ndeshjes që nga fillimi dhe tani i duhet vetëm edhe një fitore për të siguruar finalen e madhe të NBA-së, të parën pas 27 vitesh.

    Lider i Knicks ishte Jalen Brunson me 30 pikë, ndërsa Mikal Bridges shtoi 22 dhe OG Anunoby realizoi 21 pikë.

    Ekipi i drejtuar nga Mike Brown tregoi efikasitet të lartë në sulm, duke realizuar 43 gjuajtje nga 77 tentime nga loja, si dhe duke qenë pothuajse perfekt nga vija e gjuajtjeve të lira.

    Me këtë fitore, Knicks regjistruan triumfin e tyre të dhjetë radhazi në play-off, duke u bërë vetëm skuadra e shtatë në historinë e NBA-së që arrin një seri të tillë. Ata barazuan edhe rekordin e Boston Celtics nga viti 2024, kur skuadra nga Bostoni u shpall kampione.

    Dominimi i New Yorkut konfirmohet edhe nga diferenca totale prej +225 pikësh gjatë këtyre dhjetë ndeshjeve, statistika më e mirë në historinë e NBA-së në një seri prej dhjetë takimesh.

    Te Cleveland Cavaliers, më i dalluari ishte Donovan Mitchell me 23 pikë, ndërsa James Harden shtoi 21.

    Fituesi u përcaktua përfundimisht në minutat e para të çerekut të fundit, kur Landry Shamet realizoi tri gjuajtje të shpejta për tre pikë dhe i dha Knicks një epërsi të paarritshme.

  • Vushtrria feston inkuadrimin në Albi Mall Superligë në stadiumin e qytetit

    Skuadra e Vushtrrisë ka siguruar inkuadrimin në Albi Mall Superligën e Kosovës në futboll,ku në ndeshjen e xhiros së fundit të Ligës së Parë mundën në udhëtim skuadrën e Vëllaznimit me rezultat 3:1.

    Në stadiumin “Ferki Aliu”u zhvillua ceremonia e ndarjes së ndarjes së medajleve dhe kupës në pranimë e mijërave tifozëve të mbledhur,të cilët festuan deri në orët e vona suksesin e skuadrës së tyre të zemrës.

    Trajneri i Vushtrrisë Armend Dallku u shpreh krenar me futbollistët e tij që sipas tij dhanë maksimumin e tyre,dhe se këtë sukses ia dedikon edhe ish-futbollistit të ndjerë të Vushtrrisë Erjon Morina.

    DEK Armend Dallku…

    Në anën tjetër kapiteni Daut Maxhuni thotë se skuadra dhe qyteti i Vushtrrisë meriton më shumë sesa inkuadrimin në Albi Mall Superligë.

    DEK Daut Maxhuni…

    Kujtojmë që Vushtrria e përfundoi sezonin në Ligën e Parë në pozitën e parë me 75 pikë,1 më shumë se Feronikeli 74 që ka 74 sosh në pozitën e dytë e cila poashtu siguroi inkuadrimin në elitën e futbollit vendor për edicionin e ardhshëm.

  • Oleksandr Usyk mbron titullin e kampionit të botës në peshat e rënda me fitore ndaj Ric Verhoeven

    Oleksandr Usyk mbron titullin e kampionit të botës në peshat e rënda me fitore ndaj Ric Verhoeven

    Boksieri ukrainas Oleksandr Usyk ka arritur të mbrojë titullin e kampionit të botës në peshat e rënda,ku me mjaft vështirësi mposhti holandezin Ric Verhoeven pas 11 raundeve.

    Në një duel që u zhvillua në arenën e hapur në hijen e piramidave në Giza pati një dramë që askush nuk e priti,ku Verhoeven rezistoi mjaft mirë ndaj kampionit të botës i cili ishte i favorizuar.

    Gjatë mecit Verhoeven ishte më agresiv dhe konkret ndaj Usyk,teksa gjatë kohës së pushimit kishte avantazh.

    Por në raundin e 11-të Usyk morri ritmin dhe kontrrollin,dhe me një goditje shkatërruese e goditi holandezin dhe përkundër që Verhoeven u ngrit në këmbë gjyqtari e përfundoi duelin ku në fund ukrainasi fitoi dhe mbrojti titullin e kampionit të botës.

    Verhoeven pas mecit u shpreh se është krenar për performancën e toj dhe kërkoj një rimec,teksa Usyk ka deklaruar se ky ishte meci më i vështirë në karrierë,ndërkohë që shumë dashamirë të boksit e konsideruan këtë duel si farsë të plotë para ndeshjes.

    Pas këtij sfiduesi i detyrueshëm i WBC-së, Agit Kabayel hyri në ring ku kërkoi një mec në Gjermani me Usyk,ku ky i fundit shprehu se e pranon një sfidë me Kabayel.

  • Hull City rikthehet në Premier League pas nëntë vitesh

    Hull City rikthehet në Premier League pas nëntë vitesh

    Hull City A.F.C. ka siguruar rikthimin në Premier League pas nëntë vitesh mungesë, pasi mposhti Middlesbrough F.C. me rezultat 1:0 në finalen e “play-off”-it të Championship, e zhvilluar në Wembley Stadium.

    Ndeshja nisi me shumë kujdes nga të dyja skuadrat dhe me pak raste të pastra për gol. Momenti më i rrezikshëm në pjesën e parë ishte goditja me kokë e Oli McBurnie, e cila përfundoi në traversë.

    Edhe pjesa e dytë u karakterizua nga tension i lartë dhe lojë e fortë defensive, ndërsa rastet për shënim ishin të rralla.

    Kur gjithçka po shkonte drejt vazhdimeve, në skenë doli sërish Oli McBurnie, i cili në minutën e 95-të realizoi golin vendimtar për 1:0, duke shkaktuar festë të madhe te tifozët e Hull Cityt.

    “Tigrat” arritën ta menaxhojnë epërsinë në minutat e fundit dhe siguruan rikthimin në elitën e futbollit anglez.

    Megjithëse Hull City A.F.C. e mbylli sezonin shtatë pikë pas Middlesbrough F.C. në renditje, ishte skuadra nga “MKM Stadium” ajo që siguroi promovimin në Premier League, ndërsa Middlesbrough mbetet edhe një sezon në Championship.

  • Liria siguron “play-off”-in me fitore bindëse ndaj Dinamo Ferizajt

    Liria siguron “play-off”-in me fitore bindëse ndaj Dinamo Ferizajt

    KF Liria ka siguruar pjesëmarrjen në “play-off”, përkatësisht barazhin për inkuadrim në elitën e futbollit kosovar, pasi mposhti bindshëm në udhëtim KF Dinamo Ferizaj me rezultat 1:5.

    Skuadra e drejtuar nga Ismet Munishi zhvilloi një paraqitje të jashtëzakonshme, duke dominuar takimin nga fillimi deri në fund.

    Liria kaloi në epërsi falë golit të Dijar Nikqi, ndërsa për golin e dytë u përkujdes qendërmbrojtësi Muhamed Useini.

    Më pas, Albion Kurtaj realizoi një gol fantastik për rezultatin 0:3.

    Nikqi u rikthye sërish në skenë duke realizuar edhe golin e katërt për prizrenasit, ndërsa goditjen finale e dha Vigan Ademi.

    Golin e vetëm për vendasit e realizoi kapiteni Enhar Cakolli, i cili shënoi pas penalltisë së humbur nga Sokol Kiqina.

    Me këtë fitore, Liria e përfundon kampionatin e Ligës së Parë në pozitën e tretë dhe në fazën e barazhit do të përballet pikërisht me KF Dinamo Ferizaj për një vend në finalen e “play-off”-it.

    Fituesi i këtij dueli më pas do të luajë ndaj skuadrës që e përfundon Superligën e Kosovës në vendin e tetë, për pozitën e fundit në elitë për edicionin 2026/27.