ATV

Author: A.H.

  • Clinton: Shumë njerëz menduan se isha çmendur kur u angazhova në Kosovë, por e dija se kosovarët nuk do të dorëzohen kurrë

    Clinton: Shumë njerëz menduan se isha çmendur kur u angazhova në Kosovë, por e dija se kosovarët nuk do të dorëzohen kurrë

    Presidentja e vendit, Vjosa Osmani ka marrë pjesë në një panel së bashku me ish-presidentin amerikan, Bill Clinton.

    Kjo në panelin e organizuar nga Clinton Global Initiative.

    Clinton në fjalimin e tij kujtoi ndërhyrjen në Kosovë. Ai tha se shumë njerëz e konsideruan të çmendur, për shkak të vendimit për të ndërhyrë në Kosovë. Por, Clinton tha se e bëri, sepse e dinte që kosovarët nuk do të dorëzoheshin kurrë, shkruan gazeta online Reporteri.net.

    “Shumë menduan se isha çmendur kur u angazhova në Kosovë. Por, unë u thashë: shikoni, ky do të jetë vendi i vetëm në botën moderne ku një luftë do të fitohet përmes fuqisë sonë ajrore, sepse kosovarët nuk do të dorëzohen kurrë dh në fund do të jetë shumë e kushtueshme për serbët të vazhdojnë të luftojnë dhe do të shpëtojmë më shumë jetë në këtë mënyrë”, tha Clinton.

    Ndërkaq, presidentja Osmani tha se Kosova ka mësuar se liria nuk duhet marrë si e mirëqenë dhe popujt kanë gjithmonë nevojë për aleanca për të vazhduar përpara.

    “Duke ju dëgjuar në atë që e thashë ma kujtoi miliona njerëz në botë që nga erdhën në ndihmë kur kishim nevojë, por sot mund të flasë si presidente, por vite më parë unë isha ai fëmija që priste në radhë për ushqim. Fëmijët që po ndihmoni sot, gratë që po ndihmoni sot, do të ulen këtu nesër. Ju e thatë që kosovarët nuk do të dorëzohen kurrë, ne nuk do të dorëzoheshim kurrë, sepse jemi popull që kemi qenë në okupim për vite dhe pavarësisht kësaj kurrë nuk e kemi humbur identitetin tonë dhe kurrë nuk jemi dorëzuar. Sot Kosova është demokraci e fortë dhe një shtet që mund të përballet me sfida, por edhe testament se shtetet e vogla mund të kenë ndikim. Sepse nuk mund të definohemi nga gjeografia, por nga historitë që kemi për të treguar”, tha Osmani.

  • Pezullimi i dialogut strategjik me SHBA-në, Kurti: S’mund të bëj kompromise me sundimin e ligjit në veri

    Pezullimi i dialogut strategjik me SHBA-në, Kurti: S’mund të bëj kompromise me sundimin e ligjit në veri

    Kryeministri në detyrë, Albin Kurti ka folur për pezullimin e dialogut strategjik me SHBA-në.

    Kurti ka thënë se pengesat në raport me Amerikën janë në fushën e diplomacisë. Sipas tij SHBA e konsideron shumë të rëndësishme ta tërheqë Serbinë nga hemisfera lindore, sepse Serbia është e lidhur ngushtë me Moskën.

    Por, ai ka thënë se butësia me autokratët nuk është provuar kurrë të jetë e suksesshme.

    Kurti po ashtu ta se nuk mund të bëjë kompromise me sundimin e ligjit në veri të vendit.

    “Së pari dialogu strategjik nuk është pezulluar, por planifikimi për dialogun strategjik është pezulluar. Kjo është për dy arsye kryesore: E para për shkak të fillimit të sundimit të ligjit në veri të Kosovës, i cili rezultoi të ishte kundër strukturave ilegale serbe dhe nuk mund të bëjë kompromise këtu. Nuk mund tia lë këtë problem gjeneratës tuaj. Mendoj se brezi im duhet ta përfundojë këtë. Marrëdhënia jonë me SHB-në është tridimensionale, që do të thotë mbrojtje, zhvillim dhe diplomaci. Sinqerisht shtylla e mbrojtjes qëndron më mirë se të tjerat…. Aty ku i kemi disa pengesa është në diplomaci sepse sipas meje SHBA e konsideron shumë të rëndësishme ta ngrenë Serbinë nga hemisfera lindore, sepse Serbia është e lidhur ngushtë me Moskën.

    Dhe ne, duke qenë të palëkundur me sundimin e ligjit, demokracisë, sovranitetit shtetëror dhe integritet territorial – disa politikanë dhe diplomatë në SHBA vlerësojnë se ne nuk po u ndihmojmë SHBA-ve ta shkëpusin Serbinë nga Federata Ruse, por sinqerisht kjo s’duhet të jetë problemi im. Më falni për sinqeritetin. Ashtu është. Pra unë përfaqësoj interesat e Republikës së Kosovës, dhe nëse jeni pak më të butë Beogradin, kjo nuk është provuar kurrë e dobishme sepse sa më mirë të silleni me ta aq më keq bëhen, sepse autokratët dhe diktatorët, nëse u shfaqë pak bujari, mendojnë se ke frikë nga ta”, ka thënë Kurti.

  • Shqipëria e ngre fort zërin për Kosovën në Nju Jork: Begaj kërkon anëtarësimin e Kosovës në OKB, Spiropali heqjen e sanksioneve të BE-së

    Shqipëria e ngre fort zërin për Kosovën në Nju Jork: Begaj kërkon anëtarësimin e Kosovës në OKB, Spiropali heqjen e sanksioneve të BE-së

    Shqipëria ka vazhduar lobimin për Kosovën edhe gjatë punimeve të Asamblesë së Kombeve të Bashkuara. Udhëheqësit e shtetit shqiptar që po qëndrojnë në Nju Jork kanë kërkuar njohje të reja për Kosovën dhe heqjen e pengesave në rrugën e Kosovës drejt integrimeve euroatlantike.

    Presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj, ka kërkuar anëtarësimin e Kosovës në OKB, kurse, kryediplomatja Elisa Spiropali ka kërkuar heqjen e sanksioneve të BE-së ndaj Kosovës.

    Në fjalimin e tij në Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara, presidenti shqiptar ka bërë me dije se Kosova duhet ta ketë karrigen e saj në OKB.

    Ai ka vlerësuar se njohja e pavarësisë së Kosovës nga kjo organizatë është një akt drejtësi nga populli i Kosovës.

    “Megjithatë, vendi i Kosovës në këtë Asamble mbetet padrejtësisht bosh. Njohja e pavarësisë së saj dhe mbështetja për anëtarësimin në OKB dhe organizatat e tjera ndërkombëtare është një akt drejtësie ndaj popullit të Kosovës dhe një hap që forcon paqen e sigurinë në Ballkanin Perëndimor,” ka thënë Begaj.

    Në adresimin e tij Begaj ka theksuar përkushtimin e Shqipërisë ndaj paqes, sigurisë dhe multilateralizmit dhe respektimin e të drejtave të shqiptarëve në Luginën e Preshevës.

    Edhe ministrja e Punëve të Jashtme të Shqipërisë, Elisa Spiropali, e ka vazhduar lobimin për Kosovën.

    Në një intervistë për “ABC News Albania” kryediplomatja shqiptare ka kërkuar nga BE-ja heqjen e sanksioneve.

    Ajo ka thënë se ato janë të padrejta.

    Megjithatë, ajo ka kërkuar që edhe institucionet e Kosovës të jenë më të përgjegjshme në raport me partnerët e tyre.

    “Bashkimi Evropian duhet t`i heq sanksionet për Kosovën. Në këtë pikë nuk kanë asnjë kuptim. Janë të bartura nga një krizë e mëparshme dhe ne e kemi bërë të qartë këtë në qëndrimin tonë me të gjithë vendet anëtare, por edhe në forumet e BE-së. Nuk kanë më asnjë kuptim. Por, sigurisht që edhe institucionet në Kosovë duhet të jenë më përgjegjëse në raport me këta partner, të cilët nuk janë luks, por janë vendimtar, janë domosdoshmëri për progresin dhe integrimin e Kosovës, përveçse ekzistencën”, ka thënë Spiropali.

    Ajo ka folur edhe për sulmi terrorist në Banjskë.

    Spiropali ka thënë autorët e atij sulmi duhet të dalin para drejtësisë.

    “Sulmi në Banjskë ishte i papranueshëm dhe asnjë alibi nuk mund të fshehë përgjegjësinë e atyre që ndërmorën atë sulm. Sa i takon çështje të sigurisë në Kosovë, SHBA e ka bërë të qartë që misioni i UNMIK nuk duhet të jetë më. KFOR, EULEX, autoritet e Kosovës mjaftojnë për të garantuar sigurinë. Pra, garantimi i sovranitetit dhe shtrirjes së këtij sovraniteti në gjithë territorin duhet të ecin paralelisht. Duhet gjetur një marrëveshje që garanton kohë për zhvendosjen e UNMIK”, është shprehur Spiropali.

  • Dyvjetori i Banjskës, Kurti: Krimineli Radoiçiq i lirë, Arbnor Spahiu qe 110 ditë në paraburgim në Serbi

    Dyvjetori i Banjskës, Kurti: Krimineli Radoiçiq i lirë, Arbnor Spahiu qe 110 ditë në paraburgim në Serbi

    Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, në dyvjetorin e sulmit në Banjskë, ka folur për rastin e ish-policit kosovar, Arbnor Spahiu, i cili po mbahet në paraburgim në Serbi nën akuzën se ka marrë pjesë në mbrojtjen kundër sulmit të 24 shtatorit 2023.

    Kurti theksoi se në atë kohë Spahiu nuk ishte pjesëtar i Policisë së Kosovës dhe prej kohësh jetonte në Gjermani.

    “Më lejoni të theksoj se Millan Radoiçiqi, personi për të cilin kemi dëshmi të pamohueshme se ka qenë i përfshirë dhe në krye të grupit në Banjskë, ka aktakuzë të ngritur në Kosovë dhe, ndonëse vet e ka pranuar përgjegjësinë për organizimin e sulmit, është liruar nga paraburgimi një ditë pas arrestimit në Serbi. Tash e dy vite ai është i lirë dhe aktiv në Beograd. Ndërkaq shtetasi i Kosovës, Arbnor Spahiu, akuzohet nga Serbia si pjesëtar i Policisë së Kosovës në rastin e Banjskës, ndonëse nuk ka qenë fare pjesë e saj në atë kohë. Ai prej 7 qershorit ndodhet në paraburgim tash e 110 ditë”, tha Kurti.

    Kryeministri në detyrë shtoi se bashkësia ndërkombëtare ka dështuar të trajtojë me drejtësi të dy rastet.

    “Në njërën anë kemi të bëjmë me një kriminel terrorist ndërkombëtar, ndërsa në tjetrën me një qytetar të Kosovës të cilit po i shkelen liritë dhe po i dhunohen të drejtat, ndonëse kurrë nuk ka pasur probleme me ligjin”, u shpreh Kurti.

  • Aksioni “Qielli i Thyer” u realizua në 25 lokacione, arrestohen 7 persona- publikohen pamje

    Aksioni “Qielli i Thyer” u realizua në 25 lokacione, arrestohen 7 persona- publikohen pamje

    Shatë persona janë arrestuar në operacionin policor të sotëm në 25 lokacione të ndryshme të Prishtinës dhe Pejës.

    Ky aksion i koduar me emrin “Qielli i Thyer”, ka rezultuar me arrestim të të dyshuarve për “pjesëmarrje ose organizim të grupit kriminal”, “blerje, posedim, shpërndarje dhe shitje të paautorizuar të narkotikëve”, si dhe për “pastrim të parave”.

    “Të pandehurit, dyshohet se kanë përdorur aplikacionin e njohur për komunikim të enkriptuar “SkyECC” për të organizuar aktivitetet e tyre kriminale”, thuhet në njoftim.

    “Veriun i gjallë nuk e lëshoj”, familjari tregon fjalët e Afrim Bunjakut 10 ditë para se të vritej në Banjskë
    Operacioni thuhet se është mbështetur nga një bashkëpunim i ngushtë ndërkombëtar, përmes shkëmbimit të të dhënave me autoritetet belge, franceze, holandeze dhe agjencinë evropiane EUROPOL, duke siguruar koordinim të plotë ndërkufitar.

    Më tej bëhet e ditur se gjatë realizimit të urdhërkontrollit në këto lokacione është gjetur dhe sekuestruar sasi e konsiderueshme e provave materiale, dhe pasurive të specifikuara duke përfshirë: 638 gramë substancë narkotike e dyshuar si kokainë; një peshore për matjen e lëndëve narkotike; 11,065 euro para të gatshme; 34 automjete; shtatë armë zjarri; dokumente personale me identitet të rremë; pajisje elektronike; dokumentacion i ndryshëm pronësor dhe financiar./ATVLIVE/

  • BE kërkon nga Serbia arrestimin e sulmuesve në Banjskë: Kërcënuan sigurinë

    BE kërkon nga Serbia arrestimin e sulmuesve në Banjskë: Kërcënuan sigurinë

    Bashkimi Evropian përsërit thirrjen për mbajtjen përgjegjës të autorëve të sulmit terrorist në Banjskë, i cili, sipas zyrtarëve të Brukselit, ka kërcënuar seriozisht sigurinë në rajon.

    Çështja e përgjegjësisë për Banjskën, dy vite më pas, ka qenë pjesë e bisedimeve që shefja e diplomacisë evropiane, Kaja Kallas ka zhvilluar në Nju Jork me presidentin serb, Aleksandar Vuçiq. Këtë e kanë konfirmuar zyrtarë evropianë, duke nënvizuar se Kallas do të vazhdojë ta ngrejë këtë çështje edhe në margjinat e takimeve të saj me udhëheqësit e Ballkanit Perëndimor.

    Nga zyra e shtypit të BE-së është bërë e ditur se pritet që autoritetet në Serbi të arrestojnë dhe ndjekin penalisht, para gjykatave serbe, autorët e sulmit që ndodhen në Serbi.

    “Ne gjithashtu mbetemi të shqetësuar nga raportet për pjesëmarrjen e autorëve të dyshuar të sulmit në Banjskë gjatë demonstratave në Serbi”, thuhet në një përgjigje me shkrim për RTK-në nga selia e BE-së.

    Po ashtu, nga zyra për shtyp e BE-së nënvizohet se, në tetor 2023, Përfaqësuesi Special i BE-së në Kosovë i ka përcjellë autoriteteve serbe një kërkesë për ndihmë të ndërsjellë ligjore nga autoritetet e Kosovës lidhur me këtë çështje, ndërsa konfirmohet se ende nuk ka asnjë përgjigje nga Beogradi zyrtar.

    Zyrtarët evropianë presin që Serbia të bashkëpunojë plotësisht me këto kërkesa përmes kanalit të krijuar për ndihmë të ndërsjellë ligjore./ATVLIVE/

  • Policia kap mallra të kontrabanduara mbi 35 mijë euro në Han të Elezit

    Policia kap mallra të kontrabanduara mbi 35 mijë euro në Han të Elezit

    Policia e Kosovës ka parandaluar një rast të kontrabandës në zonën kufitare të Hanit të Elezit, duke sekuestruar mallra në vlerë prej mbi 35 mijë euro.

    Rasti ka ndodhur rreth orës 16:30, kur njësitë patrulluese kanë hasur një furgon që kishte hyrë ilegalisht nga Maqedonia e Veriut përmes rrugëve malore. Shoferi i dyshuar, ende i paidentifikuar, braktisi automjetin dhe u largua nga vendi i ngjarjes.

    Në automjet u gjetën mjete pune, motosharra, motor 4×4 për fëmijë, si dhe sasi të konsiderueshme tekstili, bizhuterish dhe veshmbathjesh të markave të njohura si Adidas, Nike, Louis Vuitton, Versace e të tjera.

    Policia njoftoi se automjeti kishte targa të falsifikuara dhe dokumentacion të parregullt. Me urdhër të prokurorit, rasti është proceduar si “kontrabandim me mallra”, ndërsa mallrat e sekuestruara janë dërguar në terminalin doganor për verifikim.

    Njoftimi i plotë:

    Njësitë patrulluese të Drejtorisë Rajonale Kufitare – Lindje (DRK-Lindje) Kaçanik, konkretisht Stacioni Policor për Mbikëqyrje Kufitare – Hani i Elezit, kanë parandaluar një rast të kontrabandës në zonën kufitare mes Republikës së Kosovës dhe Maqedonisë së Veriut.

    Rreth orës 16:30, gjatë një prite të mirëorganizuar policore, njësitë patrulluese kanë identifikuar një automjet të tipit furgon me targa 05-XXX-XX, i cili kishte hyrë përmes rrugëve ilegale malore nga territori i Maqedonisë së Veriut në drejtim të Republikës së Kosovës. Me të vërejtur zyrtarët policorë, personi i dyshuar – i cili për momentin mbetet i paidentifikuar – ka tentuar të kthehet në drejtim të fshatit Bllacë (RMV). Në pamundësi për t’iu shmangur kontrolleve policore, ai ka braktisur automjetin në një rrugë malore dhe është larguar nga vendi i ngjarjes.

    Gjatë kontrollimit të automjetit është gjetur një sasi e konsiderueshme mallrash të kontrabanduara me dokumentacion nga Maqedonia e Veriut, përfshirë: mjete pune, motosharra, motor 4×4 për fëmijë, produkte kozmetike, bizhuteri, tekstile dhe veshmbathje të markave të mbrojtura si Adidas, Boss, Nike, Louis Vuitton, Versace, Diesel, Philipp Plein etj.

    Nga verifikimet është konstatuar se automjeti nuk posedonte dokumentacion të rregullt dhe targat ishin të falsifikuara. Me urdhër të Prokurorit të Shtetit, rasti është proceduar si “kontrabandim me mallra”, ndërsa automjeti dhe mallrat e kontrabanduara janë konfiskuar dhe janë dërguar në terminalin doganor në Han të Elezit për numërim dhe vlerësim. Sipas parashikimeve, vlera e përgjithshme e mallit së bashku me automjetin e sekuestruar kalon shumën prej 35.000 euro.

    Policia Kufitare e Kosovës mbetet e vendosur në luftën kundër kontrabandës dhe krimit të organizuar, duke garantuar siguri dhe kontroll të plotë në kufijtë e Republikës së Kosovës.

  • Duncan pyetet për Xhavit Halitin: Kemi hyrë në një zonë të ndjeshme, ky person kishte interes të veçantë për ne

    Duncan pyetet për Xhavit Halitin: Kemi hyrë në një zonë të ndjeshme, ky person kishte interes të veçantë për ne

    Në Dhomat e Specializuara të Kosovës (DhSK) në Hagë po vazhdon edhe sot procesi gjyqësor ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), me dëshminë e John Duncan.

    Në fillim të dëshmisë, atij i është lëshuar një video e një takimi që ishte mbajtur në mes komandantëve të zonave dhe persona të tjerë nga UÇK-ja ku zhvilloheshin negociatat për Marrëveshjen e Demilitarizimit.

    Në pamje është shfaqur Xhavit Haliti, teksa dëshmitari është pyetur se a e njeh këtë person.

    “Zotëri kryegjykatës jemi futur në një pjesë të ndjeshme. Unë e di kush është ky zotëri. Ai ishte një person me interes të veçantë për ne, por nuk jam i sigurtë nëse jam i përgatitur ose i gatshëm të tregoj se kush është ky person”, tha Duncan.

    “Ky nuk është personi që mua më kanë thënë që ka qenë Xhavit Haliti në Tiranë, në takimin në Tiranë”, vazhdoi tutje ai.

    I pyetur se a e di se a ka qenë komandant zone Haliti, dëshmitari Duncan kërkoi që të kalohet në seancë private.

  • Murati: Kosova ndër vendet më të sigurta për të jetuar, kjo pasqyrohet në raportin më të fundit nga Gallup

    Murati: Kosova ndër vendet më të sigurta për të jetuar, kjo pasqyrohet në raportin më të fundit nga Gallup

    Ministri në detyrë i Financave, Hekuran Murati, përmes një postimi në Faceobok ka shkruar se Kosova është ndër vendet më të sigurta për të jetuar, dhe kjo pasqyrohet edhe në raportin më të fundit nga instituti Gallup.

    Ai në këtë postim ka thumbuar partitë tjera, duke thënë se këtij lajmi duhet t’i gëzoj edhe ato.

    “Kosova është ndër vendet më të sigurta për të jetuar, dhe kjo pasqyrohet edhe në raportin më të fundit nga instituti Gallup. Ky është lajm që do duhej t’i gëzohej edhe opozita”, ka shkruar Murati.

    Lëvizja Vetëvendosje përmes një postimi poashtu në Facebook ka shkruar se sipas raportit të organizatës amerikane Gallup “Siguria Globale 2025”, Kosova renditet e 1-ra në Evropë dhe e 3-ta në botë në Indeksin për Ligj dhe Rend, me gjithsej 94/100 pikë.

  • Vdekja e Enver Petrovcit, Kurti: Sot Kosova humbi një thesar kombëtar

    Vdekja e Enver Petrovcit, Kurti: Sot Kosova humbi një thesar kombëtar

    Kryeministri në detyrë, Albin Kurti tha se e mori “me dhimbje e pikëllim” lajmin për vdekjen e aktorit Enver Petrovci.

    Në një postim në Facebook, Kurti tha se Petrovci ishte “i veçantë”.

    “Para veprës së tij shtrihet një kaleidoskop artistik i pamasë. Ai ishte themelues i Teatrit “Dodona” dhe i Shkollës së Aktrimit, profesor në degën e aktrimit në Universitetin e Prishtinës, i dashur për aq shumë gjenerata studentësh. Me rolet e tij të paharrueshme dhe profesionalizmin e përpiktë, ai e ngriti teatrin dhe filmin tonë në skenën vendore, rajonale dhe evropiane”, shkroi Kurti.