ATV

Author: A.G.

  • “Zootropolis 2” thyen rekorde dhe bëhet filmi më fitimprurës i animuar në Hollywood

    “Zootropolis 2” thyen rekorde dhe bëhet filmi më fitimprurës i animuar në Hollywood

    Filmi i ri i Disney, “Zootropolis 2” (i njohur edhe si “Zootopia 2”), ka arritur të grumbullojë 1.7 miliard dollarë amerikanë, duke e bërë atë filmin më fitimprurës të animuar në historinë e Hollywood-it. Kjo shifër tejkalon suksesin e filmit “Inside Out 2”, i cili në vitin 2024 arriti 1.69 miliard dollarë.

    Alan Berman, bashkëdrejtor në Disney, ka falënderuar fansat në mbarë botën, duke e cilësuar arritjen si një sukses të dedikuar entuziazmit dhe përkushtimit të tyre.

    Filmi renditet i nënti në listën e filmave më fitimprurës të të gjitha kohërave, krahas prodhimeve të njohura si “Titanic” (1997), “Star Wars: The Force Awakens”, “Avengers: Endgame”, dhe franshizës “Avatar”.

    Megjithatë, rekordin absolut për filmat e animuar në nivel global e mban “Ne Zha 2” nga Kina, me 2.2 miliard dollarë.

    Për më tepër, “Zootropolis 2” është gjithashtu produksioni më i shpejtë i animuar në Hollywood që ka arritur shifrën 1 miliard dollarë në arkat globale, duke treguar ndikimin dhe popullaritetin e jashtëzakonshëm të filmit.

  • Roma i jep lamtumirën stilistit legjendar Valentino

    Roma i jep lamtumirën stilistit legjendar Valentino

    Trupi i stilistit legjendar të modës, Valentino Garavani, është vendosur për homazhe dyditore, ndërsa banorët e Romës dhe adhurues të modës nga mbarë bota po i japin lamtumirën e fundit ikonës që u nda nga jeta në moshën 93-vjeçare.

    Lajmi i ndarjes së tij nga jeta u konfirmua nga fondacioni Valentino, përmes një deklarate zyrtare të lëshuar pasditen e së hënës, më 19 janar. Në njoftim thuhej se stilisti ndërroi jetë në shtëpinë e tij në Romë, i rrethuar nga njerëzit më të afërt.

    Trupi i tij po qëndron i vendosur nga e mërkura deri të enjten pranë fondacionit të tij në Piazza Mignanelli, ku qytetarë dhe personalitete po bëjnë homazhe. Ceremonia mortore pritet të zhvillohet të premten në Bazilikën e Santa Maria degli Angeli e dei Martiri, në qendër të kryeqytetit italian.

    Gjatë kësaj periudhe homazhesh, qindra figura të njohura nga bota e modës, politika dhe arti, si dhe qytetarë të zakonshëm, pritet të nderojnë njeriun që shpesh është quajtur “perandori i fundit” i modës italiane.

    Edhe pse koleksionet e tij i prezantoi kryesisht në Paris, Valentino e mbajti gjithmonë atelienë e tij në Romë, qytet me të cilin kishte një lidhje të fortë personale dhe profesionale.

    Kryetari i bashkisë së Romës, Roberto Gualtieri, e përshkroi Valentino Garavanin si “një nga personalitetet më të shquara dhe më të dashura të Italisë”, duke theksuar kontributin e jashtëzakonshëm dhe ndikimin e tij të përhershëm në historinë e modës.

  • Rita Ora rikthen në vëmendje propozimin që i bëri burrit të saj

    Rita Ora rikthen në vëmendje propozimin që i bëri burrit të saj

    Këngëtarja shqiptare me famë botërore, Rita Ora, ka folur sërish për mënyrën se si i ka propozuar martesë bashkëshortit të saj, regjisorit Taika Waititi. Ajo e ndau këtë histori gjatë paraqitjes së saj në emisionin e Jennifer Hudson-it.

    E ftuar për të folur rreth karrierës muzikore, filmike dhe televizive, Rita gjeti një moment për të prekur edhe jetën e saj personale, duke u ndalur te lidhja me Taika-n.

    “Unë i propozova. Thjesht e dija. E di që tingëllon klishe, por kur e pashë mendova: ‘Në rregull, ky është njeriu im’. Mendova se nëse do të prisja, ndoshta kjo gjë nuk do të ndodhte kurrë. Prandaj vendosa ta bëj vetë hapin”, u shpreh ajo, duke shtuar se çifti është i martuar prej katër vitesh.

    Ajo vijoi më tej duke thënë se njerëzit zakonisht mendojnë se Taika është më humoristi në çift, por sipas Ritës, në të vërtetë ajo është më “funny”.

    Në fund, këngëtarja foli edhe për raportin që ka me dy vajzat e Taika-s, duke theksuar lidhjen e mirë dhe të afërt që ka ndërtuar me to, pavarësisht se është njerka e tyre.

  • Fejesa merr fund: Emeli Sandé konfirmon ndarjen

    Fejesa merr fund: Emeli Sandé konfirmon ndarjen

    Këngëtarja britanike Emeli Sandé i ka dhënë fund fejesës me pianisten Yoana Karamova, duke i dhënë kështu fund lidhjes së tyre disavjeçare. Artistja 38-vjeçare e ka konfirmuar ndarjen për gazetën britanike The Sun, duke bërë të ditur se vendimi për t’u ndarë është marrë që gjatë verës së kaluar.

    “Është e dhimbshme, por kemi vendosur të ecim në rrugë të ndara. Ende kemi shumë respekt dhe kujdes për njëra-tjetrën, por ishte e nevojshme të fokusonim kohën dhe energjinë tonë në karrierat muzikore,” është shprehur Sandé.

    Emeli Sandé dhe pianistja klasike bullgare Yoana Karamova e bënë publike lidhjen e tyre në prill të vitit 2022, ndërsa fejesën e njoftuan në shtator të po atij viti.

    Çifti kishte planifikuar të kurorëzonte lidhjen me martesë në vitin 2023, por ceremonia u shty për shkak të angazhimeve të shumta profesionale të këngëtares. Në fund, ato vendosën që secila të vazhdonte rrugëtimin e saj individual.

  • Konfirmohet ndarja e Karol G dhe Feid, gjithçka pa drama

    Konfirmohet ndarja e Karol G dhe Feid, gjithçka pa drama

    Karol G dhe Feid, një nga çiftet më të njohura dhe më të dashura të skenës muzikore latine, i kanë dhënë fund lidhjes së tyre pas rreth tre vitesh bashkë. Pas një periudhe të gjatë spekulimesh nga fansat, ndarja është konfirmuar nga TMZ, e cila raporton se gjithçka ka ndodhur pa konflikte dhe në mënyrë miqësore.

    Sipas burimeve pranë dy artistëve kolumbianë, ata e kanë mbyllur lidhjen “në heshtje” disa muaj më parë dhe kanë ruajtur respektin dhe marrëdhëniet e mira me njëri-tjetrin. Dyshimet për një ndarje nisën të qarkullonin që në tetor 2025, kur fansat vunë re mungesën e postimeve të përbashkëta në rrjetet sociale, që nga muaji maj.

    Edhe pse Karol G dhe Feid u panë së bashku për herë të fundit gjatë pushimeve në korrik, ajo dalje rezultoi të ishte paraqitja e tyre e fundit publike si çift. Megjithatë, të dy vazhdojnë ta ndjekin njëri-tjetrin në Instagram, çka ka përforcuar idenë se ndarja ka qenë e qetë.

    Çifti ka qenë gjithmonë i rezervuar sa i përket jetës personale. Karol G ka treguar më herët për revistën Rolling Stone se në fillimet e njohjes nuk kishin shumë kontakt, ndërsa lidhja e tyre u konfirmua publikisht në qershor të vitit 2023, kur u fotografuan duke u mbajtur për dore në Miami.

  • Foto që po bën xhiron e rrjetit: Justin Bieber me djalin Jack Blues

    Foto që po bën xhiron e rrjetit: Justin Bieber me djalin Jack Blues

    Hailey Bieber ka ndarë me ndjekësit e saj një moment të ngrohtë familjar, duke publikuar në Instagram Stories një foto të bashkëshortit të saj, Justin Bieber, teksa mban në krahë djalin e tyre, Jack Blues. Postimi, i shpërndarë të hënën më 19 janar, mori menjëherë vëmendjen e fansave dhe mediave.

    “Njësoj si babai!”/ Fotoja e Justin Bieber me të birin bën xhiron e rrjetit

    Në imazh, Justin Bieber, 31 vjeç, shfaqet pa bluzë, duke ekspozuar tatuazhet e tij karakteristike, ndërsa mban me kujdes djalin e vogël me flokë biondë. Hailey, 29 vjeçe, e shoqëroi foton me mbishkrimin “Njësoj si babai”, duke theksuar ngjashmërinë mes Justin-it dhe të birit.

    Modelja nuk është e panjohur për ndarjen e copëzave nga jeta e saj si nënë. Në fillim të këtij viti, ajo publikoi disa foto në Instagram, ku ndjekësit mundën të shihnin detaje të vogla nga Jack Blues, i cili erdhi në jetë në gusht të vitit 2024.

    Mes postimeve, Hailey ndau një imazh të flokëve të çelët të djalit dhe një tjetër ku shfaqej byzylyku i saj i këmbës me emrin e Jack Blues, duke emocionuar fansat me këto momente intime familjare.

  • Brooklyn Beckham kundër prindërve, por pranë motrës së vogël

    Brooklyn Beckham kundër prindërve, por pranë motrës së vogël

    Brooklyn Beckham po përpiqet të mbajë një raport të afërt me motrën e tij 14-vjeçare, Harper, edhe pse marrëdhëniet brenda familjes Beckham janë përkeqësuar ndjeshëm. Burime të afërta me të bëjnë të ditur se ai ka zgjedhur ta mbështesë motrën, duke e mbajtur atë larg përplasjes që ka me prindërit.

    Raporti i Brooklyn me Victoria dhe David Beckham vazhdon të jetë i tensionuar. Në reagime publike në rrjetet sociale, ai i ka akuzuar prindërit se kanë tentuar vazhdimisht të ndërhyjnë dhe të dëmtojnë martesën e tij me aktoren Nicola Peltz, si dhe se kanë ndikuar në mënyrën se si media ka pasqyruar konfliktin familjar.

    Brooklyn ka lënë të kuptohet se nuk është i interesuar për një pajtim me prindërit e tij dhe se synon të ndërtojë jetën e tij i pavarur, pa ndikimin e tyre. Ndryshe nga ky qëndrim, ai po përpiqet të ruajë një lidhje të shëndetshme me Harper-in, duke shmangur përfshirjen e saj në debatet familjare.

    Sipas raportimeve, përçarja brenda familjes ka zgjatur prej muajsh, ndërsa disa burime sugjerojnë se Brooklyn ka kufizuar kontaktet me disa anëtarë të familjes, përfshirë edhe në rrjetet sociale.

    Konflikti ka tërhequr vëmendjen e mediave ndërkombëtare dhe duket se ende nuk ka shenja për një zgjidhje të shpejtë. Ndërkohë, publiku dhe fansat vazhdojnë të ndjekin nga afër zhvillimet në familjen e njohur Beckham.

  • Perrie Edwards dhe Alex Oxlade-Chamberlain bëhen prindër sërish

    Perrie Edwards dhe Alex Oxlade-Chamberlain bëhen prindër sërish

    Këngëtarja britanike Perrie Edwards dhe i fejuari i saj, futbollisti Alex Oxlade-Chamberlain, janë bërë sërish prindër. Çifti ka mirëpritur në jetë fëmijën e tyre të dytë, një vajzë.

    Edwards, 32 vjeçe, e ndau lajmin e bukur me ndjekësit në Instagram, ku zbuloi edhe emrin e veçantë të së voglës: Alanis Valentine. Njoftimi u shoqërua me një foto bardhë e zi, ku këngëtarja shfaqet duke mbajtur në krahë foshnjën e porsalindur.

    Në imazh shihen gjithashtu Alex Oxlade-Chamberlain dhe djali i tyre katërvjeçar, Axel, teksa mbajnë dorën e vogëlushes. Postimi u mbush me komente urimi nga fansat dhe miqtë e çiftit, mes tyre edhe këngëtarja Pixie Lott, e cila shkroi: “Urime, sa bukur!”.

  • Përkushtim i rrallë nga Timothée Chalamet, stërvitet 7 vite për një rol filmik

    Përkushtim i rrallë nga Timothée Chalamet, stërvitet 7 vite për një rol filmik

    Timothée Chalamet ka zbuluar se ka kaluar plot shtatë vite duke u stërvitur në pingpong për rolin e tij në filmin e ri “Marty Supreme”. Aktori 29-vjeçar tregoi se përgatitjet nisën që në vitin 2018, pas takimit me regjisorin Josh Safdie, ndërsa gjatë pandemisë së koronavirusit ai filloi të luante pingpong në mënyrë të rregullt, duke e kthyer stërvitjen në pjesë të përditshme të jetës së tij.

    Në një intervistë për The Tonight Show, Chalamet tha se procesi nuk ishte i pandërprerë, por kërkonte shumë përkushtim dhe disiplinë. Ai theksoi se e sheh punën si një dhuratë dhe se kjo e shtyu të jepte maksimumin në përgatitje për rolin e Marty Mauser, personazh i frymëzuar nga kampioni legjendar i pingpongut Marty Reisman, në New York-un e viteve ’40. Madje, aktori mbante gjithmonë me vete një tavolinë pingpongu, edhe gjatë xhirimeve të filmave “Dune” dhe “Wonka”, për të mos ndërprerë stërvitjen.

    Duke folur për mesazhin e filmit, Chalamet tha se “Marty Supreme” është një histori për sakrificën dhe ndjekjen e ëndrrave, veçanërisht në kohë të vështira për të rinjtë. Filmi, i cili pritet të ketë premierën në Mbretërinë e Bashkuar më 26 dhjetor, përcjell mesazhin e besimit në vetvete dhe këmbënguljes për të mos pranuar dështimin si përgjigje, një temë me të cilën aktori shprehet se identifikohet thellësisht.

  • Justin Bieber këndon hitin e Eminem, por interneti “e tall” performancën e tij

    Justin Bieber këndon hitin e Eminem, por interneti “e tall” performancën e tij

    Justin Bieber ka marrë vëmendje të madhe në internet pas një performancë ku ai interpretoi një pjesë të ikonës rap Eminem, duke përfshirë vargjet e tij në “Forgot About Dre” gjatë një transmetimi live. Klipi viral tregon yllin kanadez duke u përpjekur me stilin e famshëm të Eminem, për të eksploruar një zhanër tjetër muzikor dhe për të nderuar legjendat e hip‑hopit.

    Reagimet në rrjetet sociale kanë qenë të përziera. Disa fansa e kanë përshëndetur performancën si një nismë interesante dhe një bashkim i dy gjeneratave në muzikë, duke vlerësuar guximin e Bieber për të provuar diçka të re. Megjithatë, ka edhe komentues që dalin ironikë dhe kritikë, duke e cilësuar performancën si “qesharake” ose jo bindëse, dhe duke u tallur me përpjekjet e tij në një zhanër që tradicionalisht i përket Eminem.

    Madje reagimet kanë ndarë edhe opinionet e adhuruesve , disa e shohin këtë si një lëvizje pozitive dhe argëtuese nga Bieber, ndërsa të tjerë mendojnë se ai nuk i kap dot ritmet dhe stilin agresiv të Eminem, duke bërë që klipi të shpërndahet mjaftueshëm në platforma si X (Twitter), TikTok dhe YouTube