Shuma që Komisioni i Pavarur për Miniera dhe Minerale, inkasoi nga janari deri në shtator, kap një vlerë prej më shumë se 21.2 milionë eurosh.
KPMM planifikon që deri në fund të vitit, të gjeneroj 29.5 milionë euro, në total.
Renta minerare që paguajnë kompanitë e licencuara në Kosovë, është burimi kryesor i të hyrave, për rregullatorin e sektorit minerar.
Prej kësaj pagese, KPMM inkasoi rreth 20.5 milionë euro, për nëntë muaj.
ATV ka siguruar qasje në raportet vjetore, jo-publike për vitet 2022 dhe 2023, derisa ka vërejtur se të hyrat e gjeneruara nga renta minerare, kanë trend të rënies.
Në vitin 2022, rregullatori inkasoi afro 29.9 milionë euro, pikërisht nga pagesat e rentës.
Në vitin pasues, KPMM fitoi më shumë se 26.7 milionë euro, prej kësaj kategorie.
Prej fundit të vitit 2022 deri në maj të këtij viti, KPMM e pati të pamundur shqyrtimin e aplikimeve të kompanive për licencë, meqë nuk kishte bord aktiv.
Daut Fazlija, është në pritje të shqyrtimit të aplikimit për licencë për kompaninë e tij, që nga marsi i vitit 2022. Në baza vjetore, ai pagoi 150 mijë euro për rentë minerare.
“Për rentë minerare kemi paguar 150 mijë euro në vit, vetëm rentë, më pas edhe TVSH-ja është e trefishuar”, tha Fazlija.
Burime brenda KPMM-së i thanë ATV-së, se edhe me zgjedhjen e bordit të ri të përbërë nga tre anëtarë, qindra aplikacione kanë mbetur pa u shqyrtuar.
Sipas ligjit për Miniera dhe Minerale, kompanive nuk iu lejohet operimi pa licencë dhe rrjedhimisht kur nuk ka eksploatim, nuk ka pagesë për rentë minerare.
Ndërkaq, ndërmarrja “Trepça”, sipas raportit të KPMM-së, nuk paguan fare për rentë minerare dhe vazhdon të trajtohet me prioritet për tu pajisur me licencë. /atvlive.tv

Leave a Reply