Përgatiti: Nora Luta
Ish-ministrja e Integrimeve Evropiane, Dhurata Hoxha, nuk ishte e pranishme në sallën e gjykimit këtë të hënë, kur Gjykata e shkallës së parë dha verdiktin për akuzat që rëndojnë ndaj saj për keqpërdorim të detyrës zyrtare.
Themelorja e liroi Hoxhën, Ekrem Tahirin, Fitim Mustafën dhe Gëzim Dushin, zyrtarit për komunikim nga të gjitha akuzat.
Gjykata tha se nuk është vërtetuar përtej dyshimit të bazuar mirë se Hoxha përdori një kontratë të Ministrisë për shërbime të informimit publik, për fushatën e saj si deputete në vitin 2019.
Aktakuza ndaj Hoxhës dhe të tjerëve ishte ngritur gjatë vitit 2022, ndërsa në këtë proces u mbajtën 16 seanca, e u dëgjuan shumë dëshmitarë, në mesin e tyre edhe ekspertë financiarë.
Prokuroria Speciale e akuzonte Hoxhën se kontratën e Ministrisë që ishte për të informuar qytetarët për procesin e liberalizimit të vizave, e shfrytëzoi për fushatën e saj si deputete, duke i shkaktuar dëm buxhetit të shtetit 143 mijë e 447 euro.
Për keqpërdorim të detyrës zyrtare akuzoheshin edhe Fitim Mustafa, në cilësinë e zyrtarit të prokurimit, dhe Gëzim Dushi në atë të komunikimit, ndërsa Ekrem Tahiri, si drejtor i kompanisë “PR Solution”, akuzohej për ndihmë në kryerjen e veprës penale të keqpërdorimit të detyrës zyrtare.
Mustafa e Hoxha akuzoheshin për të njëjtën vepër penale edhe në një rast tjetër, por Apeli në shtator të këtij viti e ka vërtetuar aktgjykimin lirues të Gjykatës Themelore në Prishtinë.

Leave a Reply