ATV

Ekzekutivi mburret me rritjen e pagave, ekonomistët: Paga mesatare nuk i mbulon shpenzimet

Written by

in

Përgatiti: Benita Zeneli

Paga mesatare mujore bruto në Kosovë, gjatë vitit 2023 ishte 570 euro, 49 euro më shumë sesa në vitin 2022.

Ndërsa, krahasuar me vitin 2020 kur ajo ishte 466, deri në vitin 2023, sipas Agjencisë së Statistikave të Kosovës, ajo për tri vite ka shënuar rritje për 104 euro.

Me këto të dhëna është mburrur ministri Hekuran Murati, duke shtuar se të njëjtat demantojnë ata që kanë mohuar rritjen e pagave.

Megjithatë, njohësit e ekonomisë vlerësojnë se rritja e pagave nuk është në proporcion me ngritjen e çmimeve.

“Në qoftë se e analizojmë nivelin apo fuqinë blerëse të këtyre pagave “të rritura”, krahasuar me vitin 2020, janë shumë më të ulëta sesa kanë qenë. Varësisht nga trendet ekonomike, inflacionin duke e përcjellë duhet të vendoset në rritje të pagës. Është shqetësuese që në Kosovë flitet për pagë mesatare e minimale, por askush nuk e kalkulon nevojën për një pagë të jetës ku dihet që shkencërisht e analizuar që për një familje katëranëtarëshe duhet një pagë 1140 euro”, tha Safet Gërxhaliu, njohës i ekonomisë.

“Ne kemi nevojë për ribalancim të pagës, sepse shpenzimet mbi të ardhurat nuk janë të barabarta dhe ne atëherë kemi jo rritje, por në keqrritje apo në një mosbalancim ekonomik, sepse çdo rritje goditet me pjesën e inflacionit, me shportën e konsumit”, tha Adem Qorrolli, njohës i ekonomisë.

Brenda vitit 2022-2023, në sektorin publik janë ngritur pagat për 18 %, ndërsa në atë privat për vetëm 8,9 %.

Ndërkaq, nga mbi 400 mijë të punësuar në Kosovë, vetëm mbi 80 mijë janë të punësuar në sektorin publik.

“Në vend se ata të jenë të stimuluar dhe të motivuar, sot frytet e mundin e sektorit privat i shfrytëzon administrata dhe ndërmarrjet publike që çdo ditë e më tepër janë duke dështuar”, tha Gërxhaliu.

“Rritja ekonomike nuk kalon 4% dhe kur inflacioni më 2023 është 16% dhe 2024 është duke u ribalancu me 3 deri 6% atëherë neve nuk na japin këto shifra sepse e dimë që sektori shtetëror udhëheq me 80 mijë të punësuar, kurse pjesa tjetër është e sektorit privat atëherë këtu matet mirëqenia”, tha Qorrolli.

Megjithatë, sipas ministrit të Financave, Hekuran Murati, është punuar edhe në ngadalësimin e rritjes së inflacionit, derisa ka publikuar një tabelë të TradingEconomics që Kosovën e ngre në shtetet me shkallën më të ulët të inflacionit në Evropë.

Comments

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *