ATV

Procesi i Berlinit-Scholz kërkon dinamikë të re në dialogun Kosovë-Serbi

Written by

in

Përgatiti: Fatlum Jashari

Samiti i dhjetë i Procesit të Berlinit rezultoi me nënshkrimin e marrëveshjeve për Tregun e Përbashkët Rajonal dhe për Mobilitetin, si dhe miratimin e deklaratës për fqinjësi të mirë, ndërmjet gjashtë shteteve të Ballkanit Perëndimor.

Pasi theksoi se Bashkimi Evropian është i plotë vetëm me Ballkanin Perëndimor brenda, kancelari i Gjermanisë Olaf Scholz vlerësoi se me këto ujdi rajoni po bën hapa të mëdhenj drejt integrimit.

“Dua t’ju falënderoj për zhbllokimin e CEFTA-s. Kjo marrëveshje nuk është asgjë më pak sesa një hap i madh përpara në bashkëpunim rajonal. Dhe zhbllokimi i CEFTA-s lejon, tani lejon një mori marrëveshjesh të aktivizohen, për shembull: në punën e kalimeve kufitare, lejeve dhe rregullat tregtare rajonale. Kjo do të ndihmojë për thellimin e mëtejmë të Tregut të Përbashkët Rajonal. Do të doja të përshëndes Kosovën për kontributin në këtë sukses, duke vendosur që të hapë në mënyrë permanente një pikë kufitare për mallrat nga Serbia, javën e kaluar”, tha kancelari Olaf Scholz.

Teksa negociatat i vlerësoi si të vështira, kancelari Scholz përmendi deklaratën e dakorduar dhe theksoi rëndësinë e, siç u shpreh ai, tejkalimit të së kaluarës dhe angazhimit për pajtim.

“Kemi nevojë për një dinamikë të re në procesin e normalizimit ndërmjet Serbisë dhe Kosovës. Kështu që dua t’u them miqve tanë nga Beogradi dhe Prishtina, ju lutem mos lejoni të kaluarën t’ju mbajë prapa në rrugën drejt një të ardhme paqësore dhe prosperuese. Mbetem i bindur se e ardhmja është në BE dhe ka vetëm një rrugë që çon atje, mirëbesimi dhe zbatimi i plotë i marrëveshjeve që tashmë keni arritur”, tha Scholz.

Në frymën e bashkëpunimit rajonal, në Berlin, kryeministri Albin Kurti njoftoi për lehtësimin e njëanshëm të lëvizjes me Bosnjë e Hercegovinën, përkundër se ky shtet nuk e njeh Kosovën.

“Përderisa entiteti i Republikës Serbe refuzon ratifikimin e marrëveshjes së mobilitetit për lëvizjen e lirë me letërnjoftime, të cilën vendi im ishte i pari në rajon që e ratifikoi në Parlament, unë kam vendosur t’i jap fund pritjes. Duke filluar nga 1 janari i vitit të ardhshëm, Republika e Kosovës do të lejojë në mënyrë të njëanshme lëvizjen e lirë me letërnjoftime të qytetarëve të Bosnjës dhe Hercegovinës”, tha Kurti.

Me këtë rast, kryeministri kërkoi që Kosovës t’i jepet statusi i vendit kandidat për anëtarësim në Bashkimit Evropian.

Ndërsa, edhe në konferencën e përbashkët me presidenten e Komisionit Evropian, Ursula Von der Leyen, kancelari gjerman rëndësi të veçantë i kushtoi deklaratës së darkorduar për fqinjësi të mirë, si dhe zhbllokimit të CEFTA-s.

Pasi tha se tani, për dallim nga dekada e kaluar, zgjerimi është në krye të agjendës së BE-së, Von der Leyen theksoi rëndësinë e Planit 6 miliardësh të Rritjes si plotësim i Procesit të Berlinit, me qëllim përshpejtimin e integrimit të rajonit.

“Me Planin e Rritjes, ne hapim derën ndaj sektorëve specifikë të Tregut Unik Evropian. Për të përdorur këtë hapje, Ballkani Perëndimor duhet të miratojë reforma relevante për të një fushë të nivelizuar të lojës dhe këto reforma mbështeten, si kthim, me investime evropiane në secilin shtet”, tha Von der Leyen.

Të dy liderët evropianë theksuan se procesi i anëtarësimit do të jetë i bazuar në merita dhe se shtetet e Ballkanit Perëndimor nuk do të mund ta bllokojnë njëra-tjetrën.

Comments

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *