Përgatiti: Fatlum Jashari
Caktimi i takimit të radhës në nivel kryenegociatorësh, në kuadër të dialogut Kosovë-Serbi, është pjesë e misionit të Përfaqësuesit të Posaçëm të Bashkimit Evropian, Miroslav Lajcak, në vizitën e paralajmëruar në Prishtinë, këtë javë.
Pa dhënë një datë, lehtësuesit e procesit të dialogut këmbëngulin që Besnik Bislimi e Petar Petkovic t’i kthehen diskutimeve në Bruksel sa më shpejtë.
“Sigurisht, qëllimi ynë është që të kemi një takim kryenegociatorësh sa më parë të jetë e mundur, ka shumë gjëra në tavolinë, të cilat duhet të zgjidhen”, tha zëdhënësi i BE-së për Punë të Jashtme dhe Siguri, Peter Stano.
Zëdhënësi i bllokut 27-anëtarësh përsëriti qëndrimin për mbylljen e pesë zyrave paralele ilegale serbe, në katër komunat në veri të Kosovës.
“E konsiderojmë si shumë të pashëndetshëm, edhe një hap i njëanshëm dhe i pa bashkërenduar që ka kapacitet për të rritur tensionet dhe çuar në esklaim, në një situatë veçse të brishtë në terren. Ne po u përcjellim autoriteteve të Kosovës qëndrimet tona lidhur këtë sekuencë veprimesh të njëanshme dhe të pa bashkërenduara. Mund të theksoj se kemi konkluzionet e shteteve anëtare, nga viti i kaluar, të cilat saktësojnë se dështimi për deeskalim, do të ketë pasoja”, tha Stano.
Të martën pasdite, Përfaqësuesi i Posaçëm për Dialog, Miroslav Lajcak, do të ketë mundësi diskutimi me Ministren për Punë të Jashtme, Donika Gërvalla, në kuadër të Forumit Strategjik në Bled të Sllovenisë.
Kryediplomatja kosovare dhe emisari evropian do të jenë pjesë e panelit me temë “Evropa e plotë dhe e lirë: zgjerimi si projekt strategjik për pajtim”.
Në të njëjtin panel figurojnë edhe ambasadori i SHBA-së në Serbi, Chris Hill, si dhe ministrja për Integrim Evropian e Serbisë, Tanja Miscevic.
Pas Bledit, në kuadër të përpjekjeve për caktimin e një takimi të ri Bislimi-Petkovic, ndalesa e radhës për Lajcak do të jetë Prishtina.

Leave a Reply