Përgatiti: Sara Shehu
Një i vrarë dhe pesë të tjerë të plagosur është bilanci i përleshjes me armë zjarri, të dielën rreth orës 22:00 në Aktash të Prishtinës.
Pas intervenimit mjekësor, gjendja shëndetësore e të plagosurve është jashtë rrezikut për jetë, derisa dy nga ta janë duke u trajtuar në klinikën kirurgjike, tjetri në kardiokirurgji dhe dy të tjerë në Ortopedi.
Tensionet mes dy grupeve, Capa dhe Sekiraqa kanë vazhduar edhe në ambientet e QKUK-së.
Sipas burimeve të ATV-së, disa anëtarë të familjes Capa kanë tentuar të hynë brenda Emergjencës, tek të plagosurit e Sekiraqëve, mirëpo ata u ndaluan nga policia, dhe si pasojë e kësaj klinika e Emergjencës për disa orë ka qenë e bllokuar.
Ndërkaq, derisa Prokuroria Themelore e Prishtinës, është deklaruar lidhur me rastin e përleshjes Capat-Sekiraqa duke thënë se përleshje ka ndodhur si shkak i një mosmarrëveshje të mëhershme mes dyja familjeve, ky organ i akuzës njofton se ndaj pesë të plagosurve, të cilët janë tashmë të dyshuar për rastin është lëshuar urdhri për ndalim.
Po ashtu, Prokuroria ka njoftuar se po zhvillohen hetime për t’i zbuluar edhe personat e tjerë të përfshirë në rast.
Përveç kësaj, gjatë të hënës në vend të ngjarjes është gjetur edhe një revole tjetër.

Leave a Reply