ATV

Shporta e konsumatorit, “më e shtrenjtë” këtë verë

Written by

in

Përgatiti: Driton Sadiku

Shporta e konsumatorit ishte më e shtrenjtë këtë verë, se në të kaluarën.

Sipas Agjencisë së Statistikave, inflacioni në muajin korrik ishte 2,2%.

Prej produkteve bazike që iu rrit çmimi janë kafeja e çaji me 7,7%, pemët me 6,3 dhe buka me 3,1%. Diçka më pak u shtrenjtuan produktet e qumështit, me 0,3%. Ndërsa, perimeve iu ul çmim për 5,2%, në krahasim me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar.

Megjithatë, sipas Odës Ekonomike, këto të dhëna janë brenda parashikimeve.

”Në qoftë se i shohim të dhënat e fundit të ASK-së, ne e shohim një dallim ose një ngritje të çmimeve në 2,2 për qind që është një rritje paralel me inflacionin. Në qoftë se ndalim tek rritja e çmimeve besoj që është në marzhën e arsyeshme dhe nuk është një rritje shumë e madhe që vërehet te qytetarët”, tha kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Lulzim Rafuna.

Ekonomistët thonë se në rritjen e çmimeve gjatë verës, ndikon edhe fluksi i mërgimtarëve, gjë që bën të rritet kërkesa.

Por, kjo rritje sezonale, sipas ekonomistit Fidan Qerimi, po vazhdon edhe përtej verës, e po ndikon te banorët rezidentë.

“Pas shkuarjes së mërgimtarëve ose kalimit të kohës së festave çmimet mbesin të larta edhe për një periudhë më të gjatë. d.t.th ofruesit e produkteve dhe shërbimeve kanë një tendencë më të ngadalshme të uljes së çmimeve sesa të rritjes dhe kjo ka një ndikim negativ në buxhetin e qytetarëve”, tha Qerimi.

Derisa vendi ka ekonomi të tregut të lirë, shteti nuk mund të ndërhyjë edhe aq te çmimet, por një rol të madh mund ta luajë autoriteti i konkurrencës, megjithatë nga aty nuk treguan për televizionin nëse kanë gjobitur ndokënd për abuzim me çmime.

Sipas të dhënave të korrikut, përveç produkteve të shportës, për 22% u shtrenjtuan biletat e fluturimeve. Lëndët djegëse, druri e peleti janë më të shtrenjta për 6%, ndërsa karburantet për 2,1%.

Comments

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *