Pasi Bashkimi Evropian tha se do ta fusë çështjen e Urës së Ibrit në agjendën e bisedimeve të procesit të dialogut mes Kosovës dhe Serbisë, ka reaguar Qeveria e Kosovës.
Në një përgjigje për ATV-në, zëdhënësi i Qeverisë, Përparim Kryeziu tha se kjo çështje ka qenë pjesë e diskutimeve të mëhershme në Bruksel, duke shtuar se BE-ja kishte vlerësuar që kjo urë të hapet qysh në vitin 2019 me të përfunduar punimet.
“Çështja e Urës së Mitrovicës mbi lumin Ibër veçse ka qenë pjesë e diskutimeve të mëhershme në Bruksel. Për të ka marrëveshje ndërmjet palëve në kuadër të dialogut në vitin 2015, ka plan zbatimit të Bashkimit Evropian për hapjen e saj nga viti 2016, dhe vlerësim nga vetë Bashkimi Evropian në vitin 2019 se punimet në urë kanë përfunduar dhe se ajo duhet të hapet për qarkullimin e automjeteve pa vonesa apo pengesa të mëtejme. Në dialog kemi nevojë për takime në të cilat kryeqendër e agjendës është zbatimi i Marrëveshjes Bazike, statusin e të cilës në vazhdimësi po e vë në dyshim Serbia siç bëri edhe në fund të muajit qershor kur kryeministri i Serbisë, nga Kuvendi i Serbisë thotë se Serbia nuk e ka pranuar Marrëveshjen Bazike. Në fakt, statusi i Marrëveshjes Bazike duhet të jetë shqetësimi dhe angazhimi kryesor në Bruksel. Për këtë e kanë përkushtimin tonë, si Qeveri e Republikës së Kosovës”, deklaroi zëdhënësi i Qeverisë, Përparim Kryeziu.
Ndryshe, sipas BE-së hapja e urës në mënyrë të njëanshme do të rrisë tensionet në veri të Kosovës, madje BE-ja i ka bërë thirrje kryeministri të Kosovës, Albin Kurti, të mos vazhdojë me veprime të njëanshme.
Këto paralajmërime të BE-së vijnë pasi Qeveria e Kosovës ka marrë iniciativë për hapjen e urës së Ibrit.
Qeveria ka kryer testimet e qëndrueshmërisë së urës dhe është në pritje të një raporti vlerësues nga kompania që ka bërë matjet dhe testimet nëse ura i plotëson kushtet për qarkullimin e automjeteve.

Leave a Reply