Përgatiti: Nora Luta
Shumë persona përfunduan në pranga e pasuri milionëshe u sekuestruan, dhe u ndërmorën një sërë veprimesh nga Prokuroria Themelore e Ferizajt në rastin “Brezovica” para dy vitesh.
Por, nga ngritja e aktakuzës në dhjetor të 2022-s, ende nuk ka filluar shqyrtimi kryesor në këtë rast që u transferua në Gjykatën e Pejës, për shkak të dyshimeve të ngritura se vila të sekuestruara u përkisnin gjyqtarëve të Gjykatës së Ferizajt.
E dëgjimi i dëshmitarëve nuk filloi as këtë të martë, pasi Prokuroria kërkoi përjashtimin e kryetares së trupit gjykues, gjyqtares Nushe Kuka-Mekaj.
Prokurori Rasim Maloku e konsideron konflikt interesi faktin që avokati Besnik Berisha është mbrojtës i djalit të gjyqtares Asdren Mekaj, në një rast në Gjykatën e Prizrenit, dhe i Arben Çitakut në rastin Brezovica.
Prokuroria qysh në dhjetor kishte kërkuar përjashtimin edhe të avokatit Tahir Recaj.
Gjyqtarja Nushe Kuka-Mekaj, e cila në këtë rast fillimisht ishte anëtare e trupit gjykues, para se të zërë vendin e gjyqtarit Murat Hulaj, që kaloi në Supreme, qysh në fillim të seancës përmendi rastin e ngritur nga prokurori Maloku.
Por ajo nuk e konsideron konflikt interesi, megjithatë për këtë do të vendosë kryetari i gjykatës.
Rasti i djalit të gjyqtares, Asdren Mekaj, sipas Gjykatës Themelore të Prizrenit, është aktiv.
Televizioni që nga java e kaluar ka tentuar të marrë një qëndrim nga avokati Berisha, por ai nuk ka kthyer përgjigje. Përgjigje nuk kishte kthyer as Gjykata e Pejës.
Mekaj akuzohet për veprën penale “detyrim” dhe seanca e 4 marsit në mungesë të palëve kishte dështuar të mbahet, dhe ishin caktuar të mbahen seancat e radhës më 13 dhe 14 maj.
Ndërkohë, në rastin Brezovica në mesin e 12 personave, inspektorë, drejtorë komunalë e investitorë, akuzohen edhe ish-kryetari i Shtërpcës, Bratislav Nikoliq, ish-sekretari i përgjithshëm i Ministrisë së Mjedisit, Abren Çitaku, dhe kryeinspektori Bedri Halimi.
Mungesa e këtij të fundit për arsye shëndetësore ishte gjithashtu shkak që seanca të mos zhvillohet dhe mbrojtja e tij ka kërkuar veçim të procedurës.
Sipas aktakuzës, me ndërtime të kundërligjshme në Parkun Kombëtar “Sharri” është bërë degradimi i papërmirësueshëm i mjedisit dhe janë rrezikuar pasuritë e mbrojtura natyrore në Brezovicë.

Leave a Reply