Përgatiti: Armand Hoti
Minatorët e “Trepçës” në Stan Tërg, e ndërprenë të martën grevën e filluar një ditë më parë. Ata morën garanci, se pagat e prillit do të ekzekutohen këtë të premte.
“Nuk kemi shumë pritshmëri, mirëpo do t’iu qëndrojmë në një farë forme besnik fjalëve të menaxhmentit dhe presim deri në ditën e premte, mirëpo është gjendje e rëndë”, tha kryetari i Sindikatës së Minatorëve të “Trepçës”, Ibrahim Jonuzi.
Kryeshefi i “Trepçës”, Bashkim Kurti, thotë se të hyrat e gjeneruara nga shitja e koncentrateve gjatë prillit, nuk mjaftuan për t’i siguruar pagat e punëtorëve.
Mbi tetë mijë tonë xehe, sa u përpunuan në flotacionin në Tunel të Parë dhe Kishnicë, nuk i sollën të ardhura ndërmarrjes, as për t’i mbuluar gjysmën e shpenzimeve mujore.
“Kjo në tërësi është e barabartë diku me 26%, 27% të shpenzimit mujor të “Trepçës”. Shpenzimi mujor i “Trepçës” është diku një milion e 605 mijë euro. Me atë koncentrat ne arrijmë t’i gjenerojmë diku 400 mijë euro”, tha Kurti.
Kryeshefi tregon se greva njëditore i kushtoi ndërmarrjes 45 deri në 50 mijë euro fitim të humbur.
Drejtori i njësisë më të madhe të “Trepçës”, Shyqyri Sadiku, ishte ai që bindi minatorët t’i kthehen punës.
Ai thotë se numri i ulët i punëtorëve dhe teknologjia e vjetruar, bënë që edhe prodhimi në minierë të mos jetë ideali.
Sadiku shpreson se njësia që ai udhëheq, do të këndellet në rast të ekzekutimit të huas 20 milionëshe për “Trepçën”, që qeveria e miratoi në parim në shkurt të 2023-ës.
“Faza e parë është me pjesë rezervë të kësaj makinerie që e kemi, faza e parë do të thotë të bëjmë investime nga Qeveria me atë kredi që e ka premtuar. Faza e dytë, të them të drejtën, është në teknologji më moderne, kurse faza e tretë është për projekte madhore”, tha Sadiku.
Kryeshefi Kurti thotë se së shpejti do të takohet me Ministrin e Financave, Hekuran Murati, për të diskutuar lidhur me 20 milionëshin.
“Ato janë përgatitur, janë dërguar në Ministrinë e Ekonomisë, ME-ja e ka aprovuar si në rregull, d.m.th pajtohen me propozimet që i kanë dërguar, është dërguar në Ministrinë e Financave po pres për një takim me ministrin Murati, potencialisht javën e ardhshme ose këtë javë”, tha Kurti.
Implementimi i projekteve kapitale të parapara në planin investiv, parashihet të zgjasë nga viti aktual deri në vitin 2026.

Leave a Reply