ATV

Betohet presidentja e Maqedonisë së Veriut

Written by

in

Përgatiti: Armand Hoti

Gordana Silanovska-Davkova, e dha betimin të dielën, si presidentja e parë grua në Maqedoninë e Veriut.

“Do të jem presidente e të gjithëve, edhe pjesës së majtë edhe asaj të djathtë të Kuvendit; presidente e të gjithë qytetarëve pavarësisht përkatësisë së tyre etnike, fetare apo politike”, tha Silanovska-Davkova.

Por, gjatë fjalimit, ajo asnjëherë nuk e përmendi emrin kushtetues të shtetit, Maqedonia e Veriut, duke iu referuar vetëm si Maqedoni.

Kjo e nervozoi ambasadoren e Greqisë në Shkup, Sofija Filipidu, e cila në shenjë proteste doli nga salla ku Davkova po mbante fjalimin.

Presidentja e re, kishte paralajmëruar edhe në fushatë, se refuzon ta shqiptojë emrin që iu dha shtetit, pas një marrëveshjeje me Greqinë të arritur në Prespë më 2018.

Megjithatë, Davkova tha se do të punojë për “evropianizimin e vendit së bashku me shtetet e tjera të Ballkanit”.

Mirëpo, nuk foli rreth ndryshimeve kushtetuese që i kërkohen shtetit të saj, bazuar në një marrëveshje me Bullgarinë.

Fokus të veçantë, ajo ia kushtoi angazhimit në fuqizimin e rolit të gruas në Maqedoninë e Veriut.

“Ne nuk duhet vetëm ta feminizojmë politikën, por t`u ndihmojmë burrave të kuptojnë se nuk duhet të heqim dorë. Jo rastësisht, politika, demokracia dhe Maqedonia janë në gjininë femërore. Deputetë ndihmoni gratë ta shprehin atë që kanë, kurse nuk kanë mundur deri tani. Të gjithë ju do të jeni krenarë për Maqedoninë, sikurse që jam unë me popullin tim”, tha Silanovska-Davkova.

Gordana Silanovska-Davkova fitoi bindshëm kundër ish-presidentit, Stevo Pendarovci, në zgjedhjet presidenciale të 8 majit.

Më shumë detaje i gjeni në Edicionit Qendror të lajmeve në videon më poshtë:

Comments

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *