ATV

253 fletëvotime nga 40 mijë të shtypura u përdorën në procesin e votimit në veri

Written by

in

Përgatiti: Driton Sadiku

40 mijë fletëvotime ishin shtypur nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve për procesin e votimit për shkarkimin apo jo të kryetarëve në komunat veriore. Por vetëm 253 prej tyre u përdorën.

Të tjerat, plot 39.747 do të shkatërrohen pa u përdorur fare.

“Në këtë material zgjedhor që do të shkatërrohet nga ana e KQZ-së bëjnë pjesë fletëvotimet pastaj edhe formularët e materialit zgjedhor, listat e votuesve etj. Afati ligjor i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve për ta shkatërruar materiali zgjedhor është më së largu 60 ditë pas certifikimit të rezultatit të atij procesi”, tha zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi.

Përtej kësaj, KQZ-ja shpenzoi edhe para shtesë në këtë proces, për blerjen e kamerave të sigurisë, nëpër çdo vendvotim. E bashkë me fletëvotimet, do të asgjësohen edhe pamjet filmike të regjistruara. Krejt kjo KZQ-së i kushtoi goxha shtrenjtë.

“KQZ-ja kishte në planifikim buxhetor shumën prej 252 mijë eurove. Aktualisht jemi në fazën kur KQZ-ja përmbyll obligimet të cilat dalin në këtë drejtim siç janë pagesat e anëtarëve të këshillave të vendvotimit apo edhe çështje të tjera”, tha Elezi.

Por këto para do të mund të kurseheshin fare lehtë sipas njohësve të politikes, nëse do të dëgjoheshin ndërkombëtarët, teksa thonë se Kosova humbi dy herë në këtë proces.

“Dështimi i atij procesi zgjedhor ka prodhuar dështimin e deeskalimit të situatës, rrjedhimisht heqjen e sanksioneve që është dëmi edhe më i madh sepse dihet që sanksionet e bashkimit evropian kushtojnë me miliona euro. Kalkulimi ka sjellë tek ky rezultat dhe sigurisht dëmet do të vazhdojnë përveç këtij financiar dëmet do të jenë edhe politike”, tha analisti politik, Bekim Kabashi.

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka kohë deri në javën e fundit të qershorit për ta barë shkatërrimin e këtij materiali, derisa aktualisht është në përgatitje të vendimit.

Më shumë detaje i gjeni në Edicionit Qendror të lajmeve në videon më poshtë:

Comments

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *