Përgatiti: Arton Hamiti
Një shpërthim tjetër u dëgjua në veri të Kosovës edhe të premten.
Sikurse një ditë më parë që cak i një granate dore ishte një shtëpi në Zveçan, një mjet shpërthyes u hodh edhe para derës hyrëse të një shtëpie në Mitrovicën e Veriut. Por, këto nuk ishin incidentet e vetme në katër komunat veriore që e shënuan javën.
Një veture dyshohet se iu vu zjarri qëllimisht në Leposaviq. Megjithatë, siguria në prag të votimit për shkarkimin e kryetarëve ose jo, është në nivel të kënaqshëm, vlerësoi Policia.
VOX: Veton Elshani, zëvendësdrejtori i Policisë, rajoni – Mitrovicë e Veriut
“Këto ngjarje nuk kanë të bëjnë aspak me procesin e votimit që është planifikuar të mbahet të dielën. Ne konsiderojmë që situata është e qetë, por delikate duke pasur parasysh të gjitha zhvillimet, sidomos që 1 vit e këndej. Sidoqoftë për çfarëdo situate ne jemi të përgatitur”, tha zëvendësdrejtori i Policisë, rajoni – Mitrovicë e Veriut, Veton Elshani.
Situatë e qetë në katër komunat veriore po vlerësohet edhe nga njohës të sigurisë.
Kurse, kryeministri Albin Kurti tha se kryetarëve shqiptarë të Zveçanit, Leposaviqit, Zubin Potokut dhe Mitrovicës së Veriut, nuk mund t’iu merret mandati ndryshe, përpos rrugës demokratike.
“Njëzet e një prilli është shansi dhe unë i ftoj të gjithë qytetarët në veri, pa dallim etnie, moshe e gjinie që të dalin e të votojnë më 21 prill për t’ua ndërprerë këtyre katër kryetarëve mandatin, ata që mendojnë se nuk kanë qeverisur mirë, apo mendojnë se ka njerëz më të mirë që një orë e më parë duhet të jenë në ato zyra. Por, gjithçka duhet me proces demokratik ligjor, e jo me bandat e dhunshme që rrethojnë ndërtesat e komunave. Ashtu, nuk mund të hysh në zyra”, tha Kurti.
Sipas udhëzimit të miratuar shtatorin e vitit të kaluar, që ky votim të jetë i suksesshëm, duhet 50 për qind, plus një votë e qytetarëve me të drejtë vote, teksa Lista Serbe u ka bërë thirrje serbëve që t’i bojkotojnë edhe votimet e 21 prillit.
Më shumë detaje i gjeni në Edicionin Qendror të lajmeve në videon më poshtë:

Leave a Reply