ATV

Kurti niset për Bruksel pa e parë draft statutin e Asociacionit

Written by

in

Kryeministri Albin Kurti është shprehur i lumtur që, në takimin 2 Majit në Bruksel, do të shohë përmbajtjen e draft-statutit për Asociacionin e komunave me shumicë serbe, i përgatitur nga Ekipi Menaxhues.

Në një intervistë për agjencinë kroate të lajmeve “Hina”, kryeministri, megjithatë, tha se do të ishte më i lumtur po ta shihte draftin në Prishtinë, paraprakisht.

“Do të sigurohem që të përmbushet ajo që është dakorduar më 27 shkurt në Bruksel, ekzistenca e një niveli të duhur të vetëqeverisjes së komunitetit serb, sipas standardeve më të larta ndërkombëtare evropiane për mbrojtjen e pakicave. Por, ajo që nuk do të lejojmë është territorializimi dhe krijimi i çdo gjëje që do të dukej si Republika Srpska në Bosnjë dhe Hercegovinë. Nuk do të lejojmë një parashtet satelitor, me thelb shkatërrues, që do të minonte shtetësinë e Kosovës”, tha Kurti.

Në një reagim, kryenegociatori i Serbisë, Petar Petkoviç, tha se Kurtit nuk i takon të lejojë ose jo formimin e Asociacionit.

“Marrëveshja e parë e Brukselit, plani i zbatimit i marrëveshjes për normalizimin e marrëdhënieve, fusha e punës dhe mandati i Ekipit Menaxhues, si dhe parimet e përgjithshme për formimin e Asociacionit janë marrëveshje shumë të qarta, të cilat saktësojnë të gjitha obligimet me të cilat përballet Prishtina”, tha Petkoviç.

Në një reagim në rrjetet sociale, Përfaqësuesi i Posaçëm i BE-së për Dialogun, Miroslav Lajcak, e vlerësoi shumë të rëndësishëm takimin ndërmjet kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, dhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vucic.

Miratimi i deklaratës për të zhdukurit gjatë luftës dhe prezantimi i draft-statutit të parë të Asociacionit, janë dy pikat e para në rend dite në takimin që pritet të nisë rreth orës 18, të martën. /atvlive.tv

Edicionin e plotë të lajmeve e gjeni në videon më poshtë:

Comments

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *