Përgatiti: Driton Sadiku
Në ditën e dytë të manifestimit “Ditët e Epopesë së UÇK-së”, krerët shtetërorë bën homazhe në Prekaz.
Duke e cilësuar si ngjarjen më të rëndësishme të kombit shqiptar, të tre liderët u përkulën para varreve të 59 dëshmorëve, të rënë për liri 26 vjet më parë.
“Përkujtimin tonë të përjetshëm për kryekomandantin Adem Jashari dhe gjithë familjen Jashari, të cilët personifikojnë sakrificën më të lartë njerëzore, që ka njohur historia jonë. Epopeja e UÇK-së është epope e krenarisë së popullit tonë, është epope që ka rikthyer dinjitetin e shtetit tonë e mbi të gjitha është epope që simbolizon lirinë që e gëzojmë ne sot”, tha presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani.
Liderët bënë thirrje për vizitë nga të gjithë për siç thanë, të mos harrohet historia.
“Vetëflijimi, vetë sakrifica, vetëmohimi i Jasharëve është Epopeja e UÇK-së në themelet e çlirimit të vendit tonë që paraqet edhe dhimbje e krenari, por edhe besë dhe shpresë për shtetin tonë. Me përkulje respekti, ndjenjë admirimi gjithnjë dhe gjithmonë u jemi falënderues dhe mirënjohës Jasharëve”, tha kryeministri i Kosovës, Albin Kurti.
“Nuk është e rastësishme që gjithë qytetarët shqiptarë kudo që jetojnë në të gjitha anët e botës, vijnë dhe përkulen para varreve të Bacit Shaban, Ademit dhe Hamzës dhe gjithë familjarëve, të cilët u flijuan për lirinë e fëmijëve tanë”, tha kryeparlamentari Glauk Konjufca.
Të mërkurën, Prekazin e vizituan edhe përfaqësues të partive opozitare.
“Këto janë datat të cilat shënojnë kthesën më të madhe në historinë e kombit tonë, sepse ato që kanë ndodhur në viti 1998, jo vetëm që zgjuan vetëdijen tonë kombëtare, por ato për herë të parë morën edhe vëmendjen ndërkombëtare”, tha kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi.
Ditët e 5, 6 dhe 7 marsit shënojnë heroizmin e familjes Jashari në luftën për liri. Në fillimmarsin e vitit 1998, pas një beteje treditore me forcat paramilitare serbe ra Komandanti Legjendar Adem Jashari, së bashku me 58 anëtarë të tjerë.
Më shumë detaje i gjeni në Edicionin Qendror të lajmeve në videon më poshtë:

Leave a Reply