ATV

Qeveria synon ta bartë pronësinë e KOSTT-it nga kuvendi te Ministria e Financave

Written by

in

Përgatiti: Fatlum Jashari

Qeveria synon që pronësinë e aksioneve të Operatorit të Sistemit të Transmisionit – KOSTT ta bartë nga Kuvendi te Ministria e Financave.

Pushteti ekzekutiv synon që këtë ta bëjë nëpërmjet ndryshimeve në propozuara në Projektligjin për Energjinë Elektrike, i cili është vënë në konsultim publik.

Projektligji i sponsorizuar nga Ministria e Ekonomisë parasheh që, brenda 60 ditësh nga hyrja eventuale në fuqi, Kuvendi të iniciojë procedurën për bartje të së drejtës së pronësisë.

“Aktualisht, Operatori i Sistemit të Transmetimit të Energjisë Elektrike i raporton Kuvendit të Republikës së Kosovës. Për t’u siguruar që monitorimi e funksionimi i ndërmarrjes të bëhet në mënyrë optimale e efiçiente, si dhe për të liruar Kuvendin nga barra e mbikëqyrjes, kemi paraparë bartjen e të drejtës së pronësisë së KOSTT-it, te Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve”, tha Edita Pozhegu, këshilltare e Ministres së Ekonomisë.

Referuar praktikave evropiane, eksperti i energjisë, Arben Kllokoqi, tha se kërkohet për dy ose më shumë ndërmarrje publike në sektorin e njëjtë, së paku, pronësinë ta mbajnë ministri të ndryshme.

“Në rast se Qeveria ka asete edhe në transmision, dhe ka pronësi në gjenerim, apo në ndonjë biznes tjetër që ka të bëjë më prodhimin apo shitjen e energjisë elektrike, atëherë praktikë është që të jenë dy ministri të ndryshme. Në disa raste mund të jenë fonde të ndryshime, siç është rasti në Francë. Dhe, në këtë mënyrë arrihet përputhshmëria me direktivën. Megjithatë, përputhshmëria duhet të vlerësohet nga Sekretariati i Komunitetit të Energjisë”, tha Kllokoqi.

Kllokoqi theksoi se, para hyrjes në fuqi të ligjit, duhet një lloj certifikimi nga Komuniteti i Energjisë në Vjenë për të shmangur elemente eventuale të monopolit.

“Përveç konkludimit parimor se është në përputhje, duhet të shikohet se çfarë vendime, si vendoset bordi, çfarë vendime mund të marrë bordi dhe çfarë ndikimi ministritë përkatëse mund të kenë, apo edhe qeveria mund të ketë në vendimet e ndërmarrjes?”, tha Kllokoqi.

Të hënën, në KOSTT nuk u përgjigjën lidhur me ndryshimet e propozuara.

Ndërsa, qëndrim nuk dhanë as deputetë të dy partive opozitare, PDK e LDK.

Comments

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *