Përgatiti: Sara Shehu
Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, tha se, me rritjen e vlerës së koeficientit të pagave në 110 euro, mjekët kosovarë tash e kanë pagën më të lartë në rajon.
Por Oda e Mjekëve të Kosovës po e kundërshton këtë konstatim, meqë thotë se profesionistët shëndetësorë paguhen më mirë në shtetet fqinje.
Paga mesatare për një mjek specialist në Kosovë është 1260 euro, ndërkohë një i tillë në shtetet fqinje, si në Mal të Zi paguhet 2500 euro, kurse Shqipëri dhe Bosnjë Hercegovinë është 2000 euro.
“Nuk pajtohemi me këtë deklaratë të Ministrit, pasi që ne kemi pagën më të ulët të mjekëve në rajon….”, tha kryetari i Odës së Mjekëve të Kosovës, Pleurat Sejdiu.
Sipas kryetarit të Odës, Pleurat Sejdiu, paga e mjekëve në Kosovë është dinjitoze vetëm atëherë kur krahasohet me sektorët e tjerë në nivel vendi, dhe jo me shtetet tjera ballkanike.
“Nëse bëjmë llogaritje për pagat në vend po, por me vende të tjera jo, nuk i kemi më të larta”, tha Sejdiu.
Të pakënaqur me pagat janë edhe infermierët. Ata paralajmëruan grevë para Ministrisë së Shëndetësisë për të hënën, mirëpo i vetmi që doli ishte Enlirat Duraku.
“Infermierët nuk kanë dalë edhe pse kemi pasë së bashku me grevu, këtu para MSH-së, ata po frikësohen. Nuk kanë dalë për këtë, por unë nuk do të ndalem duke pritur që kërkesat tona të realizohen. Pra jemi të vetëdijshëm që 99 për qind të infermierëve janë të frikësuar prej shefave të tyre, sidomos eprorëve të tyre, pra frika është shkaku kryesor”, tha Duraku.
Në bazë të ligjit të pagave, infermierët paguhen nga 535.5 deri 588 euro, derisa ndihmësit e tyre i marrin nga 472 euro. Kurse kryeinfermieri merr rrogë prej 672 eurosh deri 651.

Leave a Reply