Përgatiti: Fatlum Jashari
Për presidenten Vjosa Osmani çështja e rregullores së re të BQK-së, respektivisht implikimeve rreth dinarit, mund të zgjidhet brenda pak orësh pa pasur nevojë për diskutime jashtë vendit.
Ajo theksoi se Kosovës po i kërkohet një plan tranzicioni që merr parasysh nevojat e komunitetit serb, të cilët përfitojnë nga skemat pensionale e sociale nga Serbia.
“Kjo çështje mund të zgjidhet këtu në Kosovë, nuk është dashur të bëhet çështje fare. Unë jam e bindur se nëse ka vullnet me një takim i cili mund të zgjatë disa orë mund të ulen të gjitha institucionet relevante dhe të dalin me hapa konkret, duke u bazuar në ligje dhe të marrim edhe përkrahjen e aleatëve për zbatimin e saj”, tha Osmani.
Pasi paraprakisht tha se marrëdhëniet me SHBA-në, Mbretërinë e Bashkuar dhe shtetet e BE-së duhet të konsiderohen ekzistenciale, presidentja shtoi se dialogu është dëmtuar nga mungesa e balancës nga lehtësuesit evropianë të procesit, duke thënë se pret ndryshime pas zgjedhjeve në BE.
“Pas zgjedhjeve në BE do të kemi komisionerë të rinj, do të kemi zyrtarë të rinj të cilët do ta marrin përsipër procesin e dialogut, sipas të gjitha gjasave edhe ndërmjetësues të ri, nga ajo që më është thënë nga vetë z. Lajçak, i cili e ka mandatin deri në gusht mos qofsha e gabuar”, tha Osmani.
Ndryshe nga presidentja e Kosovës, BE-ja zgjidhjen për dinarin e sheh në Bruksel.
“U kemi dërguar ftesa partnerëve tanë për t’u marrë me një çështje konkrete, tashmë e kemi shpjeguar thellësisht, kështu që tani presim që të dyja palët të pajtohen me të dhe të zgjidhin problemin që është shkaktuar nga një vendim i gjorë dhe i pakonsultuar nga njëra palë, duke afektuar palën tjetër. Ky është roli ynë si lehtësues, nuk jemi komentues të gjithçkaje, ne vetëm përpiqemi t’u ndihmojmë palëve të gjejnë zgjidhje”, tha zëdhënësi i BE-së për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Peter Stano.
Zyrtarë të BE-së nuk komentuan për pasojat eventuale, nëse në takimin e thirrur për 27 Shkurt nuk paraqitet asnjë përfaqësues i Kosovës.
Koment nuk patën as për videon që shpërfaq festën në Kopaonik, të tashmë të kërkuarit nga Interpoli për sulmin terrorist paramilitar në Banjskë, Milan Radojcic, ku mes fishekzjarrësh shihet mesazhi “urime ditëlindjen komandat”.

Leave a Reply