Përgatiti: Donisa Fazliu
Me nderime të larta shtetërore iu dha lamtumira e fundit rreshterit të policisë së Kosovës, i cili u vra të dielën në veri, Afrim Bunjaku.
Në ceremoninë e varrimit morën pjesë qindra qytetarë, përfshirë edhe zyrtarët shtetërorë e ndërkombëtarë.
Figura e Bunjakut u lartësua nga liderët e shtetit, duke e falënderuar atë që mbrojti Kosovën me jetën e tij.
“Fituam një hero, afrimi është personifikim i patriotit e profesionistit që e dëshmoi që nga 2001-shi kur e veshi uniformën. Beteja me terroristët ishte beteja e fundit për të, por jo edhe fundi i tij. Afrimi dje mbrojti integritetin e shtetit e dinjitetin e shtetit. Ai do të kujtohet për sa të jetë Republika”, tha presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani.
“Afrim Bunjaku u qëllua dhe u vra teksa po kryente detyrën bashkë me kolegët e tij, që morën plagë. Në orët që pasuan gjatë ditës, nën dritën e diellit u ndriçuan rrethanat dhe kryesit e këtij akti kriminal dhe terrorist”, tha kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca.
“U ndriçuan nga kolegët e Afrimit, pjesëtarë të Policisë së Kosovës që me profesionalizmin më të lartë reaguan. Ata e kryen detyrën e tyre, e nderuan Afrimin, na nderuan të gjithë neve dhe Republikën e Kosovës”, tha kryeministri i Kosovës, Albin Kurti.
Derisa tha se sulmuesit do t’i ndjekin pa mëshirë, drejtori i Policisë së Kosovës, Gazmend Hoxha, tregoi se sa të vështirë e kanë humbjen e Bunjakut.
“Rreshteri Afrimi, heroi, dha jetën për rendin kushtetues. Po ndahemi nga prindi, vëllai, kolegu, i cili dha jetën për paqe për Kosovën. Bandat që kanë për qellim destabilizim të shtetit, do të dënohen. Sulmet nuk mund të zbrazin Policinë nga detyra jonë e shenjtë. Dora do t’i luftojë pa mëshirë ku janë ata”, tha Hoxha.
Po pavarësisht dhimbjes, familjarët e rreshterit të vrarë ndienjë edhe krenari.
“Dhimbje, por edhe krenari, kur pranojmë ngushëllime nga i gjithë populli. Kjo është dëshmia më mirë se si ia arrijmë të jemi të unifikuar për dhembjen. Ju pjesëtarë të policisë jeni krenaria e vendit, ku nuk kurseni jetët tuaj. Kemi arsye më shumë për të ecur më përpara”, tha Artan Bunjaku, familjar.
Gjatë ditës është mbajtur edhe një mbledhje komemorative, në të cilën presidentja e vendit, Vjosa Osmani, ka ndarë urdhrin “hero i Kosovës”, për rreshterin Afrim Bunjaku.
Në nderim të Bunjakut, e hëna në Kosovë ishte ditë zie.

Leave a Reply