ATV

Ende s’dihet zyrtarisht cilat projekte “preken” nga masat e BE-së

Written by

in

Përgatiti: Arton Hamiti

Që nga korriku, Qeveria nuk e ka treguar numrin e projekteve të cilat ndikohen nga masat ndëshkuese të Bashkimit Evropian. Listën potenciale me projektet të cilat mund të zvarriten si pasojë e pezullimit të bashkëpunimit financiar mes Kosovës dhe BE-së, nuk e ka as Komisioni për Integrime Evropiane.

“Qysh kur Bashkimi Evropian ka vendosur sanksione ne e kemi thirrë për raportim zëvendëskryeministrin e parë Besnik Bislimi, por ai nuk ka treguar për listën e projekteve. Pastaj ne i jemi drejtu edhe përmes një emaili, por nuk ka përgjigje, pra qe 2-3 muaj nuk kemi listë. Po presim këto ditë”, tha Rrezarta Krasniqi, kryetare e Komisionit për Integrime Evropiane.

Kryetarja e Komisionit për Integrime thotë se Kosova ka humbur shumë me vendosjen e masave ndëshkuese.

“Megjithëse nuk kemi një listë zyrtare, ka shumë projekte që preken, Kosova ka humbur shumë”, tha Krasniqi.

Masat ndëshkuese, krahas suspendimit të vizitave bilaterale, përfshijnë ndaljen e programimit të fondeve për Kosovën nga IPA.

Ndërkohë, më shumë se 62 milionë Euro është vlera e përgjithshme e mjeteve financiare që BE-ja u zotua t’i ndajë për Kosovën, në fund të vitit të kaluar, në kuadër të Instrumentit të Para Anëtarësimit – IPA III.

Një pjesë e këtyre parave janë të dedikuara për përmirësimin e mjedisit, infrastrukturën për trajtimin e ujërave të zeza dhe energjinë e gjelbër.
Në kuadër të mjeteve të zotuara, në vlerë 1 miliard euro për Ballkanin Perëndimor për adresimin e krizës energjetike, BE-ja tashmë ia ka ndarë Kosovës 67.5 nga 75 milionë Eurot e fazës së parë.

Sipas dokumentit të Bashkimit Evropian, që e posedon ATV-ja, 55 milionë euro të tjera, fonde që aktualisht janë të suspenduara, janë të planifikuara për dy projekte të energjisë solare: parkun foto-voltaik të KEK-ut dhe atë të Termokosit për ngrohjen e kryeqytetit.

Një projekt tjetër që mund të zvarritet është salla koncertale në Prishtinë.

Edicionin Qendror të lajmeve e gjeni në videon më poshtë:

Comments

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *