Përgatiti: Donisa Fazliu
“T-gjithë N’ Përfshirje”, është motoja e fushatës për ndërgjegjësimin e qytetarëve, lidhur me barrierat me të cilat përballen personat me aftësi të kufizuara.
Erza Kërveshi nga Mitrovica, e cila është me aftësi të kufizuara, tregoi se sa të vështirë e ka qasjen në shkollë.
“Unë edhe pse jam në shkollë mungesa e qasjes është shumë, në kabinete unë nuk mund të marr pjesë sepse nuk kam qasje asnjëherë, gjithashtu unë duhet të ngas çdo ditë karrocën time bashkë me veturat në të njëjtën rrugë dhe mungesa e transportit është një sfidë tjetër, pasi që ne çdo ditë duhet të pengojmë prindërit tanë për të na dërguar aty, ku ne kemi nevojë”, thotë Erza Kerveshi, qytetare.
Për t’i përmirësuar kushtet për kategori të veçantë të fëmijëve, Qeveria ka thënë se po punohet çdo ditë.
“Kjo nyjë mund të zgjidhet falë angazhimit dhe përkushtimit tonë. Ne si Qeveri do të duhet t’i përmbushim të gjitha të drejtat e sidomos të fëmijëve. Por angazhimi duhet që të jetë edhe nga gjithë institucionet e tjera”, tha zëvendëskryeministrja për Çështje të Pakicave, Emilija Rexhepi.
Drejtoresha e zyrës së Unicef-it në Kosovë, Nona Zicherman, përgëzoi punën e autoriteteve kosovare për të drejtat e personave me aftësi të kufizuar.
Ndërsa, përfaqësuesi i Bashkimit Evropian ka kërkuar që çdo akt nënligjor, sa u përket personave me aftësi të kufizuar të zbatohet, derisa nuk la pa bërë thirrje që situata në veri duhet të shtensionohet.
“Siç e dini ligji për mbrojtjen e fëmijëve është miratuar, por formimi i akteve nënligjore dhe zbatimi po vonojnë. Konsiderojmë që skemat financiare duhet të iu përgjigjen nevojave të fëmijëve dhe tasteve sociale. Situata aktuale politike na bën thirrje që të fokusohemi në shtensionimin e situatës në veri, Qeveria të bëjë shtensionimin në përputhje me rekomandimet e BE-së”, tha përfaqësuesi i BE-së, Johannes Madsen.
Fushata “T-gjithë N’Përfshirje”, e cila ka në fokus rritjen e qasshmërisë për fëmijët me aftësi të kufizuara, do të zgjasë 22 muaj në 4 komuna dhe online në mbarë Kosovën.

Leave a Reply