ATV

Përdorimi i gjuhës së urrejtjes në institucione shtetërore, media e tekste shkollore është në rritje

Written by

in

Përgatiti: Pranvera Krasniqi

Seancat e Kuvendit të Kosovës shpesh janë të zhurmshme. Por, seanca e 13 korrikut eskaloi në përleshje fizike e gjuhë të urrejtjes mes ministrave dhe deputetëve të pushtetit me ata të PDK-së.
Kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca, e pranon se deputetët nuk kanë arritur të jenë shembull i mirë i luftimit të gjuhës së urrejtjes.

“Njëra prej formave më të shprehura e dekurajimit për përfshirjen publike dhe politike, sidomos në grupet më të cenueshme shoqërore, pra është gjuha e urrejtjes. Konsiderohet që përgjegjësia bie mbi secilin përfaqësues politik që jo vetëm ta dënojë gjuhën e cila nxit urrejtje, por edhe të ftojë mbështetësit dhe qytetarët për tolerancë dhe mirëkuptim, pavarësisht dallimeve që i kemi”, tha Konjufca.

Drejtoresha e Nismës së të Rinjve për të Drejtat e Njeriut, Marigona Shabiu, tha se qytetarët janë vazhdimisht dëshmitarë të një kulture fyese të debatit në Kuvend.

“Fillojmë me Kuvendin e Republikës së Kosovës, në këtë institucion që supozohet të jetë forum për promovimin e barazisë, lirisë së gjithë përfshirjes, kemi dëgjuar të përdoret gjuhë e urrejtjes si diskriminuese, ashtu edhe pezhorative ndaj komuniteteve dhe individëve më të cenueshëm të shoqërisë tonë”, tha Marigona Shabiu, drejtoreshë e “YIHR”.

Përveç në Kuvendin e Kosovës, Avokati i Popullit, Naim Qela, tha se gjuha e urrejtjes është vërejtur edhe në teksteve shkollore dhe në rrjete sociale.

“E kjo rritje vërehet dukshëm siç u tha edhe nga kryetari i Kuvendit, në rrjete sociale, si platforma që lehtësojnë qasjen gjithëpërfshirëse të secilit dhe mundësinë e lehtë për t’u shprehur, pa menduar për pasojat që mund t’i ketë ajo, që komentojnë në këto platforma”, tha Qela.

Ndërkaq, Shefi i Zyrës së BE-së në Kosovë, Tomas Szunyog, duke përmendur grupet e ndjeshme, krahasoi gjuhën e urrejtjes në diskursin publik me terrorizmin.

“Gjuha e urrejtjes i prek më së shumti ata më të ndjeshmit, komunitetin LGBTI, rom, ashkali, egjiptian dhe komunitetet e tjera jo shumicë, si dhe vajzat, gratë nga të gjitha komunitetet, persona me paaftësi dhe çfarëdo grupi tjetër që ndihet sikur në disavantazh apo i margjinalizuar”, tha Szunyog.

Në këtë tryezë u përmend edhe seanca e 16 marsit në Kuvendin e Kosovës ku është debatuar për Kodin Civil. Sipas folësve, debati për këtë temë ka krijuar ndjenjë të frikës dhe pasigurisë për komunitetin LGBTI, megjithatë deputetët e njëjtë nuk janë ndëshkuar dhe vazhdojnë t’i mbajnë pozitën e tyre.

Comments

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *