ATV

Investimet e huaja të orientuara në patundshmëri, kritikohen politikat e Qeverisë

Written by

in

Përgatiti: Armand Hoti

Nga 184 milionë në 251.5 milionë. Investimet e huaja direkte në Kosovë, në katërmujorin e parë të vitit 2022, u rritën për afro 70 milionë euro, krahasuar me katërmujorin e parë të vitit që lamë pas.

Referuar të dhënave të Bankës Qendrore të Kosovës, Gjermania prin me investime të huaja direkte në Kosovë dhe ndiqet nga Zvicra dhe shtete të tjera ku jetojnë një numër i konsiderueshëm i shqiptarëve.

Në raportin e Vlerësimit të Ekonomisë për tremujorin e parë të vitit 2023, sipas BQK-së, një pjesë e madhe investimeve të huaja direkte në Kosovë, janë të orientuara në sektorin e patundshmërisë, i cili pasohet nga sektori financiar dhe ai i sigurimit.

Konstatimin e BQK-së e mbështet eksperti i ekonomisë, Safet Gërxhaliu.

“Vetë fakti që sot investimet e huaja direkte po quhen shumë më shumë investime të diasporës në patundshmëri sesa që janë investime konkrete që gjenerojnë vende të reja të punës, që përmirësojnë bilancin e pagesave, përmirësojnë imazhin e Kosovës. Investime të tilla po mungojnë”, tha Gërxhaliu.

Profesori universitar, Fidan Qerimi, thotë se Kosova duhet të shfrytëzojë sektorë të tjerë, në mënyrë që të nxisë rritje ekonomike të qëndrueshme dhe të joshë investitorë të jashtëm.

“Zhvillimi ekonomik nuk vjen nga ndërtimet, zhvillimi ekonomik duhet të orientohet në prodhim… padyshim Kosova ka resurse natyrore dhe mbitokësore jashtëzakonisht shumë dhe ne nuk i kemi promovuar ato”, tha Qerimi.

Ndërsa, eksperti Gërxhaliu thotë se zhvillimi ekonomik po nxitet më shumë nga sektori privat se sa nga institucionet shtetërore.

“Sot do të isha personi më i lumtur nëse juve do të mund t’ua numëroja pesë investime të huaja në dy vitet e fundit… Ka vërtet sektorë të shumtë që mund të jenë atraktivë. Sot zhvillimi ekonomik është më tepër në mëshirën e sektorit privat sesa institucioneve”, tha Gërxhaliu.

Lidhur me kritikat e ekspertëve, ATV-ja ka dërguar pyetje në Ministrinë e Ekonomisë, mirëpo, nga institucioni nuk kthyen përgjigje. Ndërkohë, partia në pushtet, pas publikimit të këtij raporti u mburr në rrjete sociale me rritjen e investimeve të huaja direkte.

Edicionin Qendror të lajmeve në ATV e gjeni në videon më poshtë:

Comments

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *