ATV

Asnjë rezultat nga takimi në Bruksel, Asociacioni “Pengesa” kryesore

Written by

in

Përgatiti: Arton Hamiti

Pas katër muajve, kryeministri Albin Kurti dhe presidenti Aleksandar Vuçiq, u takuan sy me sy në kuadër të dialogut, të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian, këtë të enjte.

Mirëpo, edhe ky takim përfundoi pa sukses, njoftoi pas takimeve, përfaqësuesi i Lartë për Politikë të Jashtme dhe Siguri i BE-së, Josep Borrell.

Kryediplomati tha se pala kosovare nuk pranoi propozimin e bërë nga ndërmjetësuesit evropianë, për zbatimin e Marrëveshjes për normalizimin e marrëdhënieve, ndërsa ajo serbe po. Ai shtoi se kryeministri kosovar insistoi në njohjen de facto të Kosovës nga Serbia.

“Sot u mundova që të gjej zgjidhje për rrugën përpara, duke u bazuar në propozimin tonë. Fatkeqësisht, Kurti nuk ishte i gatshëm që të lëvizë përpara dhe të fillojë që ta themelojë Asociacionin. Ai insistoi në njohjen e Kosovës nga Serbia. Ndërsa, Vuçiqi e ka pranuar propozimin tonë. Propozimi ynë ishte që palët të punojnë paralelisht”. Tha Borrell.
Duke aluduar në Asociacionin e komunave me shumicë serbe, kryeministri Albin Kurti tha se nuk ka mundur të pranojë kompromis mes propozimit të tij me sekuencë dhe kushtëzimit të Serbisë, teksa e cilësoi si kusht të vjetër.

“Është për të ardhur keq që Lajçak e ka pranuar një kushtëzim të tillë e kushtëzimin nga Serbia e ka bërë në cenim të funksionit të tij si lehtësues…E unë s’mund ta pranoja një të tillë duke cenuar Kosovën, kryeministër i së cilës jam. Edhe ky dokumenti i vjetër që paraqet dokumentin e kushtëzimit që një herë Asociacioni e pastaj shohim, e kemi në dorë e s’kemi qenë në dijeni që ka pasur një të tillë”, tha Kurti.

Në anën tjetër, për presidentin e Serbisë, Asociacioni është gjeja kryesore.

“Nëse do të konstatonim se procesi është i besueshëm dhe se po shkojmë drejt formimit të Asociacionit të komunave [me shumicë] serbe, ne paralelisht do të nisnim me obligimet tona. Por, pala tjetër nuk ka pranuar. Është e qartë se Kurti, thjesht, i shmanget formimit të Asociacionit… Ky është thelbi i gjithçkaje”, tha Vuçiq.

Në konferencën për media, pas takimit trepalësh, shefi i Politikes se Jashtme i BE-së, tha se Kosova nuk ka plotësuar gjitha kushtet për deeskalim, teksa insistoi se dorëheqja e kryetarëve të katër komunave në veri të Kosovës, është më e shpejtë për zgjedhjet e reja.

Megjithatë, kryeministri Albin Kurti ka theksuar se kryetarët e komunave në veri nuk mund të japin dorëheqje, sipas tij, duhet të respektohet udhëzimi administrativ.

Ndërkohë pas takimit është thënë se masat ndëshkuese të Bashkimit Evropian ndaj Kosovës do të mbeten ende në fuqi.

Comments

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *