ATV

ZKA has në “dallavere”, 51 raste të dyshimta dërgohen në prokurori

Written by

in

Përgatiti: Armand Hoti

Auditimet e rregullsisë dhe performancës për sezonin 2022-2023, rezultuan me dyshime për kryerje të veprave penale. Zyra Kombëtare e Auditimit, respektivisht, departamenti kundër mashtrimit, ka evidentuar 51 raste të dyshimta, që kryesisht vijnë nga fusha e prokurimit publik.

“Rastet e identifikuara janë kryesisht nga fusha e prokurimit, si procesi i prokurimit, lidhja e kontratave, shpenzimet në kategorinë e investimeve kapitale dhe mallrave, ku janë identifikuar 36 raste. Tetë raste janë identifikuar në kategorinë e subvencioneve dhe transfereve, si dhe 7 raste në fushën e punësimit”, tha Vlora Spanca, Auditore e Përgjithshme.

Auditorja e Përgjithshme, Vlora Spanca, tha se gjetjet e auditorit i janë përcjellë Zyrës së Prokurorit të Shtetit.

“Zyra e Kryeprokurorit të Shtetit ka njoftuar ZKA-në për dërgimin e lëndëve në shtatë prokuroritë themelore të Kosovës”, tha Spanca.

Pa dhënë shumë detaje, Spanca u shpreh se rastet e dyshimta janë kryesisht në nivelin lokal.

“Ato shtrihen pothuajse në të gjitha organizatat buxhetore, por ato që mundem t’i konfirmoj, pra që i kemi dërguar në prokurori për hetime të mëtejme, vijnë kryesisht nga niveli lokal”, tha Spanca.

Ndërkaq, deri më tani ZKA-ja ka dërguar mbi 300 raste në Zyrën e Prokurorit të Shtetit, megjithatë Spanca tha se ende nuk ka informacione mbi epilogun e këtyre rasteve.

Comments

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *