Përgatiti: Krenare Mulliqi
Pas shtatë goditjeve me thikë, 24-vjeçari Bajram Qeli mbeti i vdekur, pikërisht në këtë rrugë të qytetit në Ferizaj.
E sërish pas 3 vitesh, prokuroria doli në vendin ku ndodhi ngjarja për t’i nisur hetimet nga e para.
Ani pse procesi gjyqësor në Gjykatën Themelore në Ferizaj përfundoi në korrik të viti të kaluar, ku i akuzuari kryesor Leonit Muhaxheri u dënua me 17 vjet burg, Gjykata e Apelit e ktheu rastin në rigjykim.
Andaj sot nga prokuroria u bë rikonstruimi i vendit ku ndodhi vrasja.
Për babain e 24-vjeçarit kjo nuk ishte fare e lehtë, megjithatë ai shpreson që kësaj radhe dënimi për të akuzuarit të jetë më i lartë.
“Sikur sot, sikur para 3 vitesh që ndodh ma rond nuk ka. Po urojmë që kësaj radhe me pasë dënim meritor…”, tha babai i Bajram Qelit, Ajet Qeli.
E në rigjykim, avokati i familjes së të ndjerit pret që prokuroria ta ndryshojë aktakuzën.
“Prokuroria nuk e ka akuzuar askënd për armëmbajtje pa leje, dy të akuzuarit kanë iniciuar këtë rast, por prokuroria i ka akuzuar vetëm për pjesëmarrje që është plotësisht e padrejtë, sepse ata kanë qenë të përfshirë drejtpërdrejt në rast, po ashtu, e ka akuzuar vetëm një person për vrasje të rënë e që edhe të tjerët janë në bashkëkryerje në vrasje të rëndë”, tha avokati i familjes së viktimës, Naim Rudari.
Sipas aktakuzës së prokurorisë së Ferizajt, më 4 shtator 2020, pas një mosmarrëveshje, Leonit Muhaxheri, me dashje ka privuar nga jeta tani të ndjerin Bajram Qeli.
Gjykata e dënoi Muhaxherin me 17 vjet burgim për vrasje të rëndë, Albin Baliun e Eugen Bajraliun me nga dy vjet burgim për pjesëmarrje në rrahje. Ndërkaq, Mërgim Atanasova për dhënien e ndihmës në vrasje, ishte dënuar me burgim në kohëzgjatje prej 7 muajsh, ndërsa Rinor Jashari, i akuzuar për kanosje dhe moslajmërim të veprave apo kryesve, me 5.500 euro gjobë.

Leave a Reply