Përgatiti: Krenare Mulliqi
Dorë për dore me nënën e tyre, Maliku dhe Mubaraku, erdhën në shkollën “Emin Duraku” në kryeqytet, për të nisur një rrugëtim të rëndësishëm për ta.
Por, në ditën e parë të shkollës, dy vëllezërit Shabani nuk patën gjë me vete.
Prindërit nuk patën mundësi t’i pajisin ata me tekste shkollore, ndryshe nga nxënësit e tjerë.
“Nuk kemi mundësi me i ble vetë librat, i kam tre fëmijë që duhet me iu ble”, thotë Ramize Shabani, nënë.
Për t’u bërë me libra ata do të duhet të presin, derisa Qeveria të ekzekutojë subvencionin e premtuar.
“Po presim kur të dalin paret, ua blejmë se ndryshe nuk kemi mundësi. Na kemi apliku…” , tha ajo.
Pa libra për të njëjtën arsye, erdhën në shkollë edhe disa fëmijë të tjerë.
“Çika në klasë të shtatë i ka marrë, tjetrën e kom në klasë të pestë nuk i ka, po presim me na dalë paret edhe mi ble. Na kemi apliku…”, tha Milot Shulemaja, prind.
Megjithatë, kishte edhe të atillë që procedurën e blerjes së librave për fëmijët tashmë e kanë përfunduar.
Mirëpo, mësueset presin që të gjithë prindërit t’i blejnë tekstet shkollore për fëmijët e tyre deri të hënën, ndryshe thonë se do të humbasin në mësim.
Drejtori i shkollës “Emin Duraku” thotë se nxënësit nga klasa e 6 deri në të 9-tën, janë pajisur me tekste shkollore pothuajse të gjithë, andaj presin që njësoj të ndodhë edhe me nxënësit nga e para deri në të pestën.
Këtë vit përgjegjësinë për blerjen e teksteve shkollore e kishin prindërit, pasi Ministria e Arsimit nuk arriti marrëveshje me shtëpitë botuese. Megjithatë, ata do të subvencionohen nga Qeveria me nga 50 euro për libra dhe 30 euro për materiale të tjera shkollore.
Edicionin Qendror të lajmeve në ATV e gjeni në videon më poshtë:

Leave a Reply