Ekipi i Kosovës në Esports ka arritur një sukses të rëndësishëm ndërkombëtar, duke u renditur në vendin e dytë në disiplinën Counter-Strike 2 (CS2) në Lojërat Mesdhetare të Esports – MEG26.
Kosova e përfundoi garën me medaljen e argjendtë, në një kompeticion ku morën pjesë 18 shtete nga rajoni i Mesdheut.
Ekipi ynë zhvilloi një rrugëtim të suksesshëm gjatë turneut, duke treguar paraqitje të nivelit të lartë dhe duke kaluar disa kundërshtarë deri në finalen e madhe.
Në fazën e grupeve, Kosova regjistroi fitore ndaj Shqipërisë, Tunizisë, Italisë dhe Portugalisë, duke siguruar kualifikimin në fazën eliminatore.
Në çerekfinale, kombëtarja jonë u përball me Slloveninë, të cilën e mposhti me rezultat të pastër 2:0 në mapa. Të dyja hartat përfunduan me rezultat identik, 13:8.
Kosova vazhdoi me paraqitje të mira edhe në gjysmëfinale, ku triumfoi ndaj Libanit me rezultat 2:0. Mapën e parë e fitoi me rezultat 16:14, ndërsa të dytën me 13:6, duke siguruar kështu një vend në finalen e madhe.
Në ndeshjen vendimtare për medaljen e artë, Kosova u përball me Serbinë. Megjithatë, këtë herë triumfi i takoi kundërshtarit, ndërsa tanë u deshën të kënaqeshin me vendin e dytë dhe medaljen e argjendtë.
Kosova në këtë kompeticion u përfaqësua nga pesë lojtarë: Arbnor “Dementor” Pacolli, Atif “gejmzilla” Mustafa, Ensar “Caleyy” Ersuzi, Ammar “ammar” Grashtica dhe Qëndrim “v1w” Hajrizi.
Federata Esports Kosova i ka përgëzuar lojtarët për këtë arritje, duke vlerësuar përkushtimin, paraqitjet dhe mënyrën se si e përfaqësuan vendin në arenën ndërkombëtare.
Ky rezultat përbën një tjetër sukses për Esports-in kosovar dhe dëshmon potencialin e lojtarëve tanë në garat ndërkombëtare.
Kështu, Kosova e mbyll pjesëmarrjen në MEG26 me medaljen e argjendtë dhe titullin e nënkampiones së Mesdheut në Counter-Strike 2.
