ATV

Publikohet lista e Kosovës U21 për duelin ndaj Luksemburgut, shumë risi në mesin e të ftuarve

Written by

in

Përzgjedhësi i Kosovës U21, Hekuran Kryeziu, ka publikuar listën e futbollistëve të ftuar për grumbullimin e muajit nëntor, ku vërehen disa emra të rinj.

“Dardanët” e rinj do të zhvillojnë një ndeshje miqësore ndaj Luksemburgut U21, më 16 nëntor, në Kampin Nacional në Hajvali, me fillim nga ora 16:00.

Për këtë përballje, Kryeziu ka vendosur t’i ftojë 21 futbollistë, ndërsa risitë nuk mungojnë në listën e publikuar.

Në mesin e emrave që bien më shumë në sy janë Demir Xhemalija dhe Florent Hajdini. Për herë të parë me Kosovën U21 është ftuar edhe Eronis Haxhiu, i cili më parë ka qenë pjesë e grupmoshave të Zvicrës.

Risi të tjera në listë janë edhe Endrit Hasanmetaj, Teo Jashari dhe Aurel Limani, futbollisti i Drenicës.

Ndërkohë, në mesin e të ftuarve janë edhe emra të njohur si Faton Ademi, Eliot Bujupi, Elvir Gashijani, Amar Demolli dhe Luan Lleshi.

Kjo ndeshje do t’i shërbejë përzgjedhësit Kryeziu për të parë nga afër potencialin e futbollistëve të rinj dhe për të vlerësuar alternativat që ka në dispozicion për të ardhmen e kombëtares U21.