Portieri argjentinas Emiliano Martínez ka konfirmuar se operacioni në nofull ka kaluar me sukses, pas lëndimit të pësuar në fitoren 2-0 të Chelseat ndaj Evertonit në Ligën Premier.
34-vjeçari u lëndua të shtunën, pas një përplasjeje me mbrojtësin Jarrad Branthwaite, teksa po përpiqej të ndërhynte në një aksion nga goditja standarde.
Pas ekzaminimeve mjekësore, u konstatua se portieri kishte pësuar frakturë të nofullës, duke e bërë të domosdoshëm operacionin.
Pas ndërhyrjes kirurgjikale, Martínez reagoi përmes një postimi në Instagram, ku falënderoi të gjithë për mesazhet mbështetëse dhe u shpreh i kënaqur me fitoren e skuadrës pa pranuar gol.
“Faleminderit të gjithëve për mesazhet. Operacioni shkoi mirë. Më e rëndësishmja është që fituam dhe nuk pranuam gol. Do të kthehem pas disa javësh”, shkroi portieri argjentinas.
Megjithatë, rikuperimi i tij mund të zgjasë më shumë sesa pritej. Sipas gazetarit argjentinas César Luis Merlo, Martínez pritet të qëndrojë jashtë fushave për gjashtë deri në shtatë javë, ose të paktën 40 ditë.
Pavarësisht suksesit të operacionit, Chelsea ende nuk ka konfirmuar një datë zyrtare për rikthimin e portierit. Në javët e ardhshme, argjentinasi do të fokusohet te rikuperimi, ndërsa londinezët duhet të gjejnë zgjidhje për ta mbuluar mungesën e tij mes shtyllave.
