ATV

Operacion i madh kundër trafikut të drogës në Ekuador, mbi 30 të arrestuar

Written by

in

Mbi 30 persona janë arrestuar në Ekuador gjatë një operacioni të përbashkët të forcave ekuadoriane dhe amerikane, i cili kishte në shënjestër një grup të dyshuar me lidhje me kartelin meksikan Jalisco New Generation (CJNG).

Operacioni u zhvillua në orët e para të së enjtes në disa qytete të Ekuadorit, ndërsa në të morën pjesë rreth 320 efektivë të policisë ekuadoriane dhe 50 pjesëtarë të Komandës Jugore të SHBA-së.

Ministri i Brendshëm i Ekuadorit, John Reimberg, bëri të ditur se operacioni u zhvillua në bashkëpunim me trupat amerikane dhe Agjencinë Amerikane Kundër Drogës (DEA).

Sipas autoriteteve ekuadoriane, më shumë se 30 shtetas të vendit u arrestuan nën dyshimin se i përkisnin një grupi me lidhje të drejtpërdrejta me CJNG. Rrjeti dyshohet se trafikonte kokainë nga Kolumbia drejt tregjeve ndërkombëtare, duke përdorur portet në jugperëndim të Ekuadorit.

Operacioni është pjesë e bashkëpunimit të zgjeruar mes Ekuadorit dhe Shteteve të Bashkuara në luftën kundër krimit të organizuar dhe trafikut të drogës.

Fushata e autoriteteve ekuadoriane kundër grupeve kriminale ka nxitur edhe kritika nga organizatat e të drejtave të njeriut, të cilat kanë raportuar raste të dyshuara të përdorimit të tepruar të forcës dhe shkeljeve të tjera.

Presidenti i Ekuadorit, Daniel Noboa, i ka kundërshtuar këto kritika, duke argumentuar se vëmendja duhet të përqendrohet te viktimat e shkaktuara nga krimi i organizuar.

Comments

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *