ATV

Supremja refuzon kërkesën e VV-së për pezullimin e çmimit të ri të biletave në Prishtinë

Written by

in

Gjykata Supreme e Kosovës ka refuzuar kërkesën e grupit të asambleistëve të Lëvizjes Vetëvendosje për vendosjen e masës së përkohshme ndaj vendimit të kryetarit të Komunës së Prishtinës, Përparim Rama, për çmimoren e re të biletave të trafikut urban.

Lajmin e ka bërë të ditur vetë Rama përmes një postimi në Facebook, ku ka reaguar ashpër ndaj anëtarëve të VV-së në Prishtinë, duke i quajtur ata “të padijshëm e dashakëqij”.

“Gjykata Supreme e ka refuzuar kërkesën e grupit të asambleistëve të Lëvizjes Vetëvendosje! Po e ripërsëris, përveç që jeni dashakëqij, jeni edhe të padijshëm!”, ka shkruar Rama.

Në aktvendim ndër të tjera thuhet se, gjykata ka vlerësuar se pretendimet e paditësve-propozuesve për vendimin e kontestuar nuk përmbajnë argumente ligjore për shqyrtim gjatë fazës së masës së sigurimit, ndërsa ka konstatuar se vendosja lidhur me kërkesën për shtyrjen e ekzekutimit të vendimit nuk përbën vendosje përfundimtare mbi konfliktin administrativ.

Ndryshe, Vetëvendosje në Prishtinë kishte parashtruar padi në Gjykatën Supreme lidhur me vendimin për rritjen e çmimit të biletave të transportit publik në kryeqytet.

Sipas pretendimeve të kësaj partie, kryetari i Komunës nuk ka kompetencë ligjore për të përcaktuar çmimin e biletave të transportit publik.

Për këtë arsye, asambleistët e Vetëvendosjes kishin kërkuar edhe vendosjen e një mase të përkohshme ndaj vendimit.

Comments

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *