ATV

KOMF: Moskonstituimi i Kuvendit ndikon në shumë procese të mbrojtjes së fëmijëve

Written by

in

Në shenjë pakënaqësie rreth moskonstituimit të Kuvendit dhe ndikimit të kësaj bllokade në shumë procese të mbrojtjes së fëmijëve, Koalicioni i Organizatave për Mbrojtjen e Fëmijëve – KOMF, ka mbajtur aktivitetin “Karriget tuaja nuk vlejnë më shumë se jeta dhe mirëqenia e fëmijëve”.

Në njoftim thuhet se qëllimi i këtij aktiviteti është të nxisë reflektim dhe përgjegjësi institucionale të deputetëve ndaj realitetit të vështirë me të cilin përballen shumë fëmijë në Kosovë dhe nevojave të tyre.

“Si pasojë e kësaj bllokade, shumë politika që ndikojnë drejtpërdrejtë në mirëqenien dhe jetën e fëmijëve, vazhdojnë të mbesin të pa miratuara…Reformat e domosdoshme për riorganizimin dhe fuqizimin e politikave sociale kanë stagnuar. Vazhdon të mungojë miratimi i disa projektligjeve kyçe, si: Projektligji për Ndihmën Sociale; Projektligji për të Drejtat, Vlerësimin, Trajtimin dhe Njohjen e Statusit, Shërbimet dhe Përfitimet për Personat me Aftësi të Kufizuar; Projekt Kodi Civil si dhe reforma që rrjedh nga Ligji për Shërbime Sociale dhe Familjare. Të gjitha këto procese janë thelbësore për zbutjen e varfërisë së fëmijëve, fuqizimin e familjes dhe mbrojtjen e fëmijëve, me fokus të veçantë në mbrojtjen e fëmijëve të cenueshëm”, thuhet në reagim.

KOMF tutje theksoj se edhe politikat në fushën e shëndetit të fëmijëve kanë stagnuar.

“Pa një Kuvend të konstituuar, nuk mund të ketë investime domethënëse në mbrojtjen e fëmijëve. Projektligji për Financat e Pushtetit Lokal mbetet i pa miratuar…. Përveç funksionit legjislativ, Kuvendi ka edhe mandat mbikëqyrës, përfshirë monitorimin e zbatimit të ligjeve të miratuara”, thuhet në reagim.

KOMF më tej vlerëson se situata e fëmijëve në Kosovë mbetet e vështirë.

Sipas të dhënave të fundit të disponueshme, KOMF thekson se 72% e fëmijëve në Kosovë përjetojnë forma të dhunshme të disiplinimit brenda mjediseve familjare. 5 % e fëmijëve në Kosovë janë të përfshirë në punë të rënda. Vetëm 10% e fëmijëve me aftësi të kufizuara marrin shërbime cilësore shëndetësore dhe sociale.

“Vetëm 15% e fëmijëve në Kosovë të moshës 3 – 4 vjeç ndjekin programet e zhvillimit në fëmijërinë e hershme. Vlerësohet se numri i përgjithshëm i përdoruesve të substancave narkotike ka kaluar shifrën prej 30,000, ndërkohë që fëmijët dhe adoleshentët përdorues vazhdojnë të bëjnë pjesë çdo vit e më shumë në këtë shifër.

Jashtëzakonisht shqetësues mbetet fakti që mosha mesatare e fillimit të përdorimit të drogave është në rënie, ku nga 18 vjeç në vitin 2018, në 16 vjeç në periudhën e fundit. Kalueshmëria në testin e arritshmërisë për vitin 2023 ishte vetëm 52.1%, ndërkaq, “PISA” e ka renditur Kosovën në vendin e 76-të nga 80 vende pjesëmarrëse. Gjatë vitit 2023, numri i fëmijëve në konflikt me ligjin që është raportuar nga Policia e Kosovës, ka qenë 2175 fëmijë”, thuhet ndër të tjera në reagim.

KOMF kërkon që deputetët të reflektojnë mbi peshën e përgjegjësisë së tyre. /Telegrafi/

Comments

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *