ATV

SHBA-ja ndalon ndihmat, preket edhe ekonomia kosovare

donald trump ndalon ndihmat

Written by

in

Përgatiti: Driton Sadiku

Miliona euro investime në vit përfitonte Kosova nga Agjencia për zhvillim ndërkombëtar, USAID.

Por projektet që qenë financuar nga kjo agjenci do të ndërpriten përkohësisht, pas vendimit të presidentit amerikan që t’i ndalojë të gjitha ndihmat për 90 ditë, deri në një rivlerësim të projekteve.

Sipas ekonomistëve, vendimi të lë pasoja tek organizatat që financoheshin nga kjo agjenci, por edhe në ekonominë e vendit.

“Ndihma e USAID-it në mënyrë direkt apo indirekte brenda një viti ka qenë nga 40-50 milionë euro dhe besoj që do të jetë dëm që do të ketë efekte negative në Kosovë. Çka është esenciale të zbërthehet është se orientimi kryesor i partneritetit përmes USAID-it ka qenë sundimi i rendit dhe ligjit, dhe mbështetja e administratës, dhe në këtë drejtim ka qenë edhe sektori privat, në veçanti dikasteret e prodhimit duke filluar nga mobilieria, ndërtimi e prodhimet e ndryshme”, tha Safet Gërxhaliu, ekspert i ekonomisë.

Disa nga projektet që aktualisht financohen nga USAID-i janë, ndihma për mbështetjen e reformave legjislative, përmirësimi i gjithpërfshirjes dhe llogaridhënies, sfidat e korrupsionit, kapacitetet industriale për zhvillim të tregut të energjisë, e shumë të tjera.

Megjithatë pavarësish dëmeve, një ri-planifikim i mjeteve thuhet se mund të ketë edhe dobi, pasi jo të gjitha mjetet janë destinuar aty ku duhet.

“Është e rrugës të dihet ku shkojnë këto mjete, në çfarë forma po shfrytëzohen dhe ndoshta do të jetë një vetëdijesim i shteteve tjera që këto mjete të kanalizohen aty ku gjenerojnë efekte”, tha Gërxhaliu.

“Më ndërrimin e administratës ndërrojnë edhe qëllimet dhe për këtë shkak besoj që do të dëshirojnë të riorientojnë ndaj qëllimeve që kanë, d.t.th të verifikohen për qëllimet të cilat janë në interes të Shteteve të Bashkuara të Amerikës”, tha Fidan Qerimi, profesor i ekonomisë.

Në fakt ky qe edhe qëllimi i vetë administratës së Trumpit, pasi siç thuhet edhe në vendim, Shtetet e Bashkuara kërkojnë që të sigurohen që çdo dollar që shpenzohet për ndihma të shkojë në projekte që përputhen me politiken e jashtme të SHBA-së.

Lidhur me këtë vendim është deklaruar edhe Ambasada amerikane në Kosovë.

“SHBA mbetet e përkushtuar për të mbështetur vendet e Ballkanit në rrugën e tyre drejt zhvillimit dhe stabilitetit, por gjithashtu presim angazhim të qartë për vlerat demokratike dhe sundimin e ligjit”, thuhet në përgjigjen nga Ambasada e SHBA-së në Prishtinë.

Ndryshe, vlerësohet se USAID-i ka investuar më shumë se 1 miliard dollarë në zhvillimin e Kosovës që nga viti 1999.

Comments

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *