Përgatiti: Fatlum Jashari
“A nuk ka pasur mundësi të bëhet më herët, nëse është dashur? Pra, pse pikërisht në kohen kur jemi në një proces zgjedhor, konsiderohet edhe pse nuk jemi ende zyrtarisht në fushatë? Është e qartë që Prokuroria ka tendencë të bllokojë punën tonë, të minojë punë tonë, të dëmtojë Lëvizjen Vetëvendosje dhe Qeverinë, siç zakonshëm kanë bërë”.
Kështu ka deklaruar ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu.
Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu nuk kurseu akuzat ndaj Prokurorisë Speciale, të hënën, teksa foli për ftesën për intervistimin e kryeministrit Albin Kurti, si dëshmitar, në rastin e rezervave shtetërore.
Derisa ftesën në kuadër të hetimit, ajo vendosi në kontest parazgjedhor, Qeveria nuk i sheh veprimet e saj, si me ndihma financiare e prerje shiritash, në raste edhe për projekte të papërfunduara, si fushatë.
Përkundër kritikave ndaj Prokurorisë, në Institutin e Kosovës për Drejtësi thanë se një vendim i nënshkruar nga kryeministri lidhur me rastin, e bën të domosdoshëm intervistimin e tij.
“Në bazë të Kodit të Procedurës Penale, prokurorët kanë të drejtë t’i thërrasin të gjithë zyrtarët, qytetarët e Kosovës, si dëshmitar në një fazë të procedurës kur ata e shohin të arsyeshme. Kështu që, padyshim që kjo nuk mund të konsiderohet si pjesë e fushatës sepse, në fund të fundit, ftesa që i është dërgua kryeministrit është bërë publike nga vetë Zyra e Kryeministrit, e jo nga ana e Prokurorisë. Nëse kryeministri do t’i përgjigjej ftesës si dëshmitar, do të kalonte në heshtje ky rast”, tha drejtori në Institutin e Kosovës për Drejtësi, Ehat Miftaraj.
Në anën tjetër, intensifikimi i veprimeve të pushtetit ekzekutiv më pak se dy muaj nga zgjedhjet, nuk shihet si risi.
“Nuk është diçka e re kur partitë politike e shfrytëzojnë Buxhetin e Kosovës për të shpërndarë ndihma sociale, grupeve të margjinalizuara, pensionerëve, fëmijëve etj”, tha Miftaraj.
Megjithatë, në vlerësimin e opinionistit Bekim Kabashi, mesazhi nga Qeveria bie ndesh me premtimin e partisë në pushtet për luftimin e korrupsionit.
“Secila Qeveri pak a shumë nuk është që nuk e shfrytëzon punën e saj për me promovua, sidomos në prag të zgjedhjeve, që të mund të arrihet një rezultat më i mirë zgjedhor. Por, kur manipulohet deri në ekstreme të tilla, atëherë kjo duhet të jetë një mesazh për qytetarët, që të ketë një efekt të kundër, jo atë që e pret Qeveria. Sepse sidomos te rasti i thirrjes që i është bërë kryeministrit Kurti nga Prokuroria, kjo do të duhej të ishte një mesazh tjetër, jo të tregohet një konflikt me Prokurorinë, por një gatishmëri e kryeministrit për të shkuar vetë”, tha Kabashi.
Fushata për zgjedhjet parlamentare të rregullta, që do të mbahen më 9 Shkurt, zyrtarisht nis më 11 Janar dhe përfundon në ditën e zgjedhjeve, meqë me ligjin e ri nuk do të ketë heshtje një ditë para.

Leave a Reply