ATV

Kërkohet përfshirja e më shumë grave në ushtri

Written by

in

Përgatiti: Pranvera Krasniqi

Kosova ka përqindje të ulët të përfshirjes së grave në ushtri, andaj si një shtet që synon anëtarësimin në NATO duhet të bëjë më shumë për të rritur pjesëmarrjen e grave në ushtri.

Kështu u tha në konferencën me temën “Avancimi i përfaqësimit dhe rolit të grave në ushtri: Një hap drejt barazisë më të madhe gjinore, paqes dhe sigurisë”.

Madje, Presidentja Vjosa Osmani, theksoi nevojën për hapjen e konkurseve dhe pranimin e grave në këtë institucion.
“Është esenciale që në ushtri të përfshihen kurrikula për të trajtuar këto. Është me rëndësi që në konkurse që do të hapen në të ardhmen, të kemi dispozita të veçanta ashtu siç e lejon edhe Kushtetuta, të kemi mjete afirmative që sa më shumë gra të konkurrojnë dhe të bëhen pjesë e ushtrisë tonë”, tha Osmani.

Duke përmendur kontributin e grave për lirimin e vendit, Ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, tha se tashmë janë duke punuar në këtë drejtim.

“MB-ja ka krijuar infrastrukturë ligjore që krijon barazi gjinore të barabartë për të gjithë. Gratë ushtare sot operojnë në kushte më të mira. Të gjitha masat e ndërmarra janë shtysa dhe inkurajojmë për integrimin e grave në ushtri. Nuk ka dyshim që gratë janë kompetente për t’i kryer të gjitha detyrat”, tha Maqedonci.

Përfshirje më të madhe të grave në ushtri kërkuan edhe përfaqësues të NATO-s.

“Barazia gjinore dhe kjo agjendë reflekton detyrat dhe prioritetet e Aleancës që janë integrale për paqen. Politika e re e NATO-s i parasheh katër pika, e para që të fuqizohen lidershipi për reagim dhe llogaridhënie, e dyta që të rritet numri i grave në vendimmarrje”, tha Christian Nawra, gjeneral brigade “Nalt”.

Kjo konferencë u mbajt nën organizimin e Presidencës së Kosovës, në kuadër të Qendrës Rajonale të Ekselencës për Gratë, Paqen dhe Sigurinë në Kosovë.

Comments

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *