Përgatiti: Fatlum Jashari
Mbledhja e informacioneve dhe fakteve nga terreni, janë qëllim i vizitës treditore të Raportuesit të ri për Kosovën të Parlamentit Evropian, Riho Terras.
Në mëngjesin e së hënës, në Prishtinë, ai i takoi ndaras presidenten Vjosa Osmani dhe kryeministrin Albin Kurti, me të cilët tha se bisedoi për situatën ekonomike dhe atë të sigurisë.
“Është hera ime e parë këtu, kam marrë shumë informacione për Kosovën dhe kam folur me shumë njerëz, por për mua më e rëndësishmja është të marr informacione të dorës së parë nga terreni. Jam këtu për të ndihmuar Kosovën në rrugën e saj drejt Bashkimit Evropian. Kosova ka qenë duke bërë reforma të suksesshme, duke bërë përparim të mirë dhe shpresoj që me një raport të drejtë dhe të informuar të Parlamentit Evropian, mund ta ndihmojmë Kosovën të bëhet pjesë e BE-së”, tha Terras.
Pas takimit me krye-parlamentarin, liderët e partive opozitare dhe përfaqësues të shoqërisë civile në kryeqytet, të martën Terras ka në agjendë një mini-tur në komunat me shumicë serbe në veri.
“Nesër do të vozisë drejt pjesës veriore të Kosovës, për të takime atje dhe për të vizituar vendin ku ndodhi sulmi i fundit në kanal. Ndjenjat e mia janë me popullin e Kosovës dhe jam i sigurt që autoritetet e Kosovës do të jenë në gjendje të identifikojnë njerëzit prapa këtij sulmi. Gjithashtu, kam takime me liderët ekonomikë dhe organizatat joqeveritare, për të biseduar për aspektet sociale dhe situatën aktuale ekonomike”, tha Terras.
Ndonëse kryesisht shprehu rezerva në deklarime, para se të kryejë vizitën, politikani estonez pati një kërkesë lidhur me sulmin në kanalin e “Ibër-Lepencit”.
“Të gjithë kriminelët duhet të sillen para drejtësisë. Por, ju lutem më jepni mundësinë të krijojë fotografinë time. Unë jam Gjeneral, dhe para se të kem të gjithë situatën dhe informacionin, nuk bëj plane. Kështu që le ta kuptojmë situatën dhe informacionet nga terreni, po ashtu”, tha Terras.
Në Nëntor, Parlamenti Evropian emëroi deputetin nga radhët e Partisë Popullore të Evropës – EPP, Riho Terras, në detyrën Raportues të Përhershëm për Kosovën, në një mandat pesëvjeçar.
Paraprakisht, në pesë vjetët e kaluara, këtë detyrë e kishte kryer politikania gjermane, Viola Von Cramon.

Leave a Reply