ATV

Tag: Zgjedhjet në veri

  • Sveçla: Kryetarët e rinj s’do të kenë probleme

    Sveçla: Kryetarët e rinj s’do të kenë probleme

    Ministri i Punëve të Brendshme i Kosovës, Xhelal Sveçla, shprehu bindjen se kryetarët e rinj të komunave në veri të Kosovës, nuk do të kenë probleme në punën e tyre, sepse, siç tha, “ligji do të zbatohet në të gjithë vendin”.

    “Në veri vështirësitë janë më specifike, por probleme nuk do të ketë”, tha Sveçla në një deklaratë për Radion Evropa e Lirë.

    Zgjedhjet e parakohshme lokale u mbajtën më 23 prill në komunat me shumicë serbe në veri të Kosovës – Mitrovicë e Veriut, Zveçan, Zubin Potok dhe Leposaviq – por u bojkotuan në masë të madhe nga komuniteti serb.

    Pjesëmarrja, sipas Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, ishte pak më shumë se 3 për qind.

    Sipas të dhënave të para të KQZ-së, Lëvizja Vetëvendosje fitoi Mitrovicën e Veriut dhe Leposaviqin, ndërsa Partia Demokratike e Kosovës mori Zubin Potokun dhe Zveçanin.

    Këto komuna, deri nëntorin e kaluar, udhëhiqeshin nga zyrtarë të Listës Serbe, partisë më të madhe të serbëve në Kosovë, e cila nuk mori pjesë në zgjedhjet e 23 prillit.

  • Vjen reagimi i Ambasadës së SHBA’së për zgjedhjet në veri

    Vjen reagimi i Ambasadës së SHBA’së për zgjedhjet në veri

    Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, është deklaruar rreth zgjedhjeve në katër komunat veriore të Kosovës.

    Në komunikatën e ambasadës thuhet se, SHBA’të theksojnë se, zgjedhjet janë në përputhje me kërkesat kushtetuese dhe ligjore të Kosovës.

    Po ashtu, në komunikatë thuhet edhe se, SHBA’të mbështesin një demokraci të larmishme, gjithëpërfshirëse, multietnike në Kosovë dhe zgjedhjet që e mbështesin atë, ku shprehet keqardhje që jo të gjitha partitë e shfrytëzuan të drejtën e tyre demokratike për të marrë pjesë në zgjedhjet e sotme.

    ‘‘Ne mbështesim një demokraci të larmishme, gjithëpërfshirëse, multietnike në Kosovë dhe zgjedhjet që e mbështesin atë. Na vjen keq që jo të gjitha partitë e shfrytëzuan të drejtën e tyre demokratike për të marrë pjesë në zgjedhjet e sotme. Pjesëmarrja në zgjedhje ndihmon për t’u siguruar që udhëheqësit janë përfaqësues të popullatave të cilave u shërbejnë. Votimi është një liri kritike e shoqërive demokratike’’, thuhet ndër tjerash në komunikatë.

    Komunikata e plotë:

    Deklarata e Ambasadës Amerikane për Zgjedhjet Komunale, 23 Prill 2023

    Shtetet e Bashkuara theksojnë se katër zgjedhje për kryetar komune dhe dy zgjedhje për asamble komunale u mbajtën në komunat e Kosovës Leposaviq, Mitrovicë Veriore, Zveçan/Zveqan dhe Zubin Potok më 23 prill 2023, në përputhje me kërkesat kushtetuese dhe ligjore të Kosovës.

    Ne mbështesim një demokraci të larmishme, gjithëpërfshirëse, multietnike në Kosovë dhe zgjedhjet që e mbështesin atë. Na vjen keq që jo të gjitha partitë e shfrytëzuan të drejtën e tyre demokratike për të marrë pjesë në zgjedhjet e sotme. Pjesëmarrja në zgjedhje ndihmon për t’u siguruar që udhëheqësit janë përfaqësues të popullatave të cilave u shërbejnë. Votimi është një liri kritike e shoqërive demokratike.

    Ne i njohim përpjekjet e zyrtarëve zgjedhorë kosovarë për t’i vënë vendet e votimit në dispozicion të qytetarëve që dëshirojnë të ushtrojnë të drejtën e tyre të votës, duke minimizuar pikat e mundshme të tensionit. Gjithashtu shprehim mirënjohjen tonë për profesionalizmin e Policisë së Kosovës, Misionit të BE-së për Sundimin e Ligjit (EULEX) dhe KFOR-it në sigurimin e një mjedisi të sigurt për zgjedhjet.

    Ne do të vazhdojmë të angazhohemi me të gjitha palët relevante për hapat e ardhshëm.

    Ne gjithashtu ritheksojmë rëndësinë dhe përkushtimin tonë për zbatimin e plotë të marrëveshjes së Ohrit.

  • KQZ publikon rezultatet preliminare

    KQZ publikon rezultatet preliminare

    Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka publikuar rezultatet preliminare për zgjedhjet e jashtëzakonshme në katër komunat veriore. Nga rezultatet preliminare, Lëvizja Vetëvendosje dhe Partia Demokratike e Kosovës kanë fituar nga dy komuna.

    VV-ja do të udhëheqë në Mitrovicën e Veriut. Kandidati i saj, Erden Atiq ka fituar 519 vota apo 66.5 për qind.

    Pas tij është renditur kandidati i PDK-së, Taulant Kelmendi, që mori 186 vota apo 23.8 për qind dhe Betim Osmani nga Iniciativa Qytetare Mitrovica mori 75 vota apo 9.6 për qind.

    Në Leposaviq, Lulzim Hetemi i VV-së mori shumicën e votave. Hetemi numëroi 100 vota apo 73.5 për qind, ndërsa Albulena Behluli-Hetemi e PDK-së pati 34 vota apo 25 për qind. Aleksandar Jabllanoviq, edhe pse u tërhoq nga gara, mori dy vota.

    Ndërkohë, PDK-ja do të udhëheqë me Zubin-Potokun. Kandidati i saj, Izmir Zeqiri, fitoi ngushtë ndaj kandidatit të VV-së, Flatron Hasani. Zeqiri mori 196 vota apo 52.1 për qind, kurse Hasani pati 180 vota apo 47.9 për qind.

    PDK-ja do ta ketë kryetarin e komunës edhe në Zveçan. Ilir Peci mori 114 vota apo 60 për qind, ndërsa Fetah Peci i VV-së mori 71 vota apo 37.4 për qind. Sllagjana Pantoviq mori pesë vota apo 2.6 për qind.

    Vetëm 3.47 për qind e 45 mijë e 95 qytetarëve me të drejtë vote në katër komunat e veriut të Kosovës kanë shfrytëzuar të drejtën e tyre për votë të dielën në zgjedhjet e jashtëzakonshme në Leposaviq, Zubin-Potok, Zveçan e Mitrovicë të Veriut. Sipas të dhënave zyrtare të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve në Mitrovicën e Veriut votuan 837 qytetarë apo 4.62 për qind e qytetarëve me të drejtë vote. Në Leposaviq votuan 141 votues apo 1.06 për qind, në Zubin-Potok 385 votues apo 5.78 për qind dhe në Zveçan 204 qytetarë apo 2.92 për qind e qytetarëve me të drejtë vote.

  • Policia deklarohet për zgjedhjet në veri

    Policia deklarohet për zgjedhjet në veri

    Policia e Kosovës, ka vlerësuar si të qeta dhe pa asnjë incident, zgjedhjet e mbajtura sot në katër komunat veriore.

    Kështu është deklaruar nga PK’ja përmes një komunikate për media, ku është shtuar edhe se, PK’ja ka realizuar me sukses planin e saj operativ për mbarëvajtjen e zgjedhjeve në këto komuna.

    Po ashtu, në komunikatë shtohet se, plani operativ ka paraparë edhe inicimin e çdo vepre penale kundër të drejtës së votimit dhe ndërmarrjen e të gjitha masave procedurale dhe penale ndaj çdokujt që bie ndesh me ligjet e vendit, në bashkëpunim dhe koordinim me KQZ-në dhe Prokurorinë e Shtetit.

    Megjithatë, siç njofton PK’ja, deri më tani nuk ka pasur ndonjë rast të raportuar.

    Komunikata e plotë:

    Zgjedhjet e mbajtura sot në katër komunat veriore, në aspektin e sigurisë vlerësohen të qeta dhe pa asnjë incident

    Prishtinë, 23 prill 2021

    Policia e Kosovës (PK), deri në këtë fazë realizoi me sukses planin operativ për mbarëvajtjen e zgjedhjeve në katër komunat veriore të Kosovës, proces ky i cili në aspektin e sigurisë vlerësohet se ka kaluar i qetë dhe pa asnjë incident

    Përveç ofrimit të sigurisë gjatë procesit zgjedhor, plani operativ ka paraparë inicimin dhe procedimin e çdo vepre penale kundër të drejtës së votimit dhe ndërmarrjen e të gjitha masave procedurale/penale ndaj çdokujt që bie ndesh me ligjet e vendit, në bashkëpunim dhe koordinim me KQZ-në dhe Prokurorinë e Shtetit, por që deri më tani nuk ka pasur ndonjë rast të raportuar.​

    Policia e Kosovës mbetet e përkushtuar në garantimin e rendit kushtetues, krijimin e një ambienti të qetë dhe të sigurt për të gjithë qytetarët, përcjelljen e materialit sensitiv e deri në përfundim të gjithë procesit zgjedhor.

  • Mbyllen qendrat e votimit në katër komunat veriore të vendit

    Mbyllen qendrat e votimit në katër komunat veriore të vendit

    Ka përfunduar në ora 19:00 procesi i votimit në zgjedhjet e katër komunave veriore të vendit.

    Të dielën e 23 prillit, qytetarët në katër komunat veriore Mitrovicë e veriut, Leposaviq, Zubin Potok dhe Zveçan, iu kanë drejtuar kutive të votimit për të zgjedhur kryetarët e rinj.

    Numri i përgjithshëm i qendrave të votimit në Mitrovicën e veriut, Leposaviq, Zveçan dhe Zubin Potok ishte 19 me gjithsej 34 vendvotime, prej tyre 6 janë qendra votimi të rregullta me gjithsej 6 vendvotime, ndërsa 13 qendra të tjera votimi ishin alternative me gjithsej 28 vendvotime.

    Të drejtë vote kanë 45 mijë e 95 persona, 18 mijë e 118 të drejtë vote patën në Mitrovicën veriore, 6 mijë e 998 qytetarë në Zveçan, 6 mijë e 661 në Zubin Potok si dhe në Leposaviq të drejtë vote patën 13 mijë e 318 qytetarë.

    Në përgjithësi, numri i kandidatëve të certifikuar për pjesëmarrje në zgjedhjet për kryetar të katër komunave është 11, ndërsa më shumë se 60 kandidatë janë certifikuar për pjesëmarrje në zgjedhjet për dy kuvendet komunale.

    Në zgjedhjet për kryetar të komunës së Leposaviqit në garë janë: Albulena Hetemi Behluli (PDK) Aleksandër Jablanoviq (PKS) dhe Lulzim Hetemi (VV).

    Në Zubin Potok gara zhvillohet mes dy kandidatëve, Izmir Zeqirin nga PDK dhe Flatron Hasanin e Vetëvendosjes.

    Në Zveçan kandidojnë Ilir Peci nga PDK-së, Fetah Peci nga VV, ndërsa Sladjana Pantoviq është kandidate e pavarur.

    Në zgjedhjet për kryetar të Mitrovicës së Veriut garojnë Iniciaitva Qytetare Mitrovica me kandidatin Betim Osmani, PDK me Taulant Kelmendin dhe Vetëvendosje me Erden Atiq.

    Kurse, në zgjedhjet për dy kuvendet komunale, Partia Demokratike e Kosovës garon me 16 kandidatë në Zveçan dhe 2 në Leposaviq, e Lëvizja Vetëvendosje me 10 kandidatë në Zveçan dhe 18 në Leposaviq. Nga radhët e komunitetit serb, vetëm Partia Kosovskih Srba ka rreth 20 kandidatë në garë për kuvendin e komunës së Leposaviqit.

  • ​Konjufca: Zgjedhjet në veri po mbahen në atmosferë të qetë dhe demokratike

    ​Konjufca: Zgjedhjet në veri po mbahen në atmosferë të qetë dhe demokratike

    Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca ka ftuar qytetarët me të drejtë vote, që të marrin pjesë masivisht në zgjedhje që po mbahen në komunën e Veriut të Mitrovicës, Leposaviq, Zveçan dhe Zubin Potok

    Procesi zgjedhor në katër komunat veriore, siç ka shkruar Konjufca, po organizohet në atmosferë të qetë dhe demokratike, raporton KosovaPress.

    Më tej, Konjufca ka thënë se vota e qytetarëve do të ketë ndikim të madh në vendimmarrje lokale dhe ndryshime të përgjithshme pozitive.

    Lexoni shkrimin e plotë:

    Sot, në një atmosferë të qetë dhe demokratike po mbahen zgjedhjet lokale në katër komunat e Republikës së Kosovës, përkatësisht në komunën e Veriut të Mitrovicës, Leposaviq, Zveçan dhe Zubin Potok.

    Zgjedhjet janë mjeti më demokratik dhe mundësia më mirë për qytetarët që përmes votës së lirë të zgjedhin përfaqësuesit e tyre dhe të bëjnë ndryshimet e dëshiruara.

    Prandaj i ftoj qytetarët me të drejtë vote të këtyre komunave që të marrin pjesë sa më masivisht në zgjedhjet e sotme lokale.

    Mos e humbni rastin. Vota juaj do të ketë ndikim të madh në vendimmarrjen lokale, në ndryshimet e përgjithshme pozitive dhe në jetën e mirëqenien tuaj.

  • Pesë serb votojnë në Leposaviq, procesi zhvillohet pa incidente

    Pesë serb votojnë në Leposaviq, procesi zhvillohet pa incidente

    Në qendrën e votimit në Leposaviq kanë votuar vetëm tre qytetarë, ka njoftuar për Ekonomia Online dhe disa media tjera menaxheri Enver Aliu, raporton Ekonomia Online.

    “Qendra është hapur me kohë dhe deri më tani kanë votuar tre qytetarë, të tretë kanë qenë të nacionalitetit serb”, tha Aliu, teksa shtoi se nuk ka pas asnjë incident.

    Ndërsa dy të tjerë të nacionalitetit serb kanë votuar edhe në fshatin Jashanicë të Leposaviqit.

    Që të tria komunat, Mitrovica e Veriut, Leposaviqi, Zveçani dhe Zubin Potoku kanë mbetur pa kryetar të komunave që nga nëntori i vitit të kaluar. Kjo pasi serbët braktisën institucionet e Kosovës për shkak të vendimit të Qeverisë së Kosovës për riregjistrimin e makinave me targa serbe.

    Në garë për kryetar të këtyre komunave janë 10 kandidatë nga tri subjekte politike, prej të cilave, vetëm një nga komuniteti serb.

    Objekte të tilla janë vendosur në 13 lokacione në katër komunat me shumicë serbe.

    Këto zgjedhje po mbahen pasi serbët, në shenjë proteste për vendimin e Qeverisë për targat, u larguan nga të gjitha institucionet e Republikës së Kosovës.

    Në këto zgjedhje nuk do të marrë pjesë partia më e madhe e serbëve, Lista Serbe, pasi pjesëmarrjen e tyre LS e ka kushtëzuar me krijimin e asociacionit dhe tërheqjen e njësive speciale të Policisë së Kosovës.

    Vendimi i Listës Serbe për të bojkotuar zgjedhjet nuk është pritur mirë nga ndërkombëtarët.

  • KQZ: Deri në ora 11:00 në katër komunat në veri votuan 313 qytetarë

    KQZ: Deri në ora 11:00 në katër komunat në veri votuan 313 qytetarë

    Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ( KQZ ) në konferencën e dytë të mbajtur lidhur me zgjedhjet në veri ka bërë të ditur se procesi i votimit është duke shkuar në rregull dhe pa ndonjë pengesë.

    Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi, ka publikuar disa të dhëna lidhur me pjesëmarrjen e qytetarëve në votime deri në ora 11:00.

    Elezi, tha se pjesëmarrja më e madhe e votuesve vërehet në Mitrovicën e veriut.

    “Procesi i votimit po shkon në rregull dhe pa ndonjë pengesë. Sipas të dhënave pjesëmarrja në proces deri në ora 11:00 është kjo: Leposaviq kanë votuar 28 votues apo 0.21 %. Zubin Potok 65 votues apo 1%. Zveçan 29 votues 0.42% Mitrovicë e veriut 191 votues, apo 1.05% “, bëri të ditur ai.

    Elezi ftoi qytetarët të marrin pjesë në votime.

  • Kryetari i KQZ-së vizion qendrën e votimit në Lagjen e Boshnjakëve

    Kryetari i KQZ-së vizion qendrën e votimit në Lagjen e Boshnjakëve

    Kryetari i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), Kreshnik Radoniqi e ka vizituar qendrën e votimit në Lagjen e Boshnjakëve në Mitrovicën e veriut.

    Rreth 360 është numri i vëzhguesve të akredituar nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) për të vëzhguar zgjedhjet e së dielës.

    Nga 44 sa kanë qenë në të kaluarën, kësaj radhe do të jenë 19 qendra votimi, e shumica prej tyre do të improvizohen në kontejnerë.

    Numri i përgjithshëm i qendrave të votimit në këto katër komuna është 19, me gjithsej 34 vendvotime, prej tyre 6 janë qendra votimi të rregullta, me gjithsej 6 vendvotime, ndërsa 13 qendra të tjera votimi janë alternative, me gjithsej 28 vendvotime.

    Për zgjedhjet në veri do të shtypen 43 mijë e 500 fletëvotime.

  • Ku do të numërohen fletëvotimet e zgjedhjeve të së dielës në veri?

    Ku do të numërohen fletëvotimet e zgjedhjeve të së dielës në veri?

    Një ditë përpara zgjedhjeve të jashtëzakonshme në komunat veriore të vendit duket se gjithçka tashmë është gati.

    Përveç vendvotimeve që tashmë janë të gatshme dhe presin të hapen mëngjesin e së dielës, nga KQZ thonë se deri në atë kohë do të bëhet edhe shpërndarja e materialit të ndjeshëm.

    “Në këto 45 ditë Komisioni Qendror i Zgjedhjeve është angazhuar maksimalisht, për organizimin e zgjedhjeve të jashtëzakonshme për kryetar në këto 4 komuna, dhe në dy prej tyre edhe për kuvendet komunale. Sipas planifikimeve shpërndarja e materialit zgjedhor do të bëhet me kohë, ndërkaq sa i përket çështjes së numërimit të fletëvotimeve, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, do të veprojë në përputhje me procedurat, ashtu siç është vepruar edhe në proceset e kaluara zgjedhore”, ka deklaruar Valmir Elezi Zëdhënës KQZ

    E sipas deklaratës së Elezit, nënkuptohet se numërimi i fletëvotimeve të rregullta do të bëhet në vendvotimet e improvizuara, teksa ato me kusht, dhe të tjerat në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve.

    Nga ana tjetër rreth sigurisë gjatë procesit të numërimit në këto vendvotime, ku shumica prej tyre janë në rrugë, flet njohësi i çështjeve të sigurisë, Avni Islami.
    “Me vetë faktin që këto pika janë të siguruara tregon se siguria e vendvotimeve, dhe fletëvotimeve do të jetë në nivelin më të lartë. Dhe për të siguruar mbarëvajtjen e këtyre zgjedhjeve, është i angazhuar një plan operativ i Policisë së Kosovës, pra kemi parë qysh sot se ka një plan operativ, dhe mendoj se edhe numërimi edhe bartja e fletëvotimeve në vendet e sigurta do të bëhet me sigurinë më të madhe”, ka theksuar Avni Islami Njohës i Sigurisë.

    Në veri është përgjysmuar numri i qendrave të votimi, gjithsej janë 19. Gjashtë prej tyre janë të rregullta, kurse 13 qendra janë alternative të improvizuara në kontejnerë, kryesisht në rrugë.