ATV

Tag: Zgjedhjet në veri

  • BE-ja preferon dorëheqjen e kryetarëve në veri për zgjedhje sa më të shpejta

    BE-ja preferon dorëheqjen e kryetarëve në veri për zgjedhje sa më të shpejta

    Bashkimi Evropian ka kërkuar që zgjedhjet në katër komunat në veri të vendit të shpallen sa më shpejt dhe të organizohen në mënyrë gjithëpërfshirëse.

    Një zëdhënëse e BE-së të enjten ka thënë se Bashkimi Evropian pret që “palët të zbatojnë kërkesat e BE-së siç është bërë e ditur në deklaratën e 27 shteteve anëtare më 3 qershor 2023”. “Kjo përcakton qartë se zgjedhjet e hershme duhet të shpallen sa më shpejt dhe të organizohen në mënyrë plotësisht gjithëpërfshirëse në të katër komunat me shumicë serbe në veri”.

    Të pyetur se si është forma që BE-ja përkrah shpalljen e zgjedhjeve sa më shpejt që të jetë e mundshme, BE-ja ka kujtuar se “dorëheqja e kryetarëve është rruga më e shpejt për të nxitur zgjedhje të parakohshme”, ndërsa ka kërkuar që “palët duhet të tregojnë konstruktivitet në realizimin e zgjedhjeve”, ka deklaruar ajo për Koha.net.

    Ndryshe, Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në vazhdimësi ka thënë se dorëheqja është akt moral, e se qytetarët si zgjidhje e kanë nisjen e një peticioni që kërkon dorëheqjen e kryetarëve.

    BE-ja e ka cilësuar të paqëndrueshme status-quonë në veri të vendit pas dorëheqjes së serbëve nga institucionet e Kosovës dhe bojkotit të zgjedhjeve në veri nga serbët.

    “Vazhdimi i protestave kundër kryetarëve të rinj, pa u nisur zgjedhjet e reja lokale në katër komunat, qoftë me dorëheqje apo peticione për dorëheqje, nuk është rruga përpara. BE-ja pret që zgjedhjet të jenë të lira dhe fer dhe që serbët e Kosovës të tregojnë angazhim konstruktiv në procesin zgjedhor, dhe të angazhohen për të marrë pjesë në to. Kjo do të ishte shenjë e qartë e synimit të serbëve të Kosovës për t’u kthyer në institucionet e Kosovës”, thuhet në përgjigje.

  • Shpallja e zgjedhjeve në veri – problem i bazës ligjore apo i vullnetit politik

    Shpallja e zgjedhjeve në veri – problem i bazës ligjore apo i vullnetit politik

    Ligji për vetëqeverisje lokale ofron bazë të kufizuar për mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme në katër komunat e veriut të Kosovës, të banuara me shumicë serbe, por zgjidhja mund të arrihet vetëm nëse ka vullnet politik të autoriteteve vendore.

    Kështu vlerësojnë Ehat Miftaraj, drejtor ekzekutiv i Institutit të Kosovës për Drejtësi, dhe Miodrag Miliqeviq, drejtor ekzekutiv i organizatës joqeveritare Aktiv nga Mitrovica e Veriut.

    Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha më 26 korrik se autoritetet e vendit janë duke u përgatitur për zgjedhje në komunat: Mitrovicë e Veriut, Zubin Potok, Leposaviq dhe Zveçan, por se ato nuk mund të mbahen pa u shtensionuar situata në këtë zonë.

    Zgjedhjet janë obligim që dalin nga një marrëveshje mes zëvendëskryeministrit të Kosovës, Besnik Bislimi, dhe të dërguarit të Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak, për shtensionimin e situatës në veri.

    Tensionet në këtë zonë janë rritur qysh në fund të majit, kur kryetarët shqiptarë të komunave, të dalë nga zgjedhjet e 23 prillit, kanë hyrë në objektet komunale, përkundër rezistencës së banorëve lokalë serbë.

    Protestat e tyre kanë kulmuar edhe në përleshje të dhunshme me ushtarët e misionit të NATO-s në Kosovë, KFOR.

    Për ta shtensionuar situatën, Kosova ka rënë dakord edhe për zvogëlimin e pranisë policore në ndërtesat komunale në veri.

    Por, Bislimi tha më 24 korrik se nuk është i sigurt se ekziston një bazë e përshtatshme ligjore për shpalljen e zgjedhjeve në veri.

    Ai, po ashtu, tha se Kosova nuk duhet të shpallë zgjedhje në veri të vendit, pa u hequr masat ndëshkuese të vendosura nga Bashkimi Evropian.

    BE-ja pezulloi disa fonde dhe takime me Kosovën, pasi e bëri fajtore për përshkallëzimin e situatës në veri.

    BE-ja nuk e komentoi deklaratën e Bislimit, por përsëriti thirrjen për shpalljen e zgjedhjeve, ndërsa nga qytetarët serbë që jetojnë në katër komunat në veri, kërkoi që të marrin pjesë në proces.

    “Zgjedhjet e jashtëzakonshme duhet të shpallen sa më shpejt që të jetë e mundur”, tha BE-ja më 25 korrik.

    Po atë ditë, presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, tha se autoritetet në Kosovë “nuk i duan ato zgjedhje, nuk duan asgjë”.

    Miftaraj: Dorëheqja e kryetarëve, zgjidhja për zgjedhje

    Sipas Ligjit për vetëqeverisje lokale, në zgjedhje të parakohshme për kryetar të komunës mund të shkohet në rast se kryetari aktual jep dorëheqje; në rast se qytetarët kërkojnë shkarkimin e kryetarit të komunës përmes një peticioni të nënshkruar nga 20 për qind e votuesve të komunës përkatëse; si dhe në rast se kryetari i komunës nuk paraqitet në vendin e punës më shumë se një muaj, pa arsye.

    Ehat Miftaraj, drejtor ekzekutiv i Institutit të Kosovës për Drejtësi, thotë se kur për çështje ligjore kërkohen zgjidhje politike, atëherë zgjidhja e situatës komplikohet.

    Por, sipas tij, për mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme në katër komunat veriore duhet qasur zgjidhjes më praktike.

    “Me rëndësi është fakti se ka një konsensus që kryetarët [e katër komunave në veri] nuk kanë legjitimitet [pasi zgjedhjet u bojkotuan nga serbët]. Ata, fatkeqësisht, nuk i përfaqësojnë interesat e të gjithë qytetarëve në veri të Kosovës. Andaj, nëse ka vullnet politik, duhet të ofrohet zgjidhja që është më praktike dhe që ka më pak implikime për buxhetin e Republikës së Kosovës. Kjo, padyshim, nënkupton ofrimin e dorëheqjeve [nga katër kryetarët e komunave në veri]”, thotë Miftaraj për Radion Evropa e Lirë.

    Duke folur për gazetarët të mërkurën, Kurti la të kuptohet se nuk do të kërkojë dorëheqjen e kryetarëve.

    “Nuk e di se sa është i këndshëm takimi [i kryetarëve] me mua, sepse kur takohen njerëzit me mua, unë u them ‘shkoni në punë dhe jo mos shkoni në punë’”, u shpreh Kurti.

    Miliqeviq: Askush nuk dëshiron të merret me peticionin

    Ministri i Administrimit të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi, në konferencën e përbashkët me kryeministrin Kurti, tha se zgjedhjet e parakohshme mund të zhvillohen nëse 20 për qind e votuesve në një komunë, nënshkruajnë peticionin për largimin e kryetarit të asaj komune.

    Ky peticion, sipas Krasniqit, do të dërgohej në Komisionin Qendror Zgjedhor, që do ta verifikonte atë dhe më pas do të niste një referendum me pyetjen se a duhet të shkarkohet kryetari.

    “Në këtë referendum duhet të marrin pjesë të paktën 50 për qind e trupës votuese, plus një. Kështu që kjo është baza ligjore që del dhe buron nga Ligji për vetëqeverisje lokale”, tha Krasniqi.

    Miodrag Miliqeviq, drejtor ekzekutiv i organizatës joqeveritare Aktiv nga Mitrovica e Veriut, vlerëson se nuk ka asnjë sinjal pozitiv se deri te zgjedhjet e parakohshme në veri mund të arrihet përmes nënshkrimit të peticionit nga qytetarët.

    Sipas tij, një peticion të tillë duhet ta iniciojë ndonjë subjekt politik serb, por ata nuk janë të gatshëm për diçka të tillë.

    “Pas gjithë këtyre fërkimeve të forta, është e qartë se askush në veri nuk dëshiron të merret me atë proces, me peticionin, grumbullimin e nënshkrimeve dhe kështu me radhë. Si mundësi ligjore, kjo ekziston, por përballë kësaj nuk ekziston vullneti politik për inicimin e një procesi të tillë”, thotë Miliqeviq.

    Miftaraj, nga Instituti i Kosovës për Drejtësi, vlerëson se arritja deri te zgjedhjet e parakohshme përmes peticionit të nënshkruar nga qytetarët, fillimisht është mjaft e kushtueshme për buxhetin e vendit, por, sipas tij, edhe një shembull jo i mirë.

    “Kjo do të ndërtonte një precedent të dëmshëm, që nënkupton se kjo mund të përsëritet pastaj edhe në komunat tjera [në të ardhmen]”, thotë Miftaraj.

    Mundësinë e organizimit të zgjedhjeve përmes një peticioni të nënshkruar nga 20 për qind e qytetarëve që janë në listën votuese, e ka përmendur më herët edhe presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani.

    Nënshkrimi i peticionit “me kushte”

    Disa banorë të Mitrovicës së Veriut, të anketuar nga Radio Evropa e Lirë, thonë se do ta nënshkruanin një peticion për mbajtjen e zgjedhjeve të reja lokale në komunat e veriut. Por, ata kanë qëndrime të ndryshme se çfarë duhet t’i paraprijë një procesi të tillë.

    Marija thotë se, fillimisht, autoritetet e Kosovës duhet t’i plotësojnë disa kushte.

    “Të largohen forcat speciale nga veriu i Kosovës, të lirohen personat që u arrestuan, se ata ishin në të drejtën e Zotit, dhe pastaj të shohim, të shkojmë në një rund të ri [zgjedhor] për të parë se çfarë do të ndodhë”, thotë Marija.

    Por, Savo Drobnjakoviq thotë se ai do ta nënshkruante peticionin vetëm nëse atë e inicion Lista Serbe, partia më e madhe e serbëve të Kosovës, e cila mbështetet nga Beogradi zyrtar.

    “Nëse e inicion shteti i Serbisë dhe Lista Serbe thotë po, atëherë unë do të votoja për të. Beogradi nuk ka autoritet këtu, por nëse Lista Serbe thotë, atëherë populli pajtohet, pra edhe unë do ta nënshkruaja”, thotë Drobnjakoviq.

    Jovan Milliqeviq beson se të gjithë banorët e veriut të Kosovës do të duhej ta nënshkruanin peticionin.

    “Po shohim që askund në veri nuk ka institucione funksionale. Çdo ditë lexojmë në media se funksionon vetëm ajo vetëqeverisje lokale në Mitrovicë të Veriut, e cila miraton disa vendime që absolutisht nuk kanë të bëjnë me popullatën serbe… Nëse është e mundur dhe e realizueshme, të ndryshohet paksa për të mirë politika e kuadrove”, thotë Jovan Miliqeviq.

    Hapat drejt zgjedhjeve?

    Miodrag Miliqeviq nga organizata Aktiv vlerëson se autoriteteve të Kosovës u mungon vullneti politik për të shkuar drejt zgjedhjeve në veri përmes dorëheqjeve të kryetarëve të komunave.

    Në këtë kontekst, thotë ai, çështja se si duhet mbajtur zgjedhjet, duhet të zgjidhet përmes një marrëveshjeje të re Kosovë-Serbi.

    “Pa diçka të tillë nuk do të arrihet kurrfarë përparimi më tutje. Së dyti, në Bruksel duhet të diskutohet se cilët janë hapat, në radhë dhe sipas rrjedhës logjike”, thotë Miliqeviq.

    Sipas tij, hapi i parë në këtë radhë duhet të jetë kthimi i funksionalitetit të komisioneve komunale zgjedhore, përkatësisht kthimi i tyre në gjendjen e para muajit nëntor të vitit të kaluar, pra para braktisjes së institucioneve të Kosovës nga serbët e veriut.

    “Më pas, bashkë me këtë, të arrihet një konsensus politik se si do të organizohen zgjedhjet, si dhe pajtimi i Beogradit apo serbëve lokalë për pjesëmarrje në ato zgjedhje. Kjo mund të arrihet vetëm në kuadër të dialogut”, thotë Miliqeviq.

    Sipas tij, hapa pasues do të duhej të ishin shpërndarja e kuvendeve komunale të katër komunave në veri dhe vendosja e masave të përkohshme deri në mbajtjen e zgjedhjeve në veri, si dhe vetë mbajtja e zgjedhjeve.

    Në një situatë të tillë, sipas Miliqeviqit, Beogradi zyrtar do të duhej të obligohej që të mos ushtrojë kurrfarë presioni apo veprimesh të dhunshme ndaj politikanëve dhe qytetarëve në veri të Kosovës, të cilitdo opsion politik apo përkatësie kombëtare qofshin ata.

  • Bislimi dhe Lajçak dakordohen që zgjedhjet në veri të mbahen në vjeshtë

    Bislimi dhe Lajçak dakordohen që zgjedhjet në veri të mbahen në vjeshtë

    Zëvëndëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi ka njoftuar se në takimin e djeshëm me përfaqësuesin e lartё tё Bashkimit Evropian, Miroslav Lajçak, janë dakorduar për karët pika, ku përfshihet edhe deklarata publike e Qeverisë së Kosovёs që mbёshtet mbajtjen e zgjedhjeve tё parakohshme nё 4 komunat nё veri tё vendit dhe atё pas stinёs sё verёs.

    Bislimi po ashtu ka njoftuar se janë dakorduar që Policia e Kosovёs bashkё me EULEX-in dhe KFOR-in, sipas nevojës do të vlerёsojnё gjendjen e sigurisё, nё veçanti pёr tё shikuar mundёsinё pёr zvogёlim tё mёtejmë tё prezencёs policore nё dhe rreth ndёrtesave komunale.

    Komenti i plotë i Bislimit në Facebook:

    Takimi i ditës së djeshme në Bratisllavë me Pёrfaqёsuesin e Lartё tё Bashkimit Evropian, z. Lajçak, në fokus ka patur krijimin e parakushteve pёr pёrforcim tё fokusit nё zbatimin e plotё, të drejtë dhe tё pakushtëzuar tё Marrёveshjes Bazike tё 27 shkurtit dhe aneksit tё Ohrit tё datёs 18 mars. Ne e kemi një marrëveshje e cila duhet të gjejë zbatim. Nё kёtё kontekst jemi dakorduar sa vijon:

    • Qeveria e Kosovёs publikisht e tregon gatishmёrinё e saj pёr tё kontribuar nё deeskalimin e situatёs dhe mosndёrmarrjen e veprimeve qё mund tё eskalojnё situatёn nё veriun e vendit. Kjo pёrfshin njё zvogёlim tё menjёhershёm nё masёn e 25% tё prezencёs policore nё dhe rreth ndёrtesave komunale.

    • Policia e Kosovёs bashkё me EULEX-in dhe KFOR-in, sipas nevojës do të vlerёsojnё gjendjen e sigurisё, nё veçanti pёr tё shikuar mundёsinё pёr zvogёlim tё mёtejmë tё prezencёs policore nё dhe rreth ndёrtesave komunale.

    • Qeveria e Kosovёs pёrmes njё deklarate publike mbёshtet mbajtjen e zgjedhjeve tё parakohshme nё 4 komunat nё veri tё vendit dhe atё pas stinёs sё verёs. Kosova shpreh pёrkushtimin pёr sigurimin e bazёs sё nevojshme ligjore pёr tё mundёsuar organizimin e kёtyre zgjedhjeve.

    • BE-ja do ftojё dy kryenegociatorёt nё Bruksel me synim finalizimin e planit tё sekuencimit pёr Marrёveshjen drejt Normalizimit, pas tё cilit do tё fillojё zbatimi i tё gjitha neneve tё marrёveshjes.

    Veprimet e sipёrpёrmendura do tё finalizohen brenda njё periudhe dyjavore.

    Vullneti i jonë dhe konstruktiviteti si palë në këtë proces, asnjëherë nuk ka munguar. E këtë po e dëshmojmë në vazhdimësi. Asnjëherë nuk kemi vepruar apo kontribuar në eskalimin e situatës në veri, por vetëm në mbrojtje të kushtetueshmërisë dhe ligjshmërisë në vend. Në këtë frymë i marrim të gjitha vendimet e hapat tonë.

    Serbia duhet të ndalojë veprimet e saj nxitëse të dhunës, që çoi në sulmet ndaj ushtarëve të KFOR-it, policisë dhe gazetarëve, në konfiskimin e një arsenali të madh municionesh në afërsi të komunës së Zveçanit, e kidnapimin e tre zyrtarëve tanë policorë thellë brenda territorit të Republikës së Kosovës.

    Ka ardhur momenti që Serbia t’i përmbahet zotimeve të saj përpara BE-së dhe të zbatojë marrëveshjet e dakorduara. Nuk mund të fshihen më prapa tentativave për tensione e kriza, për eskalim të situatës. Ka ardhur momenti që marrëveshja të zbatohet, në mënyrë të drejtë, të pakushtëzuar e të balancuar.

  • Çollakaj: Veriu ka qenë vazhdimisht gjenerator i pasigurisë, vështirë të implementohet rezultati i zgjedhjeve

    Çollakaj: Veriu ka qenë vazhdimisht gjenerator i pasigurisë, vështirë të implementohet rezultati i zgjedhjeve

    Profesori universitar dhe njohësi i çështjeve të sigurisë, Fatmir Çollakaj, në një intervistë në emisionin DIREKT në ATV, tha se, edhe pse rezultati i zgjedhjeve në veri të vendit nuk është kontestuar as nga ndërkombëtarët e as nga Qeveria, ky rezultat është problem të funksionalizohet për shkak se shumica e popullatës që jetojnë në atë pjesë i përkasin komunitetit serb, dhe këta të fundit kanë vendosur t’i bojkotojnë këto zgjedhje.

    “Që nga caktimi i datës së zgjedhjeve për kryetar të komunave në veri të vendit, ka qenë e ditur publikisht dhe botërisht se këto zgjedhje e kanë specifikën e tyre, e specifika e tyre konsiston në specifikën e vet regjionit të veriut të Kosovës, duke e ditur faktin se në vazhdimësi ka qenë gjenerator i pasigurisë në kontinuitet herë me intensitet të shtuar e herë me intensitet më të vogël. Prandaj, në këtë frymë, edhe këto rezultate të zgjedhjeve është vështirë të implementohen, është vështirë të realizohet rezultati i tyree, për arsye se personat që janë të zgjedhur me votë, edhe pse nuk janë kontestuar as nga ndërkombëtaret e as nga Qeveria, e kanë të vështirë ta funksionalizojnë këtë rezultat për shkak se shumica e banorëve që jetojnë në atë pjesë janë të komunitetit serb, që kanë vendosur t’i bojkotojnë këto zgjedhje”, tha Çollakaj. /atvlive.tv

    Emisionin e plotë e gjeni në videon më poshtë:

  • KQZ-ja nuk certifikoi rezultatin e kandidatëve për asamble në Leposaviq

    KQZ-ja nuk certifikoi rezultatin e kandidatëve për asamble në Leposaviq

    Komisioni Qendror i Zgjedhjeve nuk ka certifikuar rezultatin e kandidatëve për asamble në Leposaviq.

    Ndërsa, lista me kandidatët për asamble të Zveçanit ka marrë votat e mjaftueshme dhe është certifikuar.

    Në mbledhjen e KQZ-së, kryetari Kreshnik Radoniqi ka njoftuar se në Panelin Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa(PZAP) nuk është parashtruar asnjë ankesë në lidhje me rezultatin e zgjedhjeve.

    “Ne kemi kërkuar nga PZAP nëse ka pasur ndonjë ankesë brenda 24 orëve të shpalljes së rezultatit të zgjedhjeve. Nga PZAP na kanë njoftuar se nuk ka parashtruar askush ankesë. Janë plotësuar kushtet për certifikimin e rezultateve“, ka thënë ai.

    Në zgjedhjet e 23 prillit, në veri të Mitrovicës dhe Leposaviq ka dalë fituese Lëvizja Vetëvendosje, ndërsa në Zveçan e Zubin Potok, Partia Demokratike e Kosovës.

  • ​Rashiq për zgjedhjet në veri: Është një zgjidhje e përkohshme

    ​Rashiq për zgjedhjet në veri: Është një zgjidhje e përkohshme

    Ministri për Komunitete dhe Kthim, Nenad Rashiq komentoi rezultatet e zgjedhjeve të së dielës në katër komunat veriore. Sipas tij, ajo çka ka ndodhur me këtë proces zgjedhor është zgjidhje e përkohshme.

    Rashiq këto komente i bëri në një konferencë për medie pas mbledhjes së Qeverisë së Kosovës, ku e pranishme ishte edhe zëvendëskryeministrja për Çështje të Pakicave dhe Drejtat e Njeriut, Emilija Rexhepi.

    “Kjo çka ndodhi në fundjavë, sipas meje, është një zgjidhje e përkohshme se normale është që në secilindo sistem nuk preferohet që dy, tre apo katër, pesë për qind që të votojnë në një proces demokratik. E dini edhe ju vetë se nuk ka ndodhur vetëm kështu, është sipas meje një planifikim apo vazhdimësi të keqpërdorimit të serbëve në Kosovë nga ana e një regjimi autokrat, i cili i përdor serbët si një mjet për arritjen e qëllimeve të veta dhe nga aspekti njerëz vërtetë nuk mund ta kuptoj çka po përpiqet të bëjnë“, tha Rashiq.

    Ministri Rashiq ofroi bashkëpunimin me strukturën e re zgjedhor në pjesën veriore të Kosovës.

    Ai shtoi se qytetarët në atë pjesë të Kosovës ballafaqohen me një presion maksimal.

    “Shumë një rrugë e gjatë kemi kaluar që të arrijmë në këtë moment dhe tash kushdo që të jetë ai ose ajo që ta prishë një mundësi të arritjes së një marrëveshjes, ajo e Ohrit, të cilën e shoh si bazë të mirë për të vazhduar procesin e pajtimit. Kur e them këtë, flas në emër të qytetarëve serbë të Kosovës, të cilët më së shumti mund ta humbin nëse nuk arritët një marrëveshje e tillë dhe në veçanti nëse nuk respektohet. Prandaj, sikurse ne nga ana e ministrisë bashkëpunimi do të jetë jo vetëm për strukturat atje, por për të gjithë qytetarët. Personalisht të them të vërtetën se në një komunikim individual shumë shpesh po bisedoj me disa përfaqësues të grupacioneve të ndryshme në veri ende i mungon një guxim personal që të vazhdojnë hapat përpara për një zhvillim por duhet të kupton se në atë pjesë është një presion është absolutisht maksimal dhe nga ana e ministrisë dhe unë personal do të pres të gjithë ata që janë të gatshëm për bashkëpunim qoftë në nivelin siç keni thënë ju struktura e re e komunave”, u shpreh ai.

    Sa i takon marrëveshjes ndërmjet Kosovës dhe Bosnjë e Hercegovinës për lëvizjen e lirë të qytetarëve vetëm me letërnjoftime, zëvendëskryeministrja për Çështje të Pakicave dhe Drejtat e Njeriut, Emilija Rexhepi u shpreh se kjo marrëveshje ende nuk është miratuar në Kuvendin e Bosnjës.

    Por, ajo u shpreh optimiste që kjo mund të ndodhë brenda muajit të ardhshëm.

    “Institucionet e Bosnjës e Hercegovinës ende nuk e kanë bërë ratifikimin në Këshillin e fundit të ministrave nga ana e ministrave serb. Ajo pikë e rendit të ditës është tërhequr dhe nuk është votuar ashtu që propozimi nuk ka kaluar në Këshillin e ministrave që të vijë në Kuvend të Federatës së Bosnjës e Hercegovinës që të votohet por ajo të themi pozitive është drejtpërsëdrejti drejtimi i Dodikut që nuk do të stagnojë procesi i ratifikimit dhe shpresojmë që së shpejti do të përfundoj kjo pasi që jemi të lidhur edhe me afatet kur mund ta bëjmë, dhe shpresoj që do të bëhet muajin tjetër”, tha ajo.

    Zëvendëskryeministrja Rexhepi foli edhe për mbështetjen financiare që ndau qeveria e Kosovës në mbledhjen e sotme për punësimin e pjesëtarëve nga komunitetet jo shumicë në vend.

    “E kemi tani një paketë të tërë të masave ekonomike ndihmëse rreth progresit dhe prosperitetit të të gjitha komuniteteve pakicë në shoqërinë tonë. Projekti do të jetë i adresuar në Ministrinë për Komunitete dhe Kthim përmes së cilës do të shkoj i tërë administrimin dhe logjistika. Me këtë hap pozitivë krijohet shoqëri e njëjtë për të gjithë qytetarët e Kosovës pa marr parasysh përkatësinë fetare apo ndonjë karakteristik tjetër”, u shpreh ajo./kp

  • Këto janë rezultatet përfundimtare për zgjedhjet në veri

    Këto janë rezultatet përfundimtare për zgjedhjet në veri

    Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka shpallur rezultatet përfundimtare për zgjedhjet që janë mbajtur të dielën më 23 prill në katër komunat veriore.

    Rezultatet janë si në vijim:

    Leposaviq: Lulzim Hetemi (VV) – 100 vota ose 73.3 për qind; Albulena Behluli- Hetemi – 34 vota ose 25 për qind; Aleksandar Jabllanoviq – 2 vota ose 1.5 për qind.

    Zubin Potok: Izmir Zeqiri (PDK) – 197 vota ose 52.2 për qind; Flatron Hasani (VV)- 180 vota ose 47.7 për qind

    Zveçan: Ilir Peci (PDK) – 114 vota ose 59 për qind; Fetah Peci (VV)- 72 vota ose 37.3 për qind dhe Slagjana Pantoviq- 7 vota ose 3.6 për qind

    Mitrovicë e Veriut: Erden Atiq (VV) – 553 vota ose 66.9 për qind, Taulant Kelmendi (PDK)- 193 vota ose 23.4 për qind dhe Betim Osmani – 80 vota ose 9.7 për qind.

    Komisioni Qendror i Zgjedhjeve po ashtu ka bërë të ditur edhe numrin e asamblistëve për komunën e Leposaviqit dhe Zveçanit.

    Numri i asamblistëve në komunën e Leposaviqit:

    VV: 85 vota, 77,3 për qind- 15 ulëse

    PDK: 21 vota, 19,1 për qind – 2 ulëse

    Partia Kosovskih Srba: 4 vota, 3,6 për qind- 2 ulëse

    Numri i asamblistëve në komunën e Zveçanit:

    PDK: 98 vota, 60,1 për qind- 11 ulëse

    VV: 65 vota, 39,9 për qind- 8 ulëse

  • KQZ shpall sot rezultatet e zgjedhjeve për komunat veriore

    KQZ shpall sot rezultatet e zgjedhjeve për komunat veriore

    Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka njoftuar se sot do të shpallen rezultatet për zgjedhjet e jashtëzakonshme në katër komunat veriore të Kosovës.

    Përmes një komunikate për media, nga KQZ kanë thënë se të martën nga ora 13:15 mban mbledhjen e radhës.

    Pikë e rendit të ditës është edhe shpallja e rezultateve për zgjedhjet për kryetar të komunave në Mitrovicë e Veriut, Zveçan, Leposaviq dhe Zubin Potok, si dhe zgjedhjet e parakohshme për kuvendet e komunave në Zveçan dhe Leposaviq.

  • Vuçiq sulmon Perëndimin për zgjedhjet në veriun e Kosovës

    Vuçiq sulmon Perëndimin për zgjedhjet në veriun e Kosovës

    Presidenti serb kritikoi ashpër të hënën zyrtarët perëndimorë që ndërmjetësojnë bisedimet për normalizimin e marrëdhënieve me Kosovën, duke i quajtur ata gënjeshtarë dhe mashtrues dhe tha se pakica serbe në Kosovë nuk do të tolerojë më “pushtimin” e huaj.

    Aleksandar Vuçiç foli një ditë pas zgjedhjeve lokale në veriun e Kosovës të banuar me shumicë serbe, të cilat u bojkotuan nga votuesit serbë. Si rezultat, në postet e kryetareve të katër komunave në zonë, u zgjodhën kandidatët shqiptarë.

    Presidenti Vuçiç vlerësoi bojkotin e votimeve nga serbët e Kosovës, duke thënë se ai përfaqësonte “një kryengritje politike paqësore” kundër “pushtuesve” të tyre. Serbët pretendojnë për keqtrajtime nga autoritetet e Prishtinës dhe kërkojnë autonomi për rajonet ku përbëjnë shumicën.

    “Njerëzit tanë në Kosovë kanë treguar se në cilin vend duan të jetojnë”, tha Vuçiç, udhëheqësi populist i cili njihet për shpërthimet e tij të shpeshta antiperëndimore. Ai me sa duket është i zemëruar me Bashkimin Evropian dhe Shtetet e Bashkuara për lejimin e Prishtinës që të mbajë zgjedhje në veri kur kur pritej bojkotimi nga serbët i kërkuar nga Beogradi.

    Bashkimi Evropian tha të hënën se zgjedhjet janë mbajtur në përputhje me kuadrin ligjor të Kosovës dhe se janë bërë përpjekje që ato të zhvillohen në mënyrë të qetë dhe të rregullt.

    “Në të njëjtën kohë, BE-ja shpreh keqardhjen që jo të gjitha partitë dhe komunitetet e shfrytëzuan të drejtën e tyre demokratike për të marrë pjesë dhe votuar në zgjedhje”, thuhet në deklaratën e BE-së. “Pjesëmarrja shumë e ulët, veçanërisht në mesin e qytetarëve serbë të Kosovës, tregon se ky proces nuk është dhe nuk mund të konsiderohet si i zakonshëm”.

    Kosova është një ish provincë me shumicë shqiptare etnike që ishte nën administrimin serb. Lufta e viteve 1998-1999 shpërtheu kur shqiptarët etnikë separatistë ngritën krye kundër sundimit të Serbisë dhe Beogradi u përgjigj me një shtypje. Rreth 13,000 njerëz u vranë, kryesisht shqiptarë etnikë. Në vitin 1999, një ndërhyrje ushtarake e NATO-s e detyroi Serbinë të tërhiqej nga territori. Kosova shpalli pavarësinë në vitin 2008.

    Tensionet kanë vluar që atëherë. Pavarësia e Kosovës njihet nga shumë vende perëndimore, por kundërshtohet nga Beogradi me mbështetjen e Rusisë dhe Kinës. Bisedimet e ndërmjetësuara nga BE-ja kanë bërë pak përparim në vitet e fundit, megjithëse udhëheqësit e Kosovës dhe Serbisë muajin e kaluar u pajtuan të zbatojnë një plan evropian për të normalizuar marrëdhëniet pas dekadash me tensione.

    Presidenti serb Vuçiç tha se ai “ndoshta” do të marrë pjesë në raundin tjetër të bisedimeve të ndërmjetësuara nga BE-ja me kryeministrin e Kosovës Albin Kurti, të planifikuar për t’u mbajtur në Bruksel më 2 maj, pavarësisht se “nuk priste asgjë” nga ai takim.

    “Kam frikë se kjo është hyrje në një krize shumë më të thellë”, tha ai./VOA

  • Kurteshi: Në aspektin ligjor zgjedhjet janë të pranueshme

    Kurteshi: Në aspektin ligjor zgjedhjet janë të pranueshme

    Anëtar i KQZ-së nga Lëvizja Vetëvendosje, Sami Kurteshi, në emisionin A23 në ATV, ka thënë se zgjedhjet e 23 prillit në katër komunat e veriut të vendit, në aspektin ligjor janë të pranueshme, transmeton atvlive.tv.

    “Legjitimiteti është një koncept që përmban disa aspekte, nuk është vetëm një aspekt. Legjitimiteti nuk është vetëm numra, nuk është vetëm statistika, nuk është vetëm demografi, legjitimiteti ka edhe aspektin juridik dhe ashtu siç thash ligjor dhe në aspektin ligjor, nuk ka asnjë pengesë”, tha Kurteshi.

    Sipas tij, as në aspektin politik, rezultati i zgjedhjeve nuk ka ndonjë pengesë.

    “Republika e Kosovës, jo vetëm që e ka përgjegjësi, por e ka detyrim kushtetues që të zhvillojë zgjedhjet për shprehjen e vullnetit dhe ndërtimin e institucioneve demokratike. Në normat ligjore tonat, nuk ka ndonjë kufizim apo kuotë me të cilën legjitimohet në aspektin statistikor zgjedhjet”, tha Kurteshi. /atvlive.tv