ATV

Tag: Vjosa Osmani

  • ​Osmani: Votimi në Komitetin e Ministrave të KiE-së moment i rëndësishëm për Evropën

    ​Osmani: Votimi në Komitetin e Ministrave të KiE-së moment i rëndësishëm për Evropën

    Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka deklaruar se votimi i sotëm në Komitetin e Ministrave të Këshillit të Evropës për ta avancuar aplikimin e Kosovës për Këshillin e Evropës drejt Asamblesë Parlamentare, nuk është vetëm ditë e mirë për të drejtat e njeriut dhe demokracinë në Kosovë, por edhe moment i rëndësishëm për gjithë Evropën.

    Osmani në një deklaratë të lëshuar për media, ka thënë se ky është një hap përpara për Kosovën dhe qytetarët e saj, jo vetëm sa i përket integrimit ndërkombëtar të vendit tonë, por mbi të gjitha për avancimin e pozitës së të drejtave të njeriut, për të gjithë qytetarët tanë, pa dallim.

    “Dëshiroj ta shpreh mirënjohjen time për aleatët tanë ndërkombëtar, presidencën islandeze të Këshillit të Evropës dhe për të gjitha shtetet që na mbështetën me votën e tyre. Pres që shqyrtimi i aplikacionit tonë nga Asambleja Parlamentare të fillojë sa më parë dhe të përmbyllet me sukses. Ne jemi të përkushtuar për t’i përmbushur standardet më të larta të demokracisë, të drejtave të njeriut dhe sundimit të ligjit dhe kemi besim se aplikimi ynë do të vlerësohet në bazë të të arriturave tona në këto fusha. Aspiratat tona euroatlantike janë të qarta dhe vendosmëria e popullit të Kosovës është më e fortë se kurrë. Viteve të fundit, Kosova ka shënuar progres të jashtëzakonshëm, ndaj anëtarësimi jonë në Këshillin e Evropës është dëshmi e mëtejme e përkushtimit tonë të palëkundur ndaj vlerave që përfaqëson ky institucion”, ka thënë Osmani.

    Sipas Osmanit, hapat e ardhshëm janë një mundësi për Evropën për ta shfaqur angazhimin e saj për mbrojtjen e të drejtave të njeriut në çdo vend, në të gjithë kontinentin.

  • ​Osmani: Serbia pengon zgjedhjet në Kosovë në kundërshtim me marrëveshjen e Brukselit

    ​Osmani: Serbia pengon zgjedhjet në Kosovë në kundërshtim me marrëveshjen e Brukselit

    Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani duke komentuar zgjedhjet në veri të vendit, ka deklaruar se institucionet e Kosovës i mundësuan qytetarëve realizimin e të drejtës për pjesëmarrje në zgjedhje dhe treguan se grupet kriminale që janë të dirigjuara nga Serbia nuk mund t`i diktojnë proceset kushtetuese e ligjore në Republikën e Kosovës.

    Ajo pas takimit me kryetarin e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Kreshnik Radoniqi, ka përgëzuar Komisionin Qendror Zgjedhor për përgatitjet e bëra, të cilat mundësuan realizimin e procesit të votimit për zgjedhje të jashtëzakonshme komunale në komunat e Mitrovicës së Veriut, Zveçanit, Zubin Potokut dhe Leposaviqit.

    “Falënderoj poashtu të gjitha institucionet e sigurisë për punën profesionale, të cilat siguruan një ambient të qetë e të sigurt përgjatë procesit zgjedhor, i cili ishte shtyrë nga dhjetori 2022 për në prill 2023. Institucionet e Kosovës i mundësuan qytetarëve realizimin e të drejtës për pjesëmarrje në zgjedhje, në përputhje me Kushtetutën dhe ligjet e Kosovës dhe treguan se grupet kriminale që janë të dirigjuara nga Serbia nuk mund t`i diktojnë proceset kushtetuese e ligjore në Republikën e Kosovës. Falënderoj të gjithë ata qytetarë që morën pjesë në votim, përkundër ndërhyrjes së paligjshme të Serbisë dhe strukturave të saj kriminale për ta pamundësuar një gjë të tillë. Si rrjedhojë e këtyre veprimeve kriminale, shumë qytetarë serb të këtyre komunave u kërcënuan dhe u shantazhuan me qëllim që mos të marrin pjesë në procesin zgjedhor dhe kësisoj të mos mund ta shprehin vullnetin politik për t`i zgjedhur përfaqësuesit e tyre lokal. Ndërhyrja nga jashtë në procese zgjedhore është një problem global për botën demokratike, e cila jo vetëm që mëton ta minojë vullnetin qytetar, por edhe cenon parimin e barazisë sovrane të shteteve, si një nga normat themeltare të rendit ndërkombëtar”, ka thënë ajo, përcjell kp.

    Sipas Osmanit, Republika e Kosovës ka shprehur zotimin e saj në Samitin për Demokraci, të organizuar nën përkujdesin e Presidentit Biden, për të qëndruar krah përkrah me shtetet demokratike për ta luftuar dukurinë në rritje të ndërhyrjes nga jashtë në procese zgjedhore.

    “Angazhimi i vazhdueshëm dhe i hapur i Serbisë për ta penguar zhvillimin e zgjedhjeve të lira në Republikën e Kosovës është kundër frymës dhe shkronjës së Marrëveshjes së fundit të arritur në Bruksel, së bashku me planin implementues. Si e tillë, kjo qasje e Serbisë duhet të kundërshtohet nga e gjithë bota demokratike, meqë njëkohësisht paraqet edhe akt të ndërhyrjes së paligjshme nda jashtë, akt ky që dënohet me një sërë aktesh juridike ndërkombëtare. Institucionet e Kosovës do t`i shtojnë përpjekjet dhe do t’i qëndrojnë pranë të gjithë qytetarëve në katër komunat e veriut të Kosovës, në mënyrë që të mbrohen nga kërcënimet e strukturave ilegale. Institucionet e Kosovës poashtu do t`i bashkërendojnë veprimet me aleatët strategjik për t`i ndaluar veprimet e mëtejme destabilizuese të Serbisë, të cilat janë edhe në kundërshtim me marrëveshjen e fundit të Brukselit. Jemi të vendosur që së bashku me qytetarët e këtyre komunave të punojmë për kushte gjithnjë e më të mira jetese, më shumë demokraci dhe mirëqenie në secilën lagje të secilës komunë”, ka thënë Osmani.

  • ​Osmani: Festa e Bajramit le të shërbejë për të mbështetur nevojtarët

    ​Osmani: Festa e Bajramit le të shërbejë për të mbështetur nevojtarët

    Presidentja Vjosa Osmani uroi që festa e Bajramit të Madh të kalojë në atmosferë dashurie, shprese, solidariteti e humanizmi.

    Osmani tha se, kjo festë që shënon përfundimin e muajit të shenjtë të Ramazanit, karakterizohet me solidaritet ndërnjerëzor, një trashëgimi e jona e bartur ndër breza.

    “Le të shërbejë kjo ditë feste për t`u ofruar me njëri-tjetrin, sikurse edhe për t`i mbështetur njerëzit e tjerë në nevojë. U pranofshin lutjet tuaja dhe sakrifica përgjatë muajit të Ramazanit dhe ju përcjelltë gjithnjë shëndeti, mbarësia dhe begatia në familjet tuaja! Me fat Fitër Bajramin!”, uroi Osmani.

    Ndryshe, pas muajit të rëndësishëm të besimtarëve myslimanë, Ramazanit, që përfundoi ditën e enjte, sot të njëjtit në të gjithë botën kremtojnë ditën e parë të Bajramit të Madh.

    Manifestimi qendror për festën e Fitër – Bajramit për Republikën e Kosovës u mbajt në Xhaminë e Madhe në Prishtinë.

  • Osmani falënderon eurodeputetët që ndihmuan në liberalizim të vizave

    Osmani falënderon eurodeputetët që ndihmuan në liberalizim të vizave

    Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka bërë një postim në llogarinë e saj në Twitter, duke falënderuar eurodeputetët që ishin zë i fuqishëm brenda BE-së për heqjen e vizave për Kosovën.

    “Për të gjithë eurodeputetët aktualë dhe ish-deputetë që kanë qenë përkrahësit më të vendosur në arritjen e lirisë së vizave për Kosovën: Faleminderit! Faleminderit që jeni zëri i popullit të Kosovës në Parlamentin e BE-së”, ka shkruar Osmani, duke e përmendur Ulrike Lunacek, Tanja Fajon, Lukas Mandl, Viola VOn Cramon, Thijs Reuten, Ilhan Kyuchyuk.

  • ​Osmani: Sali Çekaj la gjurmë të pashlyera në organizimin e UÇK-së

    ​Osmani: Sali Çekaj la gjurmë të pashlyera në organizimin e UÇK-së

    Presidentja e vendit, Vjosa Osmani, ka përkujtuar heroin Sali Çekaj në 24 vjetorin e rënies. Ajo ka thënë se ai ishte një prej strategëve më të shquar të luftës dhe veprimtar i paepur në përpjekjet e popullit të Kosovës për liri.

    Osmani ka thënë se Sali Çekaj ka lënë gjurmë në organizimin e UÇK-së dhe të betejave për liri.

    “Komandant Çekaj ishte njëri ndër strategët më të shquar të luftës, por veprimtar i paepur në përpjekjet e popullit të Kosovës për liri. Veprimtarinë atdhetare e nisi herët, për të mos iu ndarë deri në rënien e tij heroike, më 19 prill 1999. Njëherë në Kosovë e më pas në mërgim, ai dëshmoi se si punohet e vdiset për atdhe. Së bashku me Agim Ramadanin e bashkëluftëtarë të tjerë, Saliu iu bashkua Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, ku u shqua si strateg ushtarak. Si komandant i Brigadës 134, la gjurmë të pashlyera në organizimin e UÇK-së dhe të betejave të saj për liri”, thuhet në shkrimin e Presidencës në Facebook.

  • Osmani uron për vizat, meritat ia lë qytetarëve

    Osmani uron për vizat, meritat ia lë qytetarëve

    Presidentja Vjosa Osmani ka uruar sot pas miratimit të vendimit për liberalizimin e vizave nga Parlamenti Europian.

    Ajo tha se ky vendim final është fitore edhe për demokracinë në Europë dhe jo vetëm për Kosovën. Osmani tha se meritë për këtë ka populli i Kosovës.

    “Vendimi i sotëm final për liberalizimin e vizave për qytetarët e Kosovës është fitore, jo vetëm për vendin tonë, por për vetë demokracinë dhe unitetin në Evropë. Ky vendim është meritë e popullit të Kosovës, vendosmërisë së pashembullt të treguar përgjatë viteve, pavarësisht vonesave dhe padrejtësive të ndryshme”.

    Osmani tha se nga data kur qytetarët e Kosovës do të mund të lëvizin lirshëm do të ndihen të barabartë me popujt tjerë europianë.

    “Më 1 janar 2024, qytetarët tanë më në fund do të ndihen të barabartë me popujt tjerë evropian, për të lëvizur lirshëm në kontinentin që ata i përkasin, e për të cilin kanë kontribuar ndër shekuj. Tanimë, lëvizja në shtetet evropiane është më e lehtë, familjet tona janë më afër dhe mundësitë për avancim e bashkëpunim më të mëdha”.

  • Konjufca bashkë me Osmanin shtrojnë iftar për BIK-un në Kuvendin e Kosovës

    Konjufca bashkë me Osmanin shtrojnë iftar për BIK-un në Kuvendin e Kosovës

    Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, së bashku me Presidenten Vjosa Osmani, kanë pritur mbrëmë në iftar udhëheqësinë e BIK-ut.

    Pritja e tyre iu bë siç shkruan Konjufca në Shtëpinë e Popullit në Kuvendin e Kosovës.

    ”Me kënaqësi i kemi ftuar udhëheqësinë e BIK-ut për të marrë pjesë në iftarin tonë të posaçëm në Shtëpinë e Popullit, në Kuvendin e Republikës së Kosovës, bashkë me Presidenten Vjosa Osmani.

    Është një mundësi e veçantë për të forcuar marrëdhëniet ndërmjet nesh dhe për të promovuar respektin dhe bashkëpunimin.

    Urojmë një mbrëmje të këndshme dhe të bekuar për të gjithë pjesëmarrësit e këtij iftari!”.

  • Krerët e shtetit nderojnë viktimat e masakrës së Poklekut, në 24-vjetorin e rënies

    Krerët e shtetit nderojnë viktimat e masakrës së Poklekut, në 24-vjetorin e rënies

    Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani së bashku me kryeministrin Albin Kurti dhe Kryeparlamentarin Glauk Konjufca, kanë bërë homazhe në kompleksin memorial në fshatin Poklek të komunës së Drenasit me rastin e 24 vjetorit të masakres në këtë fshat, raporton Ekonomia Online.

    24 vjet më parë në fshatin Poklek i Vjetër dhe Çikatovë të Vjetër, ushtria serbe ka masakruar dhe i ka vrarë, pastaj edhe i ka djegur kufomat e 77 shqiptarëve civilë të paarmatosur, duke filluar prej foshnjave gjashtëmuajshe e deri te pleqtë 75 vjeçar.

    Pas homazheve kreret e shtetit do ta vizitojnë edhe shtëpinë e familjes Muçolli, në Poklek si dhe do të bëjnë homazhe në fshatin Çikatovë e Vjetër.

  • Presidentja Osmani dhe kryeministri Kurti bëjnë homazhe në Poklek dhe Çikatovë të Vjetër

    Presidentja Osmani dhe kryeministri Kurti bëjnë homazhe në Poklek dhe Çikatovë të Vjetër

    Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani dhe kryeministri Albin Kurti sot do të bëjnë homazhe në kompleksin memorial në Poklek dhe në Çikatovë të Vjetër, Komuna e Drenasit, më 24 vjetorin e masakrës në fshatin Poklek i Vjetër dhe Çikatovë të Vjetër.

    E para e vendit, fillimisht do të bëj homazhe në kompleksin memorial në Poklek, e më pas do të vizitojë edhe shtëpinë e familjes Muçolli, në Poklek.

    Qëndrimi i saj në këtë fshat është paralajmëruar për në ora 11:00.

    Ndërsa më pas, në ora 12:00, presidentja Osmani bën homazhe në kompleksin memorial në Çikatovë të Vjetër, në Komunën e Drenasit.

    Sot bëhen 24 vjet nga masakra në fshatin Poklek i Vjetër dhe Çikatovë të Vjetër, Komuna e Drenasit, ku ushtria serbe ka masakruar dhe i ka vrarë, pastaj edhe i ka djegur kufomat e 77 shqiptarëve civilë të paarmatosur, duke filluar prej foshnjave gjashtëmuajshe e deri te pleqtë 75 vjeçar.

  • ​Osmani priti kryeministrin Abazoviq, diskutime për zhvillimet e fundit

    ​Osmani priti kryeministrin Abazoviq, diskutime për zhvillimet e fundit

    Presidentja Vjosa Osmani ka pritur në takim kryeministrin në detyrë të Malit të Zi, Dritan Abazoviq. Marrëdhëniet ndërmjet të dy shteteve janë vlerësuar të shkëlqyeshme, teksa të dy bashkëbiseduesit shprehën gatishmërinë për thellimin e tyre.

    Në këtë kontekst, Osmani ka përshëndetur marrëveshjen për shërbime ajrore të Kosovës dhe Malit të Zi, të nënshkruar dje.

    Sipas komunikatës së lëshuar nga Presidenca, Osmani ka theksuar se Kosova me Malin e Zi ndajnë pikëpamjet e njëjta mbi rëndësinë e integrimit euroatlantik të shteteve të rajonit si garanci për paqe e prosperitet në rajon.

    Sipas presidentes Osmani, Mali i Zi është shtet mik dhe partner i Kosovës, ndaj ka shfaqur besimin se do ta mbështesë Kosovën edhe më tej në përpjekjen për forcimin e subjektivitetit ndërkombëtar duke përfshirë anëtarësimin në organizatat ndërkombëtare, për të cilën gjë ka marrë mbështetjen e kryeministrit Abazoviq.

    Në takim u tha se është diskutuar edhe për zhvillimet e fundit në vend dhe rajon dhe dialogun me Serbinë.

    Presidentja Osmani ka potencuar se Marrëveshja e Brukselit, e trajton Kosovën dhe Serbinë si palë të barabarta në kontekstin e raporteve ndërshtetërore, megjithëse ka theksuar se Serbia po vazhdon me obstruksione sa i përket zbatimit të marrëveshjes së arritur.

    Pavarësisht kësaj, presidentja Osmani theksoi se Kosova do të vazhdojë të koordinohet me aleatët ndërkombëtarë rreth zbatimit të marrëveshjes dhe se është e përkushtuar për paqe, siguri dhe stabilitet të qëndrueshëm.

    Ndër të tjera, në takim, nga të dy palët u tha se komuniteti shqiptar në Mal të Zi dhe ai malazez në Kosovë janë urë e fuqishme lidhëse ndërmjet të dy shteteve.

    Presidentja Osmani dhe kryeministri Abazoviq diskutuan edhe për zgjerimin e bashkëpunimit në fushën e shkëmbimit ekonomik, tregtar, turizëm, arsim dhe fusha të tjera të interesit të dyanshëm.