ATV

Tag: ShBA

  • Shtetet e Bashkuara të Amerikës festojnë sot Ditën e Pavarësisë

    Shtetet e Bashkuara të Amerikës festojnë sot Ditën e Pavarësisë

    Shtetet e Bashkuara të Amerikës festojnë sot Ditën e Pavarësisë.

    4 Korriku shënon 247-vjetorin e shpalljes së pavarësisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Deklarata e Pavarësisë është një dokument ku 13 kolonitë e Mbretërisë së Bashkuar nga Amerika e Veriut shpallën pavarësinë nga Mbretëria e Bashkuar.

    Dokumenti i Pavarësisë u ratifikua më 4 Korrik 1776. Kushtetuta amerikane, e nënshkruar në vitin 1787 përshkruan më pas bazën dhe strukturën e qeverisë të Shteteve të Bashkuara, e cila është e ndarë në tri degë, në ato ekzekutive, legjislative dhe juridike, pra Presidenti, Kongresi dhe Gjykata e Lartë.

    Dita e Pavarësisë në SHBA festohet me parada madhështore, festime familjare dhe mbyllet me hedhjen e fishekzjarrëve.

  • ShBA-ja dërgon edhe 500 milionë dollarë ndihma në Ukrainë

    ShBA-ja dërgon edhe 500 milionë dollarë ndihma në Ukrainë

    Shtetet e Bashkuara do t’i ofrojnë Kievit një paketë të re ushtarake, me vlerë prej 500 milionë dollarësh, njoftoi Pentagoni.

    Paketa përmban automjete tokësore, përfshirë automjete luftarake Bradley dhe transportues të blinduar të personelit Stryker.

    Qëllimi është të mbështetet Ukraina në kundërofensivën e saj dhe të forcohet mbrojtja e saj ajrore, tha Pentagoni.

    Në deklaratën e tij thuhet, mes tjerash, se Shtetet e Bashkuara “do të vazhdojnë të punojnë me aleatët dhe partnerët e tyre për t’i ofruar Ukrainës kapacitete, për të përmbushur nevojat e saj të menjëhershme në fushëbetejë”.

    Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, shkroi në Twitter se është “sinqerisht mirënjohës”.

    Ai tha se automjetet Bradley dhe Stryker “do ta rrisin edhe më shumë fuqinë” e ushtrisë së tij.

    Rusia ka nisur pushtimin e plotë të Ukrainës në shkurt të vitit të kaluar.

    Perëndimi ka ndërmarrë sanksione të ashpra kundër saj, ndërsa Ukrainën është duke e ndihmuar me armatim.

    Shtetet e Bashkuara janë deri më tash kontribuueset më të mëdha në këtë drejtim, të ndjekura nga Mbretëria e Bashkuar dhe Bashkimi Evropian. Dërgesat, deri më tash, kanë përfshirë: tanke, obusë, sisteme raketore, dronë e të tjera./REL/

  • Mesa: Qyteti i parë miqësor ndaj autizmit në ShBA

    Mesa: Qyteti i parë miqësor ndaj autizmit në ShBA

    Udhëtimi mund të jetë aq stresues për njerëzit me neurodiversitet, sa 87% e familjeve autike nuk bëjnë pushime, sipas një sondazhi nga qendra “Autism Travel”.

    Mbingarkesa e përfshirë në udhëtim si zhurmat e larta, ndryshimet në dietë dhe një ndërprerje në rutinë – mund të shkaktojë shqetësim dhe shpërthime nëse nuk menaxhohet dhe trajtohet me dhembshuri.
    Por qytete si Mesa në Arizona të SHBA-së, po vendosin më në fund mjetet e trajnimit dhe aksesit në mënyrë që të gjithë të mund të shijojnë përfitimet e udhëtimit.

    Në një festë familjare në vitin 2018, presidenti i zyrës së turizmit Visit Mesa në Arizonën jug-qendrore, Marc Garcia, u trondit nga shikimet e çuditshme dhe mungesën e durimit që stafi i mikpritjes kishte për djalin e tij autik.
    Ai u zotua në kthimin e tij për të siguruar që udhëtarët neurodivers që vizituan qytetin e tij do të kishin një përvojë më të mirë në udhëtimin e tyre sesa pati vetë ai.

    Si pikënisje, Garcia punoi për të trajnuar dhe certifikuar të gjithë byronë e turizmit me guidën IBCCES, e cila punon për të ofruar trajnime dhe certifikim të çrregullimeve njohëse për profesionistët, në mënyrë që ata të mund të pajisen më mirë për të ndërvepruar me njerëz neurodivers në mjedise të ndryshme.

    Për bizneset si hotelet, restorantet dhe atraksionet, kjo do të thotë se stafi me publikun është i trajnuar për të kuptuar se çfarë është autizmi, si të ndjejnë empati me mënyrën se si individët autikë e përjetojnë botën dhe ndjeshmëritë e mundshme të përbashkëta dhe si të komunikojnë në mënyrë më efektive me ta.

    Në vitin 2020, një në 36 fëmijë u diagnostikua me autizëm në SHBA, sipas Qendrave për Kontrollin e Sëmundjeve, dhe Organizata Botërore e Shëndetësisë vlerëson se një në 100 fëmijë ka autizëm në mbarë botën, një numër që vazhdon të rritet nga viti në vit, duke e bërë atë çrregullim zhvillimor në rritje në botë.

    Visit Mesa ishte qyteti i parë në SHBA që miratoi programin “Hidden Disabilities Sunflower” në 2021, i prezantuar për herë të parë në Mbretërinë e Bashkuar, me zyrën e turizmit dhe atraksione të tjera që ofrojnë litarë dhe byzylykë falas me temë luledielli për vizitorët.

    Simboli me diell paralajmëron punonjësit e mikpritjes dhe anëtarët e tjerë të informuar të komunitetit se ky person ose familje mund të ketë nevojë për ndihmë për të arritur në një destinacion.

    Në nëntor 2019, qyteti u bë qyteti i parë i certifikuar për autizmin në botë, dhe zyrat dhe qytetet e tjera turistike kanë filluar të ndjekin shembullin.

    Në këtë qytet më shumë se 60 biznese dhe organizata të ndryshme kanë përfunduar trajnimin, mirëpo programi kërkon trajnim vjetor dhe riçertifikim për të siguruar që punonjësit të qëndrojnë të përditësuar mbi praktikat dhe mjetet më të fundit neuro-përfshirëse.

    Vizitorët mund të shohin rezultatin e kësaj në vende si Muzeu i Historisë Natyrore të Arizonës, i cili ofron një udhëzues të dobishëm të ndikimit shqisor të galerive të ndryshme, të cilat mund të aksesohen ose në internet ose të shihen në çdo hyrje galerie.
    Qendra ofron akomodime si batanije të peshuara dhe kufje për anulimin e zhurmës që mund të ndihmojnë gjatë një shfaqjeje, si dhe hapësira të qeta me ndjeshmëri të ulët në rast se dikush ka nevojë për pak kohë.
    Edhe pse ka bërë përparime të mëdha në aksesueshmëri, Mesa nuk do e ngadalësojë hapin për t’u bërë qyteti më i aksesueshëm në SHBA./ATVLIVE.TV/

    Për më shumë ndiqni videon e mëposhtme:

  • Islamaj: Më 1999 u mbrojt një popull dhe jo interesat amerikane

    Islamaj: Më 1999 u mbrojt një popull dhe jo interesat amerikane

    Politologu dhe historiani, Selver Islamaj, në një intervistë në emisionin A23 në ATV, tha se intervenimi i NATO-s në Kosovë, historikisht ka një shembull të krahasueshëm, për shkak se një aleatë i krishter e bombardon një shtet të krishterë, për ta shpëtuar një popull mysliman.

    Sipas tij, interesimi kryesor i aleancës perëndimore ka qenë që të mbrojë një popull.

    “SHBA edhe pse nuk kishte ndonjë interes ekonomik siç akuzohej nga Enver Hoxha në kohën e tij komunizmit se kishte tendenca imperialiste e kolonialiste e tjera, që në fakt nuk përkonin me realitetin, për shkak se Shqipëria nuk kishte zhvilluar aq shumë që mund të ketë interesime amerikane për këtë territor, po thjesht ka qenë një interes me e ndihmu këtë popull, për shkak se George Williams në librin e tij që e boton, e përshkruan që ky popull aq i vuajtun, ka mbetë mbrapa për shkak të rrethanave historike dhe Evropa ka qenë gjithnjë e padrejtë ndaj saj dhe Amerika duhet ta marrë. Po mendoj që është një fakt që vetë e tregon nga vetë intervenimi i NATO-s në Kosovë që historikisht nuk ka një shembull të krahasueshëm, për shkak se një aleatë krishtere e bombardon një shtet të krishter ortodoks, por pa marrë parasysh është e njëjtë ë fe në aspektin e praktikumit, përveç disa dallime të vogla, për me e shpëtu një popull mysliman. Nuk ka shembuj të tillë. Çfarë interesi me pasë, ata kanë mujt me pasë edhe marrëveshje me Serbinë, me thonë ‘largone këtë popull, veç pikë strategjike po më nevojitet ky vend’. Por, një gjë e tillë nuk ka ndodhë, për arsye se interesimi kryesor ka qenë me e mbrojtë popullin shqiptar dhe edhe vetë edhe Bill Klinton në ë fjalinë e fundit të tij para bombardimeve e bën të qartë që duhet me u mbrojtë një popull, e jo me u mbrojtë interesat amerikane”, tha Islamaj.

    Ai tha se historikisht amerikanët kanë pasur problem me individë shqiptarë, mirëpo sips tij, kjo nuk i ka ndaluar ata që të provojnë ta rregullojnë çështjen shqiptare në Ballkan.

    “Historikisht kanë pasë amerikantë probleme me individë të ndryshëm shqiptarë siç ka qenë edhe Enver Hoxha gjatë ë kohës komunizmit, ku Shqipëria i ka pasë shkëputur marrë marrëdhëniet me SHBA-të për 52 vite, por kjo nuk e ka ndalu Amerikën që ajo të provon t’i organizojë shqiptarët përreth dhe shqiptarët në diasporë. Kështu që e kena edhe rastin e ë viteve të 50’ e 60’, ku ka tentativa të ndryshme që të rrëzohet regjimi komunist përmes disa individëve, ndër ta ka qenë edhe një nip i familjes tonë, i njoftur sepse është botu edhe libri i tij, Destan Berisha që ka shërby deri në ditët e fundit të jetës tij në shërbimin amerikan ‘CIA’ dhe ai na ka pasë vizitu neve në Vjenë kur kemi jetu si fëmijë, e mbaj në mend që ka pasë thënë ‘Amerika gjithçka mundet me ba, por çështjen shqiptare kurrë nuk do e lë anash. Do më thanë prej një njeriu që ka qenë pjesë e strukturës, janë thënë këto fjalë, që dëshmon se Amerika, interesin kryesor e ka pasë gjithmonë me stabilizu çështjen shqiptare dhe me kriju një stabilitet për rajonin, sepse po rregullua çështja shqiptare në Ballkon, Ballkani do të paqësohet”, u shpreh Islamaj. /atvlive.tv

    Emisionin e plotë e gjeni në videon më poshtë:

  • Kina dhe ShBA-ja kërkojnë stabilizimin e raporteve

    Kina dhe ShBA-ja kërkojnë stabilizimin e raporteve

    Ministri i Jashtëm i Kinës, Qin Gang, tha më 8 maj se është e domosdoshme të stabilizohen mes Kinës dhe Shteteve të Bashkuara pasi një seri “fjalësh të ashpra dhe veprash” kthyen raportet në gjendje të ngrirë.

    Qin, gjatë një takimi në Pekin me ambasadorin amerikan Nicholas Burns, tha se SHBA-ja veçmas duhet të përmirësojë trajtimin që i bën çështjes së Tajvanit dhe duhet të ndalojë së mosrespektuari principin “e një Kine”.

    Raportet midis dy ekonomive më të mëdha në botë u përkeqësuan vitin e kaluar, kur kryetarja e atëhershme e Dhomës së Përfaqësuesve, Nancy Pelosi, vizitoi ishullin vetëqeverisës të Tajvanit, duke zemëruar Kinën që pretendon se ky ishull është pjesë e territorit të saj.

    Në përgjigje, Kina ndaloi disa kanale që përdoren për komunikime zyrtare me SHBA-në, veçmas ato mes dy ushtrive.

    “Prioriteti kryesor është stabilizimi i raporteve Kinë-SHBA, të shmanget përkeqësimi i raporteve dhe të parandalohet çdo aksident midis Kinës dhe SHBA-së”, tha Qin gjatë takimit me Burns, njoftoi Ministria e Jashtme kineze.

    Tensionet midis dy superfuqive u ulën nëntorin e kaluar, kur presidenti amerikan, Joe Biden, u takua me liderin kinez, Xi Jinping, gjatë samitit të G20-s në Indonezi dhe udhëheqësit u zotuan për dialog më të shpeshtë.

    Por, tensionet u rritën sërish në shkurt kur një balonë kineze u shfaq në hapësirën ajrore amerikane, duke detyruar sekretarin amerikan të Shtetit, Antony Blinken, që të anulonte vizitën e tij në Pekin.

    “Që atëherë, një seri fjalësh të ashpra dhe veprash nga SHBA-ja kanë minuar momentumin pozitiv, të fituar me mund, në raportet Kinë-SHBA”, tha Qin.

    Ambasadori Burns përmes një postimi në Twitter tha se gjatë takimit me Qin ka folur edhe për nevojën që të ketë stabilitet në raportet mes dy shteteve.

    “Ne diskutuam sfidat në raportet SHBA-Kinë dhe nevojën e stabilizimit të marrëdhënieve dhe zgjerimit të komunikimit në nivel të lartë”, tha Burns.

    Tajvani mbetet çështja kyçe në raportet midis Kinës dhe SHBA-së.

    Muajin e kaluar, Kina mbajti stërvitje ushtarake rreth Tajvanit, pasi presidentja tajvaneze, Tsai Ing-wen u takua me kryetarin e Dhomës së Përfaqësuesve, Kevin McCarthy, në SHBA.

    Që nga viti 1979, raportet SHBA-Tajvan janë vendosur në bazë të Aktit të Raporteve me Tajvanin, që ofron bazë ligjore për t’i dhënë Tajvanit mjetet e nevojshme për të mbrojtur veten, por nuk thotë se SHBA-ja do t’i ndihmojë Tajvanit në rast të ndonjë sulmi.

    Në buxhetin për vitin 2023, Kongresi amerikan ka autorizuar ndihmë ushtarake për Tajvanin në vlerë prej 1 miliard dollarësh./REL/

  • Hovenier: Pozicioni i ShBA-së për zgjedhjet nuk ka ndryshuar

    Hovenier: Pozicioni i ShBA-së për zgjedhjet nuk ka ndryshuar

    Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, Jeffrey Hovenier, ka thënë sot se qëndrimi amerikan është i qartë dhe nuk ka ndryshuar lidhur me procesin zgjedhor në veri të Kosovës.

    Në një përgjigje me shkrim për Radion Evropa e Lirë, ambasadori Hovenier ka rikujtuar se në pajtueshmëri me predispozitat ligjore, Kosova do të mbajë më 23 prill zgjedhjet për kryetarë komunash dhe kuvende komunale në katër komunat e banuara me shumicë serbe, në veri të vendit.

    Duke u bërë thirrje të gjithë kandidatëve nga të gjitha partitë politike që të marrin pjesë “në këtë proces demokratik”, ambasadori amerikan Hovenier ka tërhequr vërejtjen se “të gjitha përpjekjet për të penguar mbajtjen e zgjedhjeve përmes kërcënimeve apo përdorimit të dhunës, do të përballen me dënimin e fuqishëm të komunitetit ndërkombëtar”.

    “Shtetet e Bashkuara dhe partnerët tanë do ta vëzhgojnë këtë proces nga afër”, ka thënë zoti Hovenier, duke kërkuar njëkohësisht nga Qeveria e Kosovës të dëshmojë ndjeshmëri ndaj shqetësimeve të qytetarëve që jetojnë në veri të Kosovës.

    Për këta të fundit ndërkaq dhe për partitë politike, ambasadori amerikan ka nënvizuar rëndësinë e “përgjegjësisë që kanë për të respektuar proceset demokratike”, duke ua rikujtuar mundësinë që e kanë pasur të gjithë për t’u regjistruar dhe për të marrë pjesë.

    Më 23 prill, pritet të mbahen zgjedhjet e jashtëzakonshme për kryetarë të komunave të Mitrovicës së Veriut, Zveçanit, Zubin Potokut dhe Leposaviqit, si dhe zgjedhjet e parakohshme për dy kuvendet komunale, në Zveçan dhe Leposaviq.

    Në garë për kryetar të këtyre komunave janë 10 kandidatë nga tri subjekte politike, prej të cilëve vetëm një nga komunitetit serb.

    Tri ditë para zgjedhjeve, nga gara është tërhequr Alleksandar Jabllanoviq, kandidat i Partisë së Serbëve të Kosovës për kryetar të Leposaviqit, me arsyetimin se “nuk ka kushte adekuate” për mbajtjen e tyre.

    Mirëpo, Valmir Elezi nga Komisioni Qendror Zgjedhor (KQZ), ka thënë për Radion Evropa e Lirë se ky institucion tashmë i ka shtypur fletëvotimet.

    I pyetur nëse do të numërohen votat për Partinë e Serbëve të Kosovës, ai ka thënë se “KQZ-ja do t’i publikojë rezultatet për kandidatët e certifikuar.”

    Lista Serbe, partia kryesore e serbëve në Kosovë, nuk ka aplikuar për të marrë pjesë në këto zgjedhje, me arsyetimin se nuk i janë përmbushur dy kërkesa: formimi i Asociacionit të komunave me shumicë serbe, dhe tërheqja e njësiteve speciale të Policisë së Kosovës nga veriu.

    Zgjedhjet e jashtëzakonshme po organizohen pasi kryetarët e këtyre komunave – nga radhët e Listës Serbe, partisë më të madhe të serbëve në Kosovë – kanë dhënë dorëheqje në nëntor të vitit të kaluar, si shenjë kundërshtimi ndaj vendimit të Qeverisë së Kosovës për riregjistrim të makinave me targa ilegale serbe në RKS – Republika e Kosovës./REL/