ATV

Tag: ShBA

  • Nga SHBA në fermë? Salih Buzhala “MagicSal” përflitet si konkurrent në “Ferma VIP 3”

    Nga SHBA në fermë? Salih Buzhala “MagicSal” përflitet si konkurrent në “Ferma VIP 3”

    Magjistari shqiptar Salih Buzhala, i njohur me emrin artistik MagicSal, është një nga emrat që po përfliten për t’iu bashkuar edicionit të tretë të reality show-t “Ferma VIP”, që pritet të nisë më 27 mars.

    MagicSal, i cili jeton dhe vepron në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ka fituar popullaritet përmes performancave të tij magjike dhe prezencës në rrjetet sociale. Ai ishte përfolur më herët edhe si një nga emrat potencialë për “Big Brother VIP Kosova 4”, megjithatë një gjë e tillë nuk u konfirmua.

    Reality show “Ferma VIP” rikthehet këtë pranverë me sezonin e tretë, nën moderimin e Arbana Osmanit. Formati, i cili ndërthur jetën në fermë me sfida fizike dhe dinamika mes personazheve të njohur, ka arritur të tërheqë vëmendje të madhe të publikut në dy edicionet e para.

    Në këtë spektakël, konkurrentët vendosen në një ambient rural, ku përballen me punët e përditshme të fermës dhe sfida të ndryshme. Kujtojmë se fitues i edicionit të parë u shpall Dijonis Biba, ndërsa në sezonin e dytë triumfoi këngëtari Big Basta.

    Edicioni i tretë pritet të sjellë risi, sfida të reja dhe situata të papritura, megjithatë lista zyrtare e konkurrentëve ende nuk është bërë publike.

    Përveç MagicSal, në media janë përfolur edhe disa emra të tjerë si Indri Shiroka, i njohur për rolin e tij në filmin “Pasaporta” të regjisorit Eduart Grishaj, si dhe Inida Gjata (Zhaku), e cila vitin e kaluar ishte pjesë e formatit në rolin e opinionistes. Po ashtu, përmendet edhe balerini Ilir Shaqiri, i cili mund të ketë një rol drejtues në fermë.

    Në prapaskenë, si pjesë e stafit të produksionit përmenden emra si Eraldo Rexho dhe Zefina Hasani, ndërsa raportohet se disa ish-pjesëtarë të ekipit të “Big Brother Albania” mund t’i bashkohen këtij projekti.

    Megjithatë, deri më tani nuk ka një konfirmim zyrtar nga produksioni për pjesëmarrjen e MagicSal apo të emrave të tjerë, duke lënë gjithçka në kuadër të spekulimeve që vijojnë të qarkullojnë në media dhe rrjete sociale.

  • Dashuri me AI – Burrat amerikan duan të dashura robot kurse në Kinë gratë duan burra AI

    Dashuri me AI – Burrat amerikan duan të dashura robot kurse në Kinë gratë duan burra AI

    Dashuria në shekullin e 21-të po merr një kthesë të çuditshme dhe kjo po ndodh në dy anë të ndryshme të botës, ndryshe!

    Në të gjithë ShBA-në, shumë përdorues po kthehen drejt të dashurave me inteligjencë artificiale, partnerë virtualë të krijuar për të flirtuar, për të biseduar dhe për të dhënë mbështetje emocionale 24/7, madje disa raste edhe më shumë…

    Aplikacione si Replika janë bërë shumë popullore, sidomos mes burrave që kërkojnë një marrëdhënie pa refuzim, pa debate dhe pa drama. Këta partnerë digjitalë mund të mbajnë mend bisedat, të mësojnë detaje personale dhe madje të dërgojnë mesazhe romantike që ndonjëherë duken shumë reale.

    Por këtu fillon pjesa interesante. Në Kinë trendi është i njëjtë por ndërron gjinia dhe statusi social!

    Në vend të të dashurave AI, shumë gra të reja po përdorin të dashur virtualë, partnerë të krijuar nga kompani teknologjie që janë programuar të sillen si “burri perfekt”.

    Këta të dashur AI janë të programuar të jenë të vëmendshëm, të sjellshëm dhe gjithmonë mbështetës, diçka që shumë përdoruese thonë se është më e vështirë për t’u gjetur në jetën reale.

    Ekspertët thonë se kjo lidhet edhe me ndryshimet kulturore. Në Amerikë, shumë burra të rinj përballen me vetmi dhe vështirësi në takime romantike, ndaj të dashurat AI duken si një alternativë më e lehtë.

    Ndërsa në Kinë, presioni social ndaj grave për t’u martuar dhe për të krijuar familje është shumë i madh dhe për disa prej tyre një partner virtual ofron shoqëri pa pritje dhe pa presion.

    Një treg global në rritje për romanca me inteligjencë artificiale, ku miliona njerëz po krijojnë lidhje emocionale me programe kompjuterike e robotë në vend të njerëzve të vërtetë.

    Kritikët paralajmërojnë se ky trend mund të ndryshojë mënyrën se si njerëzit lidhen me njëri-tjetrin në të ardhmen.

    Por për shumë përdorues arsyeja është e thjeshtë, partnerët AI nuk tradhtojnë, nuk zihen dhe janë gjithmonë vetëm një mesazh larg…

  • Trump kalon çdo kufijë – Video raciste kundër familjes Obama shpërthen online!”

    Trump kalon çdo kufijë – Video raciste kundër familjes Obama shpërthen online!”

    Presidenti Donald Trump ka nisur një stuhi të vërtetë politike pasi publikoi një video tronditëse që sulmon Barack dhe Michelle Obama, duke lënë kritikët të shokuar dhe mbështetësit në mbrojtje edhe pse e vështirë ta bësh…

    Klipi bombastik, i postuar në platformën sociale të Trump, i paraqet çiftin dikur presidencial, si majmunë në një ambient xhungle, i shoqëruar me muzikë të çuditshme, një veprim që menjëherë ndezi akuza për imazhe raciste dhe çnjerëzuese. Brenda minutash, postimi u bë viral, duke shkaktuar reagime të ashpra në rrjete sociale dhe media.

    Politikanë, aktivistë dhe analistë e dënuan videon si të neveritshme, skandaloze dhe përtej çdo kufiri, duke akuzuar Trump se kishte kaluar një vijë edhe sipas standardeve të tij kontroverse. Disa figura të njohura kërkuan dënim të menjëhershëm, duke paralajmëruar se ky veprim mund të njollosë përgjithmonë trashëgiminë e tij.

    Ekipi i Trump e minimizoi reagimin, duke e quajtur zemërimin “indinjatë të rreme” dhe duke e përshkruar videon si një meme që synonte ta tregonte Trump-in si “mbreti i xhunglës.” Por ky shpjegim nuk arriti ta ndalë zemërimin, me kritikët që e quajtën një justifikim të dobët për një sulm tronditës.

    Familja Obama kanë zgjedhur heshtjen, por kjo heshtje vetëm sa shtoi spekulimet, me burime që thonë se videoja zbuloi një obsesion të thellë dhe rihapi një nga rivalitetet më toksike në politikën moderne amerikane.

    Reagimet online janë kaotike, nga hashtagët që shpërthyen, klipet u përhapën me shpejtësi dhe interneti po ndahet mes zemërimit, mbrojtjes dhe mosbesimit. Një gjë është e sigurt se kjo nuk ishte thjesht një postim tjetër i Trump. Ishte një granatë politike.

    Kliko këtu për videon

  • Vetëm një javë pas vrasjes së Renee Good, një agjent federal qëllon një emigrant, dy persona në pranga

    Vetëm një javë pas vrasjes së Renee Good, një agjent federal qëllon një emigrant, dy persona në pranga

    Minneapolis po tronditet sërish nga dhuna, pasi për herë të dytë brenda një jave qyteti është përfshirë në skena të rënda që kanë ringjallur frikë dhe zemërim.

    Vetëm pak ditë pasi një person tjetër u vra në një incident të ndarë, kaosi u rikthye kur një agjent federal hapi zjarr, duke plagosur një emigrant, emri i të cilit mbetet ende anonim, duke shkaktuar një reagim masiv të forcave të rendit.

    Sipas raportimeve të para, incidenti i fundit ndodhi gjatë një operacioni federal të tensionuar, kur një përballje doli jashtë kontrollit. Momente më pas, të shtëna armësh u dëgjuan në zonë. Një emigranti u godit, ekipet e emergjencës mbërritën me shpejtësi, sirenat dhe dritat blu e të kuqe pushtuan rrugët, ndërsa banorët e tronditur përpiqeshin të kuptonin çfarë po ndodhte.

    Autoritetet vepruan menjëherë. Dy persona u ndaluan, ndërsa forcat federale dhe ato lokale rrethuan zonën, duke e kthyer një bllok qyteti në një skenë të blinduar krimi. Zyrtarët kanë dhënë pak informacion, duke shtuar ankthin dhe spekulimet publike.

    Dëshmitarët përshkruajnë panik dhe konfuzion. “Njerëzit po vraponin, po bërtisnin, po fshiheshin,” tha një banor për mediat amerikane, “Pas asaj që ndodhi javën e kaluar, të gjithë e menduan më të keqen…”

    Incidentet e njëpasnjëshme kanë hedhur benzinë mbi zjarrin e debatit për sigurinë publike, taktikat e zbatimit federal dhe trajtimin e emigrantëve, me kritikë që kërkojnë transparencë dhe llogaridhënie, ndërsa autoritetet këmbëngulin se agjenti veproi nën presion.

    Ndërsa hetimet shtohen dhe tensionet rriten, Minneapolis gjendet sërish në prag shpërthimi.

  • ShBA-të shpenzuan 2.6 milionë dollarë nga taksapaguesit për memorialin e Charlie Kirk

    ShBA-të shpenzuan 2.6 milionë dollarë nga taksapaguesit për memorialin e Charlie Kirk

    Memoriali madhështor i Charlie Kirk në “State Farm Stadium” në Glendale, Arizona, u shënua jo vetëm nga mijëra mbështetës, por edhe nga një operacion sigurie me kosto astronomike rreth $2.6 milionë, të cilat u morën nga taksapaguesit amerikanë.

    Sipas dokumenteve, Shërbimi Sekret i SHBA-së ka paguar kompaninë private ARCUS Group, LLC për të ruajtur perimetrin gjatë ceremonisë së 21 shtatorit. DHS e etiketoi memorialin si “ngjarje me nivel të lartë”, po aq serioze sa një “Superbowl” dhe mobilizoi deri në 800 agjentë të FBI-së, policisë federale dhe ekipeve lokale.

    Në sheshin e ngjarjes ishin emra të profilit të lartë: Donald Trump, J.D. Vance dhe Elon Musk, ndër të tjerë.  Kjo pjesëmarrje masive, megjithatë, solli radhë të gjata  dhe organizatorët u detyruan t’i drejtojnë disa pjesëmarrës te “Desert Diamond Arena” për shkak të pjesëmarrjes së jashtëzakonshme.

    Akoma më shqetësuese ishte një njeri i armatosur, që pretendonte të ishte agjent policie, e i cili u ndalua jashtë stadiumit para ceremonisë.

    Kjo shifër prej $2.6 milionësh, e paguar për siguri perimetrike, ngre pyetje serioze rreth përdorimit të fondeve publike, a është e drejtë që taksapaguesit të financojnë me bujë një event kaq polarizues politik? Dhe sa është realisht çmimi i sigurisë kur vjen puna te figura publike dhe ngjarje me ndikim nacional?

  • Forcimi i partneritetit ushtarak: Kosovë–Iowa thellojnë bashkëpunimin

    Forcimi i partneritetit ushtarak: Kosovë–Iowa thellojnë bashkëpunimin

    Në kuadër të bashkëpunimit bilateral me Gardën Kombëtare të Iowa-s dhe me ftesë të Inspektoratit Gjeneral të kësaj Garde, ekipi i Inspektoratit Gjeneral të Ministrisë së Mbrojtjes, i udhëhequr nga gjeneralmajor Irfete Spahiu dhe i shoqëruar nga këshilltarja e NALT-it, kolonel Bryant, zhvilloi një vizitë zyrtare në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Në vizitë morën pjesë gjithashtu kolonel Ramiz Bytyqi, major Vilson Musaj dhe rreshter shtabor Jeton Ramadani.
    Gjatë kësaj vizite njëjavore, ekipi u prit nga Komandanti i Gardës Kombëtare të Iowa-s, gjeneralmajor Stephen Osborn, me të cilin u zhvillua një takim i veçantë pune mes tij dhe gjeneralmajor Spahiut.
    Vizita filloi me pritjen zyrtare nga ekipi i Inspektoratit Gjeneral të Gardës Kombëtare të Iowa-s, të kryesuar nga kolonel Piters dhe nënkolonel Mosby, ku pas fjalëve mirëseardhëse u mbajtën prezantime nga të dyja palët dhe më pas u zhvillua një trajnim për programin e inspektimit CIP-it, përgatitje kjo për inspektimin e përbashkët që u realizua më 13 dhe 14 shtator në Regjimentin 185 të Stërvitjeve.
    Po ashtu, ekipi zhvilloi një vizitë informuese në Forcat Ajrore të Gardës Kombëtare të Iowa-s, ku u njoftua në detaje për detyrat dhe përgjegjësitë specifike të kësaj strukture.
    Gjatë qëndrimit, përfaqësuesit nga Kosova morën pjesë edhe në ceremoninë “Gara e ushtarit më të mirë, ku morën pjesë tre pjesëtarë të FSK-së. Në vijim, u realizua një vizitë në shtëpinë e veteranëve të Iowa-s në qytetin Marshalltown, ku gjeneralmajor Spahiu u adresua personalisht veteranëve të akomoduar atje, ndërsa një tjetër ndalesë domethënëse ishte vizita në muzeun ushtarak “Iowa Gold Star Military Museum” në Camp Dodge.
    Në fund të vizitës në SHBA, delegacioni i Inspektoratit të Përgjithshëm vizitoi edhe Konsullatën e Republikës së Kosovës në Des Moines, ku u diskutua për thellimin e mëtejmë të bashkëpunimit ndërmjet institucioneve të Kosovës dhe partnerëve amerikanë.
  • Komandanti i FSK-së, po qëndron në vizitë zyrtare në ShBA

    Komandanti i FSK-së, po qëndron në vizitë zyrtare në ShBA

    Me ftesë të komandantit të Gardës Kombëtare të Ajovës, gjeneralmajor Stephen Osborn, komandanti i FSK-së, gjenerallejtënant Bashkim Jashari dhe delegacioni i tij po qëndrojnë në vizitë zyrtare në Ajova, SHBA.

    Në ditën e parë të vizitës, gjenerali Osborn priti në takim bilateral gjeneral Jasharin ku u diskutua për aktivitetet e përbashkëta në kuadër të Programit të Partneritetit Shtetëror mes dy forcave si dhe synimet për avancimin e aktiviteteve bazuar në planin afatmesëm të bashkëpunimit. Të dy gjeneralët u pajtuan të zhvillojnë tutje programin në fushat e manovrës, logjistikës, kibernetikës, mjekësisë si dhe zhvillimit të korit të nënoficerëve. “Po ashtu gjatë kësaj vizite u realizuan edhe disa sesione të prezantimeve për rekrutimin dhe zhvillimin e kapaciteteve njerëzore, mbi gatishmërinë si dhe modernizimin. Të dy delegacionet patën mundësi të shkëmbejnë përvoja dhe praktika nga të dy vendet përkatëse”, thuhet në komunikatë.

    Sipas njoftimit, në ditën e dytë të vizitës së tij Gjeneral Jashari dhe delegacioni i tij u pritën nga zëvendës guvernatori i Ajovës, Adam Gregg. Gjatë takimit gjeneral Jashari falënderoi Gregg për mbështetjen e vazhdueshme që shteti i Ajovës po jep për Kosovën në përgjithësi dhe FSK-në në veçanti. KOMFSK pati mundësi të informojë atë për arritjet e FSK-së, dhe rrugën përpara në zhvillimin e kapaciteteve të reja. Zëvendës guvernatori u shpreh i kënaqur me nivelin e bashkëpunimit dhe të arriturat si dhe shprehu gatishmërinë për të vazhduar tutje në thellimin e bashkëpunimit në nivel sa më të lartë.

    “Delegacioni i FSK-së, ka vizituar edhe Konsullatën e Kosovës në Ajova, ku u pritën nga Sekretari i Parë i Konsullatës, Fatmir Rrahmanaj. Ai prezantoi punën e konsullatës dhe angazhimin e tyre në koordinimin dhe sinkronizimin e aktiviteteve të përbashkëta në fushën e mbrojtjes dhe të diplomacisë”, thuhet në njoftim.

  • ShBA-ja vazhdon të hedhë ndihma nga ajri në Gazë

    ShBA-ja vazhdon të hedhë ndihma nga ajri në Gazë

    Ushtria amerikane ka hedhur ndihma nga ajri në Rripin e Gazës të premten, pasi enklava bregdetare palestineze po përballet me një katastrofë humanitare, raporton Reuters.

    Kjo është hera e katërt që ushtria amerikane hedh ndihma nga ajri për palestinezët në Gazë brenda një jave.

    Lufta e Izraelit në Gazë kundër Hamasit – grupit të shpallur terrorist nga SHBA dhe BE – i ka detyruar shumicën e popullsisë prej 2.3 milionë të kësaj enklave të zhvendosen brenda vendit dhe ka shkaktuar mungesë të madhe ushqimi, uji dhe barnash.

    Presidenti amerikan Joe Biden – i cili njoftoi për hedhjen e parë të ndihmave nga ajri javën e kaluar – tha të enjten se ushtria amerikane do ta ndërtojë një port në Rripin e Gazës, për të mundësuar furnizim më të madh më ndihma në këtë territor përmes detit.

    Të martën, SHBA-ja dhe Jordania i hodhën me parashutë më shumë se 36.800 ushqime në Gazë, tha ushtria amerikane.

    Furnizimi me ndihma në Gazë, i përkeqësuar prej se nisi lufta më 7 tetor, është kufizuar skajshëm në muajin e fundit. Pjesë të tëra të këtij territori nuk kanë aspak qasje në ushqim.

    SHBA-ja i hodhi ndihmat e para nga ajri të shtunën, në bregdetin e Gazës jugperëndimore.

    Shtetet e Bashkuara i kanë bërë thirrje tashmë shumë herë Izraelit të bëjë më shumë për ta lehtësuar katastrofën humanitare në Gazë, ku më shumë se 30.000 palestinezë janë vrarë nga lufta izraelite, e nxitur nga sulmi i Hamasit në jug të Izraelit më 7 tetor, ku u vranë 1.200 njerëz dhe u rrëmbyen 250 të tjerë nga pjesëtarët e grupit radikal palestinez.

    Kombet e Bashkuara kanë paralajmëruar se një çerek i popullsisë së Gazës është buzë urisë absolute.

    Shpresat për të arritur armëpushim para muajit të shenjtë të Ramazanit, i cili nis javën e ardhshme, u zbehën të enjten, kur Hamasi – grupi i shpallur terrorist nga SHBA-ja dhe BE-ja – tha se delegacioni i tij u largua nga Kajro, ku po mbaheshin bisedimet për arritjen e një marrëveshjeje.

    Pjesë e marrëveshjes së armëpushimit do të kishte qenë edhe dërgimi i madh i ndihmave në Gazë./REL/

  • ​SHBA ka pranuar kërkesën e Kosovës për blerjen e raketave anti-tank “Javelin”

    ​SHBA ka pranuar kërkesën e Kosovës për blerjen e raketave anti-tank “Javelin”

    Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka takuar ambasadorin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Beograd, Christopher Hill, me të cilin ka biseduar për procedurën për miratimin e kërkesës së Kosovës për blerjen e raketave antitank Javelin.

    Me këtë rast, ambasadori Hill e ka njoftuar presidentin Vuçiq për vendimin amerikan për të pranuar kërkesën e Kosovës për blerjen e “Javalin”.

    Siç ka thënë ambasadori Hill, Departamenti i Shtetit do ta dërgojë kërkesën e Kosovës në Kongresin Amerikan, i cili do të fillojë procedurën zyrtare, raporton Danas.

    Vuçiq tha se ky informacion është një zhgënjim i madh për Serbinë, por se ata do të punojnë me SHBA-në për ruajtjen e marrëdhënieve ndërmjet dy vendeve.

    Ai më herët ka shkruar në Instagram se ka pasur një bisedë të hapur me ambasadorin Christopher Hill.

    “Ne diskutuam edhe për pozicionin ndërkombëtar të Serbisë, situatën në Kosovë dhe vazhdimin e dialogut me Prishtinën, si dhe për ngjarjet aktuale gjeopolitike. Konfirmuam përkushtimin tonë për ruajtjen e paqes dhe stabilitetit në rajon dhe forcimin e miqësisë dhe bashkëpunimit Serbi-SHBA”, ka shkruar Vuçiq.

  • ShBA pritet të lejojë Kosovën në stërvitjet ushtarake me forcat e NATO-s

    ShBA pritet të lejojë Kosovën në stërvitjet ushtarake me forcat e NATO-s

    Projektligji vjetor i mbrojtjes i Senatit amerikan do të shtojë Kosovën në listën e vendeve të Europës Lindore që kualifikohen për trajnime ushtarake të ShBA-së në mes të tensioneve të rritura në Ballkan.

    Ky projektligj e lejon Kosovën të angazhohet në stërvitjet ushtarake të udhëhequra nga SHBA për të rritur ndërveprimin me forcat e NATO-s. Një gjë e tillë do t’i mundësonte Kosovës të merrte rimbursime për trajnime nëpërmjet stërvitjeve ushtarake shumëpalëshe me anëtarët e NATO-s dhe ato të Partneritetit për Paqe të NATO-s, një listë e vendeve që përfshin edhe Serbinë.

    Siç shkruan Defense News, kjo vjen si përpjekje për të thelluar lidhjet ushtarake Kosovë-SHBA pasi administrata e Biden dhe ligjvënës të shumtë kërkojnë të zbutin marrëdhëniet e përkeqësuara të Kosovës me Serbinë në mes të tensioneve në rritje.

    “Komiteti vlerëson përpjekjet e Departamentit të Mbrojtjes për të mbështetur Republikën e Kosovës ndërsa punon për të zhvilluar dhe përmirësuar forcat e saj të sigurisë kombëtare, veçanërisht përpjekjet për të rritur profesionalizimin, rritjen e ndërveprueshmërisë dhe përforcimin e aftësisë së Kosovës për t’iu përgjigjur kërcënimeve të jashtme dhe hibride”, thuhet në një raport të komisionit shoqërues të projektligjit thuhet.

    Raporti thekson gjithashtu se Komiteti i Shërbimeve të Armatosura të Senatit “mbështet zgjerimin e bashkëpunimit të sigurisë kibernetike” me forcat e armatosura kosovare, duke udhëzuar Sekretarin e Mbrojtjes Lloyd Austin që të informojë Kongresin mbi përpjekjet për ta bërë këtë deri në fund të vitit.

    “Komiteti beson se Departamenti i Mbrojtjes duhet të identifikojë fushat për të çuar më tej bashkëpunimin ekzistues të sigurisë kibernetike dhe gjithashtu mundësi të reja për të forcuar partneritetin dypalësh”, thuhet në raport.

    Komisioni për Punë të Jashtme të Dhomës së Përfaqësuesve mbajti një seancë dëgjimore për këtë çështje më 18 korrik, megjithëse ligjvënësit kanë qenë disi të ndryshëm në lidhje me presionin për të ushtruar ndaj Kosovës dhe Serbisë në mosmarrëveshje.

    Shtetet e Bashkuara të Amerikës e kishin anuluar pjesëmarrjen e Kosovës në stërvitjet Defender Europe 2023 në fund të majit që ishte pasoja e parë për Qeverinë e Kosovës, pasi i refuzoi thirrjet e Uashingtonit që të shtensionojë situatën në veri.