ATV

Tag: Rusia

  • Rusia nis valën më të madhe të sulmeve ndaj Ukrainës prej javësh

    Rusia nis valën më të madhe të sulmeve ndaj Ukrainës prej javësh

    Rusia ka lëshuar 574 dronë dhe 40 raketa në Ukrainë në një nga bombardimet më të rënda në javë, thonë zyrtarët ukrainas.

    Një person u vra në një sulm me dron dhe raketa në qytetin perëndimor të Lvivit, dhe 15 persona u raportuan të plagosur në një sulm në rajonin jugperëndimor të Transkarpatisë, raporton BBC, transmeton KosovaPress.

    Sulmet erdhën ndërsa Presidenti i SHBA-së Donald Trump udhëhoqi lëvizjet diplomatike për të ndaluar luftën, dhe Ministri i Jashtëm ukrainas Andrii Sybiha tha se sulmet nxorën në pah pse përpjekjet për ta përfunduar atë ishin “kaq kritike”.

    Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky ka thënë se Ukraina është gati të takohet me Vladimir Putinin e Rusisë “në Evropën neutrale” – në Zvicër ose Austri – dhe ai nuk është as kundër Stambollit.

     

  • Gërvalla pas dështimit të kërkesës ruse në OKB: Rusia ngeli e vetme në përpjekje për ta shtrembëruar të vërtetën

    Gërvalla pas dështimit të kërkesës ruse në OKB: Rusia ngeli e vetme në përpjekje për ta shtrembëruar të vërtetën

    Ministrja e Punëve të Jashtme, Donika Gërvalla, ka thënë se Rusia ka ngelur e vetme në përpjekjen e saj për ta shtrembëruar të vërtetën, pasi i dështoi thirrja për seancë të jashtëzakonshme të Këshillit të Sigurimit të Organizatës së Kombeve të Bashkuara për Kosovën.

    Një ditë më parë, vetëm tre anëtarë votuan pro mbajtjes së seancës në lidhje me 25-vjetorin e bombardimeve të NATO-s ndaj caqeve serbe.

    Ministrja Gërvalla të hënën në mbrëmje ka thënë se Kosova ka qenë e gatshme për të paraqitur faktet rreth krimeve të Serbisë. Ajo ka falënderuar shtetet partnere të Kosovës.

    “Të gatshme për të paraqitur para anëtarëve të Këshillit të Sigurimit faktet rreth krimeve gjenocidale të Serbisë ndaj popullatës civile në Kosovë, përshëndetëm megjithatë unitetin e partnerëve, miqve dhe aleatëve tanë për moslejimin e mbajtjes së kësaj seance propagandistike. Rusia mbeti e vetme në përpjekjet e saj të rrezikshme për ta shfrytëzuar Këshillin e Sigurimit për të shtrembëruar të vërtetën. Me vetëm 3 vota pro (mes tyre Federata Ruse) dhe 13 abstenime, iniciativa e Rusisë nuk kaloi. Qindra masakra të tmerrshme që Serbia bëri në Kosovë, vrasja mizore e 1432 fëmijëve, përdhunimi i mijërave grave, vajzave, burrave dhe fëmijëve, zhdukja e viktimave të luftës dhe shkatërrimi i pasurisë së Kosovës ishin dhe mbeten fakt”, ka shkruar ajo në Facebook teksa ka njoftuar se në KS të OKB-së ka qenë me ish-deputeten dhe aktivisten, Vasfije Krasniqi-Goodman, si e dërguar e posaçme e Presidencës për çështje të të mbijetuarve të dhunës seksuale gjatë luftës.

    Gërvalla ka vazhduar tutje duke thënë se për 25 vjet të pasluftës Kosova ka avancuar në demokraci, sundim të ligjit e respektim të të drejtave të njeriut, ndërkohë që “Serbia dhe Rusia kanë mbetur në të kaluarën e tyre të errët, që fatkeqësisht po i përcjell edhe sot dhe që po i çon drejt izolimit”.

    Këshilli i Sigurimit hedh poshtë kërkesën e Rusisë për seancë të jashtëzakonshme kundër ndërhyrjes së NATO-s në Kosovë

  • Krasnodar apo Zenit, drejtori i Malishevës tregon kush bëri ofertë 1.7 milion euro për Drilon Hazrollaj

    Krasnodar apo Zenit, drejtori i Malishevës tregon kush bëri ofertë 1.7 milion euro për Drilon Hazrollaj

    Drejtori i klubit FC Malisheva, Milaim Berisha i ftuar në emisionin ‘EKIPI A’ në ATV, e ka bërë të ditur që për lojtarin e Drilon Hazrollaj ka pasur shumë oferta.

    Berisha, ka deklaruar që në drejtim te klubit FC Malisheva, ka ardhur një ofertë 1.7 milionë euro nga një klub nga Rusia.

    ‘Në drejtim te klubit ka ardhur një ofertë zyrtare 1.7 milionë euro klubi është Rusia, skuadra aktualisht pozicionohet në vendin e parë ose në vendin e dytë në Ligën ruse, por lojtari, menaxheri i tij dhe klubi e kanë refuzuar’ tha Berisha.

    Duke i parë renditjen në Superligën turke, në pozitat një dhe dy renditen Krosondar dhe Zenit.

    Emisionin mund të shihni live më poshtë.

  • Zelensky thotë se është gati të organizojë zgjedhje, pavarësisht luftës së vazhdueshme

    Zelensky thotë se është gati të organizojë zgjedhje, pavarësisht luftës së vazhdueshme

    Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky tha të premten se Kievi është “gati” të organizojë zgjedhje pavarësisht luftës së vazhdueshme, transmeton atvlive.tv.

    “Jam gati për zgjedhjet. Dua të them, ne jemi gati nëse është e nevojshme,” tha Zelensky, duke shtuar se është në favor të lejimit të vëzhguesve ndërkombëtarë në zgjedhjet e mundshme.

    “Për ne, gjëja kryesore nuk është të mbajmë zgjedhje, por që ato të njihen”, tha Zelensky. /atvlive.tv

  • ​NATO rikofirmon mbështetjen e saj për integritetin territorial të Ukrainës

    ​NATO rikofirmon mbështetjen e saj për integritetin territorial të Ukrainës

    NATO veproi me shpejtësi të martën për të siguruar Ukrainën se ka mbështetjen e NATO-s pas komenteve të një prej zyrtarëve të saj të lartë.

    Duke folur gjatë një paneli diskutimi në Norvegji, Stian Jenssen, shefi i shtabit të sekretarit të përgjithshëm të NATO-s, propozoi që Ukraina t’i jepte një pjesë të territorit të saj Rusisë në këmbim të anëtarësimit në NATO, në mënyrë që t’i jepte fund luftës, shkruan AA, transmeton KosovaPress.

    “Unë mendoj se një zgjidhje mund të jetë që Ukraina të japë një pjesë nga territori dhe në këmbim të anëtarësohet në NATO” tha ai, duke shtuar megjithatë se “duhet të jetë në dorën e Ukrainës që të vendosë se kur dhe në çfarë kushtesh duan të negociojnë,” gazeta tabloide norvegjeze Verdens Gang raportoi më 15 gusht.

    Megjithatë, Jenssen vuri në dukje se kjo ishte vetëm një nga zgjidhjet e mundshme dhe jo qëndrimi i NATO-s për këtë çështje.

    Një burim zyrtar nga Aleanca ka reaguar.

    “Ne mbështesim plotësisht sovranitetin dhe integritetin territorial të Ukrainës, siç riafirmuan liderët e NATO-s në Samitin e Vilniusit në korrik. Ne do të vazhdojmë të mbështesim Ukrainën për aq kohë sa të jetë e nevojshme dhe jemi të përkushtuar për të arritur paqe të drejtë dhe të qëndrueshme”, tha ai.

    NATO ka thënë vazhdimisht se Ukraina duhet të vendosë për kohën dhe kushtet e paqes me Rusinë.

    Zyrtarët ukrainas në mediat sociale kritikuan vërejtjet e Jenssen.

    “Të flasësh për anëtarësimin e Ukrainës në NATO në këmbim të heqjes dorë nga një pjesë e territoreve të Ukrainës është absolutisht e papranueshme”, tha zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme të Ukrainës, Oleg Nikolenko në Facebook.

    “Ne gjithmonë kemi supozuar se Aleanca, si Ukraina, nuk tregton territore. Pjesëmarrja e vetëdijshme ose e pavetëdijshme e zyrtarëve të NATO-s në formësimin e narrativës në lidhje me mundësinë e dorëzimit të territoreve nga Ukraina është në duart e Rusisë,” tha Nikolenko.

    Këshilltari presidencial ukrainas Mykhailo Podolyak tha në platformën e rrjeteve sociale “X” se heqja e territorit në këmbim të anëtarësimit në NATO do të nënkuptonte “zgjedhje të qëllimshme të humbjes së demokracisë, inkurajimin e një krimineli global, ruajtjen e regjimit rus, shkatërrimin e ligjit ndërkombëtar dhe kalimin e luftës në brezat e tjerë.”

  • Stoltenberg: NATO do ta ftojnë Ukrainën që të anëtarësohet kur të plotësohen kushtet

    Stoltenberg: NATO do ta ftojnë Ukrainën që të anëtarësohet kur të plotësohen kushtet

    Në samitin e sivjetmë të NATO-s që po mbahet në Vilnus të Lituanisë, një ndër temat kryesore do të jetë lufta në Ukrainë, njoftoi gazetarja e ATV-së, Flaka Vitaku, në një lidhje të drejtpërdrejt në emisionin DIREKT nga kryeqyteti lituanez ku po mbahet ky samit.

    “Në një kohë të kritike për sigurinë, ende po zhvillohet lufta nga agresioni rus në Ukrainë, presidenti Volodimir Zelenski, do të jetë pjesë e këtij samiti dhe pritet të inaugurojë këshillin NATO-Ukrainë. Ky këshill ka një rëndësi të madhe për Ukrainën, duke i dhënë mundësi të organizojë takime dhe të ngritë çështje të ndryshme, megjithëse nuk është anëtare e NATO-s. Një kërkesë tjetër e Ukrainës është të bëhet anëtare e NATO-s sa më shpejtë. Shtetet anëtare të NATO-s po e marrin parasysh këtë kërkesë, por nuk ka ende një marrëveshje në lidhje me këtë çështje. Sot, presidenti i SHBA-së, Joe Biden, u pajtua me deklaratat e Jens Stoltenberg-ut, në të cilën thuhet se do të mundohen të bëjnë më të mirën për të mbështetur Ukrainën, por duhet të presin deri në një moment të qetësohet situata”, njoftoi Vitaku.

    Vitaku tregoi se në këtë samit, është diskutuar edhe mbrojtja e Ukrainës nga çdo lloj agresioni që mund të vijë.

    “Shtetet e tjera në nivel botëror po ndihmojnë Ukrainën, duke ofruar ndihmë financiare përveç investimeve të tyre të larta. Në këtë samit është diskutuar për të mbrojtur Ukrainën nga çdo lloj agresioni që mund të vijë”, tha Vitaku.

    Raportimin e plotë të gazetares së ATV-së, Flaka Vitaku, drejtpërdrejt nga vendi ku po mbahet samiti i NATO-s e gjeni në videon më poshtë:

  • Zelensky: Rusia po bën gati “provokime të rrezikshme” në Zaporizhia

    Zelensky: Rusia po bën gati “provokime të rrezikshme” në Zaporizhia

    Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, ka thënë se Rusia po planifikon të inskenojë “provokime të rrezikshme” në termocentralin e Zaporizhias, derisa Moska ka hedhur akuza në drejtim të Kievit.

    Zelensky në një bisedë telefonike, i tha homologut të tij francez, Emmanuel Macron, se forcat okupuese ruse janë duke përgatitur provokime të rrezikshme në termocentralin bërthamor.

    Në anën tjetër, Rusia akuzoi Ukrainën se po planifikon ta sulmojë termocentralin, duke paralajmëruar se një sulm në termocentralin e Zaporizhias mund të ketë pasoja të rënda.

    Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, tha të mërkurën se “situata është mjaft e tensionuar pasi kërcënimi për sabotim nga regjimi i Kievit është mjaft i lartë dhe se një sabotim mund të ketë pasoja katastrofike”.

    Peskov tha se Ukraina është e gatshme të bëjë gjithçka, por nuk dha asnjë dëshmi për t’i mbështetur këto pretendime. Që nga javët e para të pushtimit rus të Ukrainës, që filloi në shkurt të vitit të kaluar, termocentrali bërthamor është i okupuar nga forcat ruse.

    Ndërkohë, si Kievi, ashtu edhe Moska, kanë raportuar për luftime të ashpra përgjatë rajonit lindor të Donetskut, teksa forcat ukrainase po synojnë të rikthejnë territoret, si pjesë e kundërofensivës. /atvlive.tv

    Edicionin Qendror të lajmeve në ATV e gjeni në videon më poshtë:

  • Blinkeni thotë se ushtria ruse është rast studimi për dështime

    Blinkeni thotë se ushtria ruse është rast studimi për dështime

    Sekretari amerikan i Shtetit, Anthony Blinken, në një fjalim në Helsinki, ushtrisë ruse i është referuar si “e dyta më e mira në Ukrainë” sa u përket kapaciteteve.

    Komentet e Blinkenit janë referencë për deklaratat e presidentit rus, Vladimir Putin, i cili shpesh ka thënë se ushtria e tij është e dyta më e mira në botë.

    Blinkeni ka thënë se ushtria e Rusisë është rast studimi për dështime pasi i janë vrarë më shumë se 100 mijë ushtarë vetëm në gjashtë muajt e fundit. SHBA-ja është aleatja kryesore në furnizimin me armatim të Kievit me qëllim që t’i mposhtë forcat e Kremlinit.

    Sekretari amerikan i Shtetit më herët ka thënë se nuk mund të ketë armëpushim në Ukrainë, derisa nuk do të arrihet marrëveshja jetëgjate e paqes që do ta përfshinte tërheqjen e ushtrisë ruse nga Ukraina.

  • Samiti i G7 në Hiroshimë, pritet t’i vendosen sanksione të reja Rusisë

    Samiti i G7 në Hiroshimë, pritet t’i vendosen sanksione të reja Rusisë

    Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky do të marrë pjesë në samitin e Grupit të Shtatë (G7), në Hiroshimë, këtë fundjavë për të ushtruar presion të ri mbi Rusinë nga një qytet që është sinonim i tmerreve që shkakton lufta bërthamore.

    Zelensky do të marrë pjesë në takim të dielën, që është dita e tretë dhe e fundit e samitit, thanë dy zyrtarë të përfshirë në aranzhimet për samitin e G7-ës.

    G7 përbëhet nga Kanadaja, Franca, Gjermania, Italia, Japonia, Mbretëria e Bashkuar dhe Shtetet e Bashkuara.

    “Gjëra shumë të rëndësishme do të vendosen atje dhe prandaj presidenti jonë do të jetë i pranishëm, që është absolutisht thelbësore për të mbrojtur interesat tona”, tha për televizionin shtetëror Oleksiy Danilov, sekretari i Këshillit të Sigurisë Kombëtare dhe Mbrojtjes së Ukrainës.

    Pjesëmarrja e Zelenskyt, së bashku me thirrjet e tij për mbështetje të shtuar për Ukrainën në konfliktin e saj me Moskën, pritet të shtojë presionin te vendet e G7-ës për të vepruar më me urgjencë.

    Udhëheqësit e G7-ës tashmë pritet të shpallin sanksione të reja kundër Rusisë dhe të shtojnë bashkëpunimin për kundërvënie ndaj Kinës.

    Duke u paraqitur si kombet më të pasura të botës në epokën e pas Luftës së Dytë Botërore, demokracitë e G7-ës janë sfiduar gjithnjë e më shumë nga Kina si një fuqi politike në rritje dhe një Rusi e paparashikueshme.

    Britania tha se do të shpallë një ndalim të diamanteve ruse dhe importeve të metaleve nga Rusia duke përfshirë bakrin dhe aluminin. Britania do të sanksionojë gjithashtu 86 persona dhe kompani të tjera të afërta me Putinin.

    Presidenti i Këshillit Evropian Charles Michel tha se Evropa do të kufizojë gjithashtu shitjet e diamanteve ruse.

    Shtetet e Bashkuara do të shtojnë 70 subjekte në listën e zezë të eksporteve dhe do të zgjerojnë autoritetin e sanksioneve në 300 subjekte, si dhe sektorë të rinj të ekonomisë ruse, tha një zyrtar i lartë i administratës amerikane.

    “Do të dëgjoni një deklaratë të fuqishme uniteti, fuqie dhe përkushtimi në përgjigjen tonë ndaj luftës së agresionit të Rusisë”, tha zyrtari. “Do të shihni hapa të rinj të ndërmarrë për të izoluar ekonomikisht Rusinë dhe për të dobësuar aftësinë e saj për të bërë luftë.”

    Qëllimi i përbashkët i këtyre shteteve është zvogëlimi i varësisë nga eksportet ruse të energjisë dhe kufizimi i aksesit të saj në sistemin financiar ndërkombëtar.

    Rusia ka thënë se është e gatshme të përdorë arsenalin e saj bërthamor për të mbrojtur “integritetin e saj territorial” nëse është e nevojshme.

    Më herët të premten, udhëheqësit e G7 vendosën kurora me lule në Hiroshima, një qytet që, së bashku me Nagasaki, u shkatërrua nga një sulm bërthamor i SHBA-së 78 vjet më parë që i dha fund Luftës së Dytë Botërore.

    Kryeministri japonez Fumio Kishida, i cili përfaqëson Hiroshimën në dhomën e ulët të parlamentit të Japonisë, tha se zgjodhi qytetin për samitin për të përqendruar vëmendjen në kontrollin e armëve.

  • Kievi sulmohet me dronë, alarmet dëgjohen në gjithë Ukrainën

    Kievi sulmohet me dronë, alarmet dëgjohen në gjithë Ukrainën

    Alarmet për sulme ajrore u dëgjuan në të gjithë Ukrainën në orët e para të së premtes, pasuar nga raportime për shpërthime në zona të caktuara. Zyrtarët ukrainas konfirmuan aktivizimin e njësive kundërajrore në shumë rajone.

    Alarmet u shtrinë në të gjitha rajonet e vendit për rreth një orë nga ora 2 e mëngjesit.

    Nuk është raportuar se ndonjë objektiv infrastrukturor apo civil u godit dhe nuk pati shenja viktimash pasi alarmet u ndalën në Kiev, si dhe në rajonet qendrore dhe jugore.

    Alarmet për sulme ajrore vazhduan në Ukrainën perëndimore deri në mëngjes, por ishin të kufizuara në dy rajone – në lindje dhe në Krimenë e aneksuar nga Rusia në jug.

    Kreu i administratës ushtarake të Kievit, Serhiy Popko, tha se forcat ruse kishin lëshuar valë të njëpasnjëshme dronësh drejt kryeqytetit, sulmi i dhjetë këtë muaj dhe i dyti në më pak se 24 orë.

    “Kjo taktikë e Kremlinit është një përpjekje për të mposhtur forcat tona kundërajrore dhe për të ushtruar presion psikologjik mbi civilët “, shkroi Popko në Telegram.

    “Të gjitha objektivat ajrore të lëshuara në drejtim të Kievit u shkatërruan nga mbrojtja jonë kundërajrore”, shtoi ai.

    Disa rajone raportuan njësi kundërajrore në veprim.

    Shpërthime u raportuan në rajone gjerësisht të ndara, duke përfshirë Krivi Rih në Ukrainën qendrore dhe Rivne dhe Lutsk në perëndim.

    Sipas një mesazhi Telegram nga ushtria e Ukrainës, avionët rusë u panë në qiell, duke paraqitur një kërcënim të sulmeve me raketa hipersonike Kinzhal.

    Një deklaratë e mëparshme ushtarake përmendte rrëzimin e disa objektivave ajrore, por pa dhënë informacione të mëtejshme. Ushtria kishte lëshuar një paralajmërim se rajonet qendrore dhe Kievi ishin në rrezik nga sulmet me dron.

    Agjencia ruse e lajmeve Tass, duke cituar zyrtarë të instaluar nga Rusia në zonën e kontrolluar nga Moska të rajonit të Donjeckut, tha se forcat ukrainase kishin gjuajtur tetë raketa në këtë zonë.

    Nuk ka detaje për dëme apo viktima.

    Lufta në Ukrainë ka nisur më 24 shkurt 2022.

    Presidenti Putin e quan luftën si “operacion special ushtarak” për të çmilitarizuar Ukrainën.

    Perëndimi është përgjigjur ndaj Rusisë, duke goditur ekonominë e këtij shteti me sanksione të ashpra.

    Si pasojë e luftës kanë vdekur mijëra persona dhe miliona të tjerë janë zhvendosur nga shtëpitë e tyre./REL/